Allahu i Madhëruar na tregon për butësinë dhe mirësinë e madhe të Tij ndaj adhuruesve besimtarë. Ai përkujdeset që t’u lehtësojë atyre çdo rrugë që i çon ata drejt lumturisë, rrugë që, në fakt, janë tërësisht jashtë mundësive e aftësive të tyre për t’i arritur vetë. Prej kujdesit të Tij janë edhe lutjet e melekëve për robërit në tokë. Ata luten që Allahu të rregullojë fenë dhe ahiretin e tyre. Këtu shfaqet, ndër të tjera, edhe grada e lartë e mbajtësve të Fronit madhështor dhe e melekëve që qëndrojnë rreth e rrotull tij, si dhe për afërsinë e tyre me Zotin. Ata shquhen për adhurimet e shumta që i përkushtojnë të Madhëruarit, si dhe për kujdesin dhe dëshirën e mirë që kanë kundrejt adhuruesve të Zotit. Ata i duan dhe luten për besimtarët, sepse e dinë shumë mirë se Zoti kënaqet dhe e dëshiron një gjë të tillë prej tyre. I Madhëruari thotë:
Ata që mbajnë Fronin (e Allahut)... -
Domethënë, ata që mbajnë Fronin e Rahmanit, i cili është çatia e të gjithë krijesave, krijimi më i madh, më i gjerë, më i bukur dhe më afër Allahut të Lartësuar. Froni i Allahut përfshin qiejt, Tokën dhe Kursijin. Këta melekë të fuqishëm janë ngarkuar për të mbajtur Fronin e Allahu të Madhëruar. Nuk ka dyshim se ata janë ndër melekët më të mëdhenj dhe më të fuqishëm që Zoti ka krijuar, prandaj dhe Ai i ka përzgjedhur për të mbajtur Fronin e Tij. Fakti që Allahu i Madhëruar i përmend ata përpara melekëve që janë rreth Fronit, si edhe afërsia e tyre me Allahun, tregojnë se ata janë lloji më i zgjedhur i melekëve (paqja e Zotit qoftë mbi ta!). Ditën e Gjykimit, Fronin e Allahut do ta bartin tetë melekë, siç thotë i Madhëruari: “Qielli do të çahet dhe atë ditë është i rrënuar, ndërsa melekët do të qëndrojnë në skajet e tij. Atë ditë, Arshin e Zotit tënd e bartin mbi vete tetë prej tyre.” [Hakka 16, 17].
...dhe ata që janë përreth tij e lartësojnë me lavde (dhe e madhërojnë) Zotin e tyre, -
Rreth e rrotull Fronit janë rreshtuar melekë të afërt, të zgjedhur dhe me prestigj të lartë te Zoti. Allahu i Madhëruar i lëvdon këta melekë duke përmendur adhurimin e tyre të shumtë përkushtuar Atij, e në mënyrë të veçantë tesbih-ët e tahmid-ët e tyre. Të gjitha adhurimet bëhen për t’i thurur Zotit tesbih dhe tahmid, pra, për ta lavdëruar dhe madhëruar Zotin, për ta lartësuar Atë nga çdo e metë që trillojnë të paditurit. Tesbih-u dhe tahmid-i tregojnë se robi nuk ia përkushton adhurimet askujt tjetër veç Zotit, sepse vetëm Ai është i Pastër nga çdo e metë dhe i Pashoq në meritën e adhurimit. Tesbih-u dhe tahmid-i për Zotin janë vetë adhurimi, ndërsa shprehjet “Subhanallah” dhe “Elhamdulilah”, që thotë robi, janë një mënyrë e lloj prej llojeve të adhurimit.
