A nuk i ke parë (o Muhamed) ata të cilët u porositën: “Largoni duart tuaja prej luftës, faleni namazin dhe jepeni zekatin!?” -
Kur ishin në Mekë, para hixhretit, besimtarët ishin të urdhëruar vetëm për namaz e zekat, me kuptimin e përgjithshëm të fjalës “zekat”, pra, për të ndihmuar të varfërit, jo për zekatin e njohur në Islam, që ka kushtet dhe rregullat e caktuara e i cili u bë i detyrueshëm pas emigrimit në Medine. Kështu, në fillim, besimtarët nuk ishin urdhëruar për xhihad, për arsye e urtësi të shumta. Allahu, me urtësinë e Tij, i ka sjellë ligjet gradualisht, në atë mënyrë që njerëzve të mos u bien rëndë. Ai ka filluar së pari me rregullat më të rëndësishme e më të thjeshta. Nëse Allahu i Lartësuar do t’i urdhëronte besimtarët për luftë, ndërkohë që numri i tyre ishte shumë i vogël dhe mundësitë e tyre të pakta, ndërsa armiqtë ishin të shumtë në numër, atëherë kjo do të shkaktonte tretjen dhe zhdukjen e Islamit. Pra, iu dha përparësi dobisë më të madhe, kundrejt asaj më të vogël. Përveç kësaj, ka edhe urtësi të tjera. Disa besimtarë dëshironin të luftonin që në fillim, por ai nuk ishte momenti për luftë. Së pari, ata duhet të përpiqeshin të plotësonin më së miri detyrimet që kishin, si: teuhidin, faljen e namazit, dhënien e zekatit etj., siç thotë i Lartësuari disa ajete më lart: “Sikur Ne t’i urdhëronim ata të flijonin veten, ose të linin shtëpitë e tyre, shumë pak prej tyre do ta bënin këtë. Sikur të vepronin ashtu siç këshilloheshin, kjo do të kishte qënë më e mira për ta dhe një përforcim më i madh (në besimin e tyre). Atëherë, Ne, do t’u jepnim atyre shpërblim të madh nga ana Jonë dhe do t’i udhëzonim në rrugë të drejtë. Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata, të cilëve Allahu u ka dhuruar mirësi të shumta - me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me vepërmirët. Sa shokë të mirë janë ata! Ky është shpërblimi që vjen prej Allahut dhe mjafton që Allahu Di gjithçka.” [Nisa 66-68]. Por pas emigrimit në Medinë, kur Islami u fuqizua dhe kur atyre iu bë detyrë lufta, atëherë:
Por kur iu bë detyrim lufta, një grup prej tyre iu frikësuan njerëzve ashtu si duhet t’i frikësohesh Allahut, madje edhe më shumë. -
Pra, disa prej atyre që më përpara e kërkonin me ngulm luftën, filluan të thonë nga frika e dobësia: “O Zoti ynë, pse na e bëre detyrim luftën?” Kjo tregonte pakënaqësinë e tyre ndaj vendimit të Zotit, ndërkohë që detyrë për ta ishte e kundërta. Për besimtarët është detyrë që t’u dorëzohen dhe t’u nënshtrohen urdhrave të Zotit, duke qenë të durueshëm, korrektë dhe të sinqertë në zbatimin e tyre. Por ata vepruan të kundërtën, duke thënë:
Ata thanë: “O Zoti ynë! Pse na e bëre detyrim luftën? Sikur të na e kishe shtyrë pak më vonë!” -
Kështu ka ndodhur në të shumtën e rasteve me ata që kanë kërkuar nga Zoti diçka para kohës së vet. Në momentin kur Zoti ua ka bërë detyrë atë që e kërkonin me ngut, ata janë sprapsur dhe nuk e kanë patur vullnetin për ta plotësuar. Prandaj Zoti i Lartësuar i ka paralajmëruar këta njerëz që të ruhen nga të tilla sjellje, të cilat të bëjnë të mos kesh durim dhe qëndrueshmëri në rrugën e Tij.
Thuaju: “Kënaqësitë e kësaj bote janë të pakta; Bota tjetër është shumë më e mirë për ata që janë të devotshëm. Juve nuk do t’ju bëhet padrejtësi aspak.” -
Kënaqësitë e kësaj bote janë të vogla dhe të shkurtra. Nga ana tjetër, vështirësitë në rrugën e Zotit janë mëse të përballueshme për njeriun, sidomos kur kujton se ato nuk kanë për të zgjatur shumë. Ahireti është i pakrahasueshëm me dynjanë në kënaqësitë që ofron dhe në çdo aspekt tjetër. Vlera e ahiretit është ashtu sikurse e ka përshkruar Profeti (a.s.): “Një copë vend në Xhenet sa gjurma që lë një shkop në tokë është më e mirë sesa gjithë dynjaja dhe ç’ka në të”. Kënaqësitë e Xhenetit janë të plota dhe për t’i arritur ato nuk nevojitet lodhje. Në fakt, ato as që mund të përfytyrohen. Çdo kënaqësi e përfytyruar ndonjëherë nuk mund as t’i përafrohet kënaqësive të Xhenetit, sikurse ka thënë i Lartësuari: “Askush nuk di për atë kënaqësi (të zemrës e të shpirtit), që u është caktuar atyre si shpërblim për veprat e tyre të mira (në dynja).” [Sexhde 17]. Gjithashtu, Allahu i Lartësuar, nëpërmjet Profetit të Tij, na ka njoftuar se ka thënë: “Unë kam përgatitur për adhuruesit e Mi punëmirë atë që syri nuk e ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe që zemra e njeriut nuk e ka ëndërruar”.[1] Ndërsa kënaqësitë e dynjasë arrihen veçse me vështirësi dhe lodhje. Po ashtu, nëse krahasojmë çastet e kënaqësisë së dynjasë me momentet e ankthit, trishtimit, lodhjes dhe mërzitisë në të, do të vërejmë se çastet e kënaqësisë janë shumë herë më të pakta. Kjo botë vetë është e përkohshme dhe jeta e njeriut në të është akoma më e shkurtër. Ndërsa mirësitë e ahiretit janë të përjetshme dhe banorët e tij janë të përjetshëm atje. Kështu, nëse njeriu do të gjykonte qetësisht për të krahasuar mes dynjasë dhe ahiretit, do të bënte patjetër zgjedhjen e duhur. Ai do t’i jepte përparësi ahiretit dhe do të luftonte për të arritur shpërblimin e atjeshëm. Kjo është arsyeja që edhe i Lartësuari na nxit që të punojmë për arritjen e atij duke u bërë të devotshëm: “Bota tjetër është shumë më e mirë për ata që janë të devotshëm. Juve nuk do t’ju bëhet padrejtësi aspak.” Pra, nëse ruhemi nga shirk-u dhe çdo gjynah tjetër dhe zbatojmë porositë e Tij, atëherë kemi pa dyshim premtimin për Xhenetin, pa na u bërë asnjë padrejtësi. Çdo përpjekje që bëjmë për ahiretin do ta gjejmë të plotë atje.
[1] Transmeton El buhari.