Pasi urdhëroi për ta adhuruar Atë si Një të vetëm, duke iu përkushtuar me sinqeritet dhe përunjësi vetëm Atij, dhe pasi tregoi argumentet dhe arsyet pse duhet ta adhurojmë si Një të vetëm, Allahu i Madhëruar ndalon më pas nga adhurimi i dikujt tjetër veç Tij. Kjo shërben për ta përforcuar e qartësuar edhe më shumë kuptimin e vërtetë të teuhidit. Ai thotë:
Thuaj: “Mua më është ndaluar të adhuroj ata që ju i adhuroni veç Allahut, ...” -
Thuaju, o Profet, unë jam ndaluar që t’i adhuroj ata të cilët ju i adhuroni përveç Allahut, duke u shprehur dashurinë e madhërimin tim, duke shpresuar tek ata e duke iu lutur, duke iu bindur e nënshtruar atyre, qofshin ata idhuj, puta e çdo gjë tjetër që adhurohet padrejtësisht veç Allahut. Unë nuk jam në dyshim për çështjen që ju ftoj, por jam i qartë, i sigurt dhe i bazuar në argumente nga Zoti:
“...sepse më kanë ardhur argumente të qarta nga Zoti im dhe jam urdhëruar t’i dorëzohem e nënshtrohem vetëm Zotit të botëve”. -
Kjo është ftesa ime, me argumente të qarta nga Zoti im. Unë jam urdhëruar t’i dorëzohem tërësisht Zotit të botëve, duke e adhuruar Atë si Një të vetëm, ashtu siç më ka urdhëruar Ai që ta adhuroj. Unë e adhuroj Zotin tim me zemrën, gjuhën dhe me trupin tim. E adhuroj Atë me të gjithë qenien time, duke u nënshtruar dhe dorëzuar ndaj ligjit të Tij. Pa dyshim ky urdhër është absolutisht urdhri më i madh, ashtu sikurse ndalesa nga adhurimi i çdo gjëje tjetër veç Allahut është absolutisht ndalesa më e madhe. Allahu i Madhëruar e argumenton këtë teuhid, duke na treguar se Ai është Krijuesi e Formësuesi i qenieve tona. Nëse e pranojmë Atë si të vetmin Krijues, atëherë duhet ta njohim e pranojmë edhe si të vetmin që meriton adhurimin.