Sikur Ne t’i urdhëronim ata të flijonin veten, ose të linin shtëpitë e tyre, shumë pak prej tyre do ta bënin këtë. -
Allahu i Lartësuar na tregon se, nëse do të na ngarkonte me përgjegjësi të vështira, siç janë lufta apo lënia e pasurive dhe e vendeve tona, atëherë, përveç një pakice, askush nuk do t’i bindej dhe nuk do të arrinte t’i kryente këto detyrime. Kështu, kjo është një nxitje për të falënderuar, lavdëruar dhe treguar mirënjohje ndaj Allahut të Lartësuar për lehtësimin e fesë, të cilën na e ka ngarkuar ta zbatojmë. Kjo është një fe e thjeshtë dhe e mundshme të zbatohet nga çdokush. Ky ajet tregon se, kur besimtari sheh gjendjen e tij të mirë dhe veprat e tij prej adhuruesi, dhe pastaj sheh veprat dhe gjendjen e të humburve, që janë jashtë rruge, ai duhet t’i jetë mirënjohës për këtë Zotit të Lartësuar.
Sikur të vepronin ashtu siç këshilloheshin, kjo do të kishte qënë më e mira për ta dhe një përforcim më i madh (në besimin e tyre). -
Pra, nëse njerëzit do të zbatonin porositë e Zotit, në çdo kohë e gjendje dhe me vullnet të plotë e dëshirë për t’i kryer në formën më të plotë të mundshme, atëherë shpirtrat e tyre do të ishin të sigurt. Njeriu duhet të përqendrohet tërësisht në çështjet e rëndësishme nëpërmjet të cilave kryhet dhe arrihet adhurimi i Zotit dhe zbatimi i porosive të Tij, si dhe të shpenzojë të gjitha aftësitë e veta për t’i përkryer ato, sepse në varësi të përpjekjeve të sinqerta në këto drejtime, atij i janë premtuar shumë mirësi. Mirësitë e Zotit nuk mund të arrihen me dembelizëm. Shih se çfarë u premtohet të sinqertëve dhe punëtorëve të palodhur, që përpiqen maksimalisht për të plotësuar porositë e Zotit të tyre: Së pari, “kjo do të kishte qënë më e mira për ta”, domethënë, do të jenë prej vepërmirëve, sepse kanë cilësitë, fjalët dhe veprat që i karakterizojnë të mirët, të cilët u binden urdhrave dhe u largohen ndalesave. Po ashtu, ata nuk kanë cilësitë e të këqijve, sepse kur dikush ka cilësi të mira, kjo tregon se është i ruajtur nga të kundërtat e tyre. Së dyti, “dhe njëpërforcim më i madh (në besimin e tyre)”. Pra, për ta premtohet përqendrim dhe forcim në fenë e Zotit. Për shkak të veprave të mira, Allahu i Lartësuar ua përforcon edhe më shumë besimin dhe i ndihmon që të jenë të përqendruar në rrugën e drejtë. Besimtarët i zbatojnë porositë e Zotit dhe të Profetit të Tij, prandaj ata forcohen në jetën e kësaj bote që të jenë të qëndrueshëm në besim edhe kur goditen nga sprovat. Në çdo kohë dhe çdo gjendje, me ndihmën e Zotit të tyre, ata do të jenë plotësisht të durueshëm për të zbatuar urdhrat, për t’iu larguar ndalesave, si dhe për t’i qëndruar si besimtarë në momente sprovash. Edhe në fatkeqësi, ata shprehin kënaqësinë me caktimin e Zotit. Ata i ndihmon Zoti që të vazhdojnë në këtë rrugë, e pastaj të shpërblehen me të mira e të shpëtojnë nga të këqijat, për shkak të besimit dhe përpjekjeve të tyre për të punuar dhe jetuar sipas këtij besimi. Madje, kjo ndihmë nuk vjen vetëm në jetën e dynjasë. Ajo do t’u jepet besimtarëve edhe në momentin e vdekjes, por edhe në varr, kur të merren në pyetje. Gjithashtu, nëse robi përpiqet vazhdimisht që të jetojë dhe punojë sipas porosive të Zotit të tij, kjo sjellje do t’i bëhet natyrë e tij, dhe kështu ai do të ndiejë mall dhe kënaqësi me adhurimet dhe me mënyrën e jetesës si besimtar. Pra, edhe në këtë këndvështrim, ata që jetojnë dhe punojnë për të zbatuar porositë e Allahut të Lartësuar do të jenë të përqendruar dhe të patundur në bindjen ndaj Tij.