O njerëz! Kijeni frikë Zotin tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, ndërsa prej tij krijoi bashkëshorten, e prej atyre të dyve përhapi shumë burra e gra. -
Allahu i Lartësuar e ka filluar këtë sure me një urdhër për devotshmëri dhe bindje ndaj Tij, si dhe ka nxitur për të ruajtur lidhjet farefisnore. Ai e qartëson arsyen pse duhen zbatuar këto urdhra dhe pse duhet të pajisemi me devotshmëri: Allahu është Krijuesi juaj, që ju furnizon dhe përkujdeset për ju, duke ju dhënë çdo gjë të nevojshme. Një nga mirësitë e mëdha të Allahut ndaj nesh është fakti që Ai na krijoi prej një njeriu të vetëm, Ademit (a.s.), prej të cilit krijoi palën tjetër, gruan, që të jetë prehje dhe qetësim për burrin. Kështu Allahu i Lartësuar e ka plotësuar mirësinë e Tij ndaj robërve , duke u falur atyre gëzim, kënaqësi dhe lumturi, prandaj devotshmëria e tyre ndaj Tij është vërtet e meritueshme. Më pas, Allahu i Lartësuar sjell edhe një arsye tjetër për të qenë të devotshëm ndaj Tij:
Kijeni frikë Allahun, me emrin e të Cilit përbetoheni dhe ruajini lidhjet farefisnore! -
Është pikërisht Allahu, me emrin e të Cilit betohemi për të arritur qëllimet tona, Ai ndaj të Cilit urdhërohemi të jemi të devotshëm dhe të bindur. Kur duam të arrijmë qëllimet tona, ne betohemi në emër të Allahut, sepse kështu realizimi është më i sigurt. Dihet shumë mirë se kur i lutesh dikujt për diçka, duke i thënë: “Të kërkoj ta bësh këtë gjë për hir të Allahut!”, ai nuk të refuzon, sepse madhërimi i Allahut në zemër nuk e lejon një gjë të tillë. Kështu, ne urdhërohemi për devotshmëri dhe bindje ndaj Zotit, dhe kjo nuk është diçka e panatyrshme për ne. Arsyeja për të qenë të devotshëm e të bindur ndaj Allahut bëhet edhe më e fortë kur kujtojmë se Ai është Mbikëqyrësi ynë, që dëshmon gjithçka që ne veprojmë:
Vërtet, Allahu është Mbikëqyrësi juaj i përhershëm. -
Ai është mbikëqyrës i robërve . Ai i vështron ata në çdo gjendje, gjatë lëvizjes dhe qetësisë, kur janë mes njerëzve dhe larg syve të tyre. Nëse jemi të vetëdijshëm për këtë mbikëqyrje, ajo do të kultivojë në shpirtin tonë frikërrespektin ndaj Allahun, turpin, devotshmërinë dhe bindjen e vazhdueshme ndaj Tij. Allahu i Lartësuar na nxit që të meditojmë mbi faktet e krijimit të Tij. Ai na ka shpërndarë nëpër tokë, edhe pse origjina jonë është e njëjtë dhe e përbashkët. Pikërisht për shkak të kësaj origjine të njëjtë, njerëzit duhet të jenë të butë dhe të mëshirshëm me njëri-tjetrin. Për të përforcuar këtë ndjenjë në zemrat e tyre, Allahu i Lartësuar, menjëherë pasi i urdhëron ata që të jenë njësues në adhurimin e Tij, i urdhëron për bamirësi dhe mëshirë ndaj njëri-tjetrit dhe i ndalon nga ndarja, largimi dhe armiqësia mes tyre. Ashtu sikurse është detyrë përmbushja e detyrimeve ndaj Zotit, duke e adhuruar Atë si Një të Vetëm, ashtu duhen plotësuar edhe detyrimet ndaj krijesave, sidomos ndaj të afërmve, madje respektimi i të drejtave të tyre është pjesë përbërëse dhe e pandashme e respektimit të të drejtave të Zotit mbi krijesat e Tij, për të cilat Ai ka urdhëruar të plotësohen dhe për to do t’i marrë në përgjegjësi Ditën e Llogarisë. Shihni se si Allahu e fillon këtë sure me urdhrin për devotshmëri ndaj Tij dhe për bamirësi ndaj prindërve, grave, jetimëve dhe njerëzve në përgjithësi, për të vazhduar pastaj me një shpjegim të hollësishëm të këtyre të drejtave gjatë gjithë sures. Kështu, fillimisht, Allahu përshkruan të drejtat që njeriu duhet të plotësojë, dhe pastaj, në vijim të sures, i shpjegon ato me imtësi e mjaft bukur. Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar thotë: “…ndërsa prej tij (burrit) krijoi bashkëshorten”. Kjo kuptohet edhe si një këshillë për t’u përpjekur maksimalisht për plotësimin e të drejtave të grave, sepse Allahu i Lartësuar i ka krijuar ato nga një pjesë e burrit (nga brinja e Ademit a.s.). Kjo është arsyeja përse mes burrit dhe gruas ekziston një lidhje dhe afrimitet shumë i fortë. Pra, ajeti sikur thotë: “Kujtojeni këtë fakt dhe ndërtojeni jetën tuaj mbi dashurinë dhe mëshirën e ndërsjelltë. Ju jeni bërë për të qenë shumë të afërt me njëri-tjetrin.” Allahu i Lartësuar thotë: