O ju që keni besuar, të jeni përherë dëshmues të së drejtës për hir të Allahut... -
Allahu i Lartësuar i urdhëron adhuruesit e Tij besimtarë që të jenë vazhdimisht dëshmues të së drejtës, për hir të Allahut. Pra, nuk thotë thjesht: “Jini dëshmues të së drejtës”, por: “jini gjithmonë, në çdo rast dhe gjendje, në anën e të drejtës”. Drejtësia është plotësimi i hakut të Zotit dhe i hakut të krijesave. Por çdo të thotë të jesh i drejtë në plotësimin e hakut të Zotit? Do të thotë që mirësitë e dhuruara prej Tij, - dhe të gjitha mirësitë janë prej Tij - të mos i shfrytëzosh duke bërë poshtërsi ndaj Tij. Përkundrazi, ato duhet të jenë ndihmëse dhe nxitëse për ta adhuruar Allahun sa më mirë dhe për t’iu nënshtruar Atij, në shenjë mirënjohjeje dhe përunjësie për mirësitë e Tij. Ndërsa drejtësia në dhënien e hakut të krijesave arrihet duke plotësuar detyrimet dhe përgjegjësitë kundrejt tyre, ashtu sikurse kërkon prej tyre të përmbushin detyrimet kundrejt teje. Për shembull, të plotësosh shpenzimet e detyrueshme, të lash borxhet dhe t’i trajtosh njerëzit sikurse dëshiron të të trajtojnë ty, me edukatë dhe moral të pranueshëm, etj. Një nga aspektet më të rëndësishme të mbajtjes së drejtësisë është ajo në dëshmi. Nuk lejohet që të gjykojmë në favor të një dëshmie thjesht se ashtu na pëlqen apo se ashtu e ndiejmë. Gjykimi duhet të ndërtohet mbi të vërtetën dhe faktet. Drejtësia kërkon që të mos e fshehësh dëshminë, qoftë ajo edhe kundër të dashurve të tu. I Lartësuari thotë:
...edhe nëse kjo është kundër vetes suaj, kundër prindërve ose kundër të afërmve tuaj, qoftë ai (për të cilin dëshmohet) pasanik ose varfanjak, sepse Allahu është më i ditur rreth tyre. -
Mos mbani anën e pasanikut, për shkak të pasurisë së tij, dhe as anën e fakirit, për hir të dhembshurisë për të, por thjesht dëshmoni të vërtetën, në anën e kujtdo qoftë ajo. Dëshmia e të vërtetës dhe qëndrimi gjithmonë në anën e saj janë ndër cilësitë më të mëdha treguese të besimit të njeriut dhe të gradës së tij në Islam. Kushdo që synon të shpëtojë dhe ta lartësojë veten, le të kujdeset që gjithmonë të jetë në anën e së vërtetës. Le të jetë ky qëllim i përhershëm, duke larguar prej vetes çdo gjë që pengon për të qenë i drejtë dhe për të vepruar sipas saj. Duke qenë se penguesi më i madh nga drejtësia është pasimi i epsheve dhe i dëshirave, Allahu i Lartësuar na këshillon dhe thotë:
Mos ndiqni emocionet e t’i shmangeni drejtësisë! -
Mos pasoni ato dëshira tuaja që kundërshtojnë të vërtetën, sepse kështu do të largoheni shumë nga e drejta dhe nuk do t’ju jepet mundësi për të gjetur udhëzimin. Dëshirat e pakontrolluara ose të verbojnë, duke bërë që ta shohësh të vërtetën si të gabuar dhe të gabuarën si të vërtetë, ose do ta njohësh të vërtetën, por do ta braktisësh atë, për shkak të këtyre dëshirave. Pra, ai që disiplinon dëshirat dhe pasionet e tij, do të ketë sukses në gjetjen e së vërtetës dhe do të udhëzohet në të rrugën e drejtë. Pasi na qartëson se është detyrë për ne që t’i përmbahemi të vërtetës dhe të drejtës, Allahu na ndaloi edhe nga e kundërta e kësaj:
Nëse shtrëmbëroni faktet ose tërhiqeni (nga drejtësia),... -
Ai na ndalon nga të shprehurit me paqartësi, me qëllim për të shtrembëruar të vërtetën gjatë dëshmive apo në çdo rast tjetër. Ai na ndalon nga fshehja e së vërtetës, qoftë kjo e plotë apo e pjesshme. Këty hyn edhe shtrembërimi i dëshmive apo dhënia e tyre jo e plotë, ose shpjegimi jo i saktë i tyre nga dëshmuesi. Të gjitha këto konsiderohen si deklarata të paqarta dhe devijim nga e vërteta. Nëse tërhiqeni nga e vërteta, të cilën është detyrë ta shfaqni, ta mbroni dhe ta përkrahni, si p.sh. mosdhënia e dëshmisë nga dëshmitari, apo mosgjykimi me drejtësi nga gjykatësi; atëherë kujtojeni mirë një fakt shumë të rëndësishëm:
(dijeni se) Allahu e Di mirë gjithçka që bëni ju. -
Ai përfshin me dijen e Tij të gjerë gjithçka që ju veproni. Ai i di ato të gjitha, të fshehtat dhe të dukshmet. Ky është një kërcënim shumë i rëndë për ata që shtrembërojnë dhe tërhiqen nga e vërteta. Sigurisht që ky kërcënim bie më tepër mbi ata që gjykojnë padrejtësisht dhe dëshmojnë rrejshëm, sepse ky është një krim më i madh. Nëse të parët thjesht e lënë të vërtetën apo nuk e shfaqin atë tërësisht, këta të fundit e lënë të vërtetën tërësisht dhe merren me gënjeshtrën dhe padrejtësinë.