... i besojnë Atij dhe kërkojnë falje për besimtarët... -
Kjo është nga mirësitë e shumta dhe të mëdha që sjell imani i drejtë në Allahun. Pra, edhe melekët, që janë të pastër dhe të ruajtur nga gjynahet, kërkojnë falje për besimtarët. Duke qenë se falja e Zotit është e lidhur ngushtë me çështje të tjera shumë të rëndësishme dhe dikush mund të mendojë se melekët luten thjesht që t’u falen gjynahet besimtarëve, Allahu i Madhëruar e sqaron më tej duanë e tyre, duke na treguar se ata luten jo vetëm për faljen e gjynaheve, por edhe për çështje të tjera, që kanë lidhje të ngushtë me faljen e gjynaheve. Ata luten edhe për shpëtim prej përfundimit të keq që sjellin gjynahet dhe prej gjurmëve të këqija që ato lënë në jetën e njeriut. Ndër të tjera, ata thonë:
Zoti ynë, Ti, me Mëshirën dhe me Diturinë Tënde përfshin gjithçka. -
Kuptimi: Dituria Jote ka përfshirë gjithçka. Ty nuk të fshihet asgjë, e dukshme apo e fshehtë qoftë ajo. Diturisë Tënde nuk mund t’i shpëtojë asgjë, as sa një grimcë, më e vogël apo më e madhe qoftë, në tokë dhe në qiell. Mëshira Jote, gjithashtu, ka përfshirë gjithçka. Gjithësia, ajo e sipërmja dhe e poshtmja, është e mbushur me mëshirën Tënde. Ajo ka përfshirë çdo gjë që Ti ke krijuar. Melekët e lusin Allahun me këto cilësi dhe atribute të Tij, që Ai t’i falë robërit që pendohen nga idhujtaria, mohimi, gjynahet dhe mosbindja. Ata luten që besimtarët të pendohen e të largohen nga ato gjëra që sjellin ndëshkimin. Gjithashtu, ata thonë:
Prandaj fali ata që pendohen dhe ndjekin rrugën Tënde ... -
Kuptimi: Fali ata që pendohen nga shirku e poshtërsitë dhe ndjekin rrugën Tënde, duke pasuar profetët e Tu dhe duke të njësuar në adhurim e në bindje. Pastaj luten për besimtarët, që të kryejnë ato punë që sjellin faljen e mëshirën e Allahut, duke thënë:
... dhe ruaji ata nga dënimi i Zjarrit Flakërues! -
Ata luten për ruajtjen e tyre nga ndëshkimi e nga rrugët që të çojnë në ndëshkim.[1] Kështu, lutja e tyre nuk është thjesht për falje gjynahesh, por edhe për ato gjëra që e mundësojnë një gjë të tillë dhe që janë të lidhura ngushtë me faljen e gjynaheve, si: pendimi nga veprat e ndëshkueshme, kryerja e veprave të shpërblyeshme, që sjellin mëshirën e Zotit, si dhe shpëtimin nga rrugët e humbjes, që të çojnë në ndëshkim dhe e bëjnë atë të meritueshëm. Pastaj luten e thonë:
[1]
Në lidhje me të këqijat nga të cilat
ruhemi dhe kërkojmë mbrojtje, imam Ibn
Kajjimi thotë: “Të këqijat që e godasin
robin janë dy llojesh. Njëri lloj janë
gjynahet e vepruara prej tij, për të cilat
meriton ndëshkim prej Allahut të
Lartësuar. Këto të këqija që i kanosen
njeriut janë fryt i veprave të tij, të bëra
me vullnetin e tij. Këto janë pasojat e
gjynaheve, rreziku më i madh, më i
frikshëm dhe më i vazhdueshëm që i
kanoset njeriut. Ndërsa lloji i dytë i të
këqijave që i kanosen njeriut, janë ato që
i vijnë nga të tjerët, jo nga vetja. Të tjerët
janë ose të përgjegjshëm ligjërisht te Zoti,
ose jo të përgjegjshëm. Të përgjegjshmit
janë ose njerëz ose xhindë. Të
papërgjegjshmit janë akrepat,
gjarpërinjtë e kafshë të tjera të
rrezikshme dhe vdekjeprurëse”. Më pas,
imam Ibn Kajjimi vazhdon e thotë: “E
keqja nënkupton dy gjëra: së pari,
dhimbje e vuajtje, së dyti, çdo gjë që i
shkakton këto gjëra. E keqja vërtitet mes
këtyre të dyjave dhe nuk ka kuptim të
tretë. Të këqijat janë dhimbjet dhe
shkaqet e tyre. Me këtë kuptim, themi se
gjynahet, mosbindja ndaj Zotit dhe
profetit, kufri, idhujtaria dhe të gjitha
llojet e padrejtësive konsiderohen, pa
dyshim, të këqija, nga të cilat duhet të
ruhesh e të kërkosh mbrojtje. Edhe pse
në ndonjë aspekt dhe rast të caktuar në
këto të këqija mund të ketë ndonjë dobi
për njerëzit apo kënaqësi të kufizuar, ato
gjithsesi mbeten të këqija. Janë të këqija,
sepse ato shkaktojnë dhimbje, vuajtje e
dëshpërim për këdo që i vepron ato,
ashtu sikurse çdo shkak sjell pasojën e
vet. Ato sjellin në mënyrë të
pashmangshme dhimbje dhe dëshpërim,
ashtu sikurse helmi sjell vdekjen, apo
zjarri djegien, apo uji mbytjen, apo varja
në litar vdekjen, etj