Pasi të falni namazin (e frikës), përmendeni Allahun kur jeni në këmbë, ulur a të mbështetur. -
Kuptimi: Pasi të përfundoni namazin e frikës apo namazet normale, përmendeni Allahun e Lartësuar në të gjitha gjendjet dhe situatat tuaja. Allahu i Lartësuar përmend namazin e frikës në mënyrë të veçantë, për arsye të veçanta:
1. Përmirësimi i zemrës dhe lumturia e saj arrihet veçse nëpërmjet kthimit tek Allahu i Lartësuar me pendesë, bindje, përulje, dashuri dhe drojë ndaj Tij, me përmendje të Tij dhe me lavdërime për Të. Sigurisht, në momente frike, nevoje apo lufte, njeriu ka më tepër nevojë për këto ndjenja, që sjellin forcë, lumturi dhe qëndrueshmëri.
2. Nuk ka dyshim se namazi është vepra më e mirë, përmes të cilit arrihen këto qëllime të larta, sepse namazi është lidhja e robit me Zotin e tij. Namazi është vepra më e rëndësishme që vërteton besimin dhe sigurinë në të, prandaj dhe Allahu i Lartësuar e ka bërë detyrim për adhuruesit e Tij që të falen gjatë natës dhe ditës.
3. Përgjatë namazit të frikës, shumë nga elementët e tij, që shkaktojnë ndjenja të fuqishme tek adhuruesi, nuk realizohen plotësisht, prandaj dhe urdhri për ta përmendur Allahun pas këtij namazi është me shumë vend. Kjo bëhet, pra, për të përmbushur edhe ndonjë boshllëk a mangësi të mbetur.
4. Frika shkakton dobësimin e zemrës dhe të trupit, dhe kështu ajo sjell dobësi në përballjen me armikun. Prandaj vjen urdhri për të përmendur sa më shpesh Allahun, sepse dhikri është një nga forcuesit dhe qetësuesit më të mëdhenj të zemrës.
5. Përmendja e Zotit, e shoqëruar me durimin dhe qëndrueshmërinë, është një nga faktorët më vendimtarë për arritjen e suksesit dhe fitores. I Lartësuari thotë: “O ju që keni besuar! Kur të ndesheni me ndonjë forcë, qëndroni fort dhe përmendeni shumë (dhe shpesh) Allahun, që ta arrini fitoren e dëshiruar! Bindjuni Allahut e të Dërguarit të Tij, e mos u grindni ndërmjet jush, sepse kështu do të dobësoheshit e do t’ju linte fuqia. Bëhuni durimtarë sepse Allahu është me durimtarët.” [Enfal 45, 46].
Kështu, nxitja për përmendjen e Zotit në gjendje të tilla të vështira është shumë e vlefshme dhe me vend.
E, kur të jeni të qetë (nga rreziku), atëherë, faleni namazin në mënyrë të rregullt,...” -
Nëse mbaron gjendja e luftës ose largohet rreziku dhe ju qetësoheni, atëherë kryejeni namazin në formën më të plotë, qoftë me veprimet e tij të jashtme, qoftë me veprimet e brendshme të zemrës.
...sepse namazi është detyrim i përcaktuar për besimtarët. -
Namazi është bërë detyrë për besimtarët që ta kryejnë në kohët e përcaktuara nga Zoti, prandaj nuk lejohet të neglizhohet ky kusht. Këto kohë u janë qartësuar muslimanëve të vegjël dhe të mëdhenj, të diturve dhe të paditurve. Të gjithë i kanë mësuar këto kohë nga Profeti i tyre, Muhamedi (a.s.), i cili i porositi: “Faluni ashtu siç më keni parë mua të falem!” Shprehja: “...për besimtarët” tregon se falja e namazit është matës dhe tregues i besimit. Në varësi të besimit, do të jetë edhe kryerja e namazit në sasi dhe cilësi. Ajo tregon, gjithashtu, se jomuslimanët që jetojnë në shtetin islam, edhe pse janë të detyruar që të respektojnë ligjet e tij, ata nuk urdhërohen që të ushtrojnë ritet fetare islame, siç është falja e namazit. Madje, namazi i tyre është i pavlefshëm, përderisa ata vazhdojnë të jenë në kufër. Ndërsa në ahiret, ata do të ndëshkohen për lënien e adhurimeve.