Mos u tregoni të dobët kur të ndiqni armikun! -
Pra, mos tregoni dobësi e plogështi në ndjekjen dhe sulmin kundër armiqve jobesimtarë. Mos tregoni dobësi e plogështi në zhvillimin e luftës në rrugën e Zotit dhe gjithmonë qëndroni syçelë e në gatishmëri. Dijeni se dobësia e zemrës sjell dobësimin trupor, dhe kjo dëmton qëndrueshmërinë në luftën kundër qafirëve. Pra, jini të fuqishëm dhe aktivë në luftë! Pastaj Allahu i Lartësuar thotë diçka që i forcon zemrat e besimtarëve:
Nëse ju ndieni dhimbje, (dijeni se) edhe ata, sikurse ju, ndiejnë dhimbje. Por ju shpresoni nga Allahu atë çka ata nuk e shpresojnë. -
Kuptimi: Nëse ju ndieni dhimbje e lodhje, ta dini se nuk jeni të vetmit që i provoni. Edhe qafirët i vuajnë ato, dhe në këtë aspekt jeni të barabartë, prandaj nuk ju takon juve të shkurajoheni për hir të këtyre dhimbjeve e plagëve. Dinjiteti juaj nuk duhet t’ju lejojë që të përuleni përpara të tilla vështirësish. Është e pranueshme që herë të mundesh e herë të fitosh mbi armiqtë, por që të shkurajohesh para tyre tregon dobësi nga ana juaj. Ju shpresoni prej Allahut atë që ata nuk e shpresojnë. Ju shpresoni të gëzoni mirësitë e Tij të mrekullueshme dhe të shpëtoni nga ndëshkimi i Tij. Madje, besimtarët e zgjedhur kanë qëllime më të larta. Ata synojnë dhe punojnë për të ndihmuar fenë e Allahut, për të zbatuar Sheriatin dhe për të përhapur më gjerë Islamin. Ata përpiqen për udhëzimin e të humburve dhe për mposhtjen e armiqve të besimit. Këto objektiva të larta i motivojnë besimtarët e sinqertë dhe iu japin atyre forcë dhe guxim të vazhdueshëm. Nuk ka të krahasuar mes atyre që synojnë vetëm krenarinë e kënaqësinë në këtë botë, që edhe mund të mos e arrijnë, dhe atyre që synojnë dhe luftojnë për arritjen e lumturisë së dynjasë dhe të ahiretit, për fitoren e kënaqësisë së Zotit dhe për Xhenetin e premtuar nga Ai, dhe që sigurisht do t’i arrijnë. I Lartësuar dhe i Lavdëruar qoftë Allahu i Madhërishëm, që i dalloi robërit e Tij të sinqertë me mirësi të shumta mbi njerëzit e tjerë. Dallimi i tyre është bërë prej diturisë dhe urtësisë së Tij të madhe dhe absolute. Prandaj i Lartësuari thotë në fund të këtij ajeti:
Allahu është i Ditur e i Urtë. -
Pra, Allahu është i plotë në dijen e Tij dhe në urtësinë e Tij.