Vetëm të Allahut janë ç’ka në qiej e ç’ka në tokë. -
Allahu i Lartësuar na tregon rreth gjithëpërfshirjes së pushtetit dhe mbretërimit të Tij. Ky pushtet i jep të drejtën Atij që të veprojë dhe të administojë të gjitha çështjet në gjithësinë, që Vetë e ka krijuar. Është Ai që vendos ligjet, qofshin ato në lidhje me funksionimin e kësaj gjithësie, qofshin në lidhje me Sheriatin. Ndër ligjet që kanë të bëjnë me Sheriatin, është edhe porosia për t’u pajisur me devotshmëri:
Ne i kemi porositur ata që iu dha Libri para jush, ashtu si edhe ju, që ta keni frikë Allahun. -
Allahu i Lartësuar i ka urdhëruar të parët dhe të fundit njerëz, nëpërmjet librave hyjnorë, që të jenë të devotshëm dhe t’i frikësohen Atij. Ky urdhër për devotshmëri sigurisht që është shoqëruar me shumë ligje e norma, që rregullojnë marrëdhëniet e robërve me Zotin dhe mes njëri-tjetrit. Ai është shoqëruar edhe me përgëzim për shpërblim të përjetshëm dhe të pamasë për ata që iu përmbahen këtyre ligjeve e normave, dhe me paralajmërim për ndëshkim dhe vuajtje të përjetshme për ata që i shpërfillin dhe nuk iu përmbahen atyre. Më pas, i Lartësuari thotë:
Por nëse ju e mohoni Atë, (ta dini se) të Allahut janë ç’ka në qiej e ç’ka në tokë. Allahu është (i Pasur) Jonevojtar e i Lavdëruar. -
Nëse ju mohoni Zotin dhe e shpërfillni porosinë e Tij për të qenë të devotshëm, nëse ju i konsideroni idhujt si të barabartë me Zotin, gjë për të cilën nuk keni asnjë provë nga Zoti, atëherë ju, në këtë mënyrë, dëmtoni veçse veten tuaj, dhe kurrsesi Zotin. Mosbesimi, idhujtaria dhe mosbindja juaj nuk e pakësojnë aspak pushtetin dhe mbretërimin e Tij. Nëse ju e mohoni, dijeni se Atë e adhurojnë me përkushtim dhe bindje të plotë adhurues që janë më të mirë dhe më të mëdhenj se ju. El Ganij është një nga emrat e Allahut të Lartësuar, që do të thotë: Jonevojtar, i Pasur i tillë që nuk ka nevojë për asgjë, por gjithçka ka nevojë për Të. Ai është Bujari e Bamirësi absolut. Bujaria dhe bamirësia e Allahut të Lartësuar burojnë nga mëshira e Tij, të cilën kurrë nuk mund ta shterojnë shpenzimet dhe dhuratat që Ai jep natë e ditë. Sikur të gjithë banorët e qiejve dhe të tokës, të parët dhe të fundit, njerëzit dhe xhinët, të mblidheshin së bashku dhe secili prej tyre të kërkonte çdo gjë që të dëshironte, kjo nuk do ta pakësonte aspak pasurinë e Tij, sepse Ai është Xheu-uâd (Bamirës), i Pasur dhe i Plotpushtetshëm. Mirësia që Allahu i Lartësuar dëshiron për krijesat bëhet thjesht me një fjalë. Edhe kur dëshiron të godasë me ndëshkimin e Tij, kjo bëhet veç me një fjalë. Çdo gjë që Ai dëshiron bëhet me fjalën e Tij: “Kun!” -“Bëhu!”. Allahu i Lartësuar s’ka nevojë për adhurimet tona, sepse Ai është absolut në të gjitha cilësitë dhe atributet e Tij. Të qenurit i varfër dhe nevojtar janë cilësi mangësie, prandaj nuk kanë lidhje me të Madhërishmin. Atij i takon çdo cilësi dhe përshkrim i plotë, prandaj dhe është i Pashoq dhe i Pakrahasueshëm. Asnjë krijesë nuk i ngjan Atij. Duke qenë Jonevojtar, Allahu i Lartësuar nuk ka grua apo fëmijë, nuk ka partner a bashkëpunëtor në pushtetin dhe mbretërimin e Tij. Ai nuk ka nevojë për ndihmës në mbretërimin e Tij. Ai është i Pasuri Jonevojtar, për mëshirën, furnizimin dhe përkujdesjen e të Cilit kanë nevojë bota qiellore dhe ajo tokësore. Të gjithë i drejtohen vetëm Allahut të Lartësuar për çdo kërkesë, e madhe apo e vogël qoftë ajo, ndërsa Ai i plotëson këto kërkesa, duke i kënaqur dhe qetësuar ata, duke i udhëzuar ata në mirësi dhe mbarësi. El Hamid është një emër tjetër i Allahut të Lartësuar, që do të thotë: i Lavdëruari. Ky emër tregon që Allahu meriton çdo lavdërim, dashuri e mirënjohje. Atij i takon lavdia e plotë, sepse Ai i ka të gjitha cilësitë e bukurisë dhe madhështisë. Për të gjitha mirësitë e mëdha dhe kujdesin gjithëpërfshirës që Ai u kushton krijesave të Tij, Ai meriton lavdinë e plotë në çdo gjendje. Sa e bukur është përmendja e këtyre dy emrave së bashku me njëri-tjetrin. Allahu është Absolut për faktin se është Jonevojtar, është Absolut sepse është i Lavdëruar. Ai është Absolut edhe për të dyja cilësitë bashkë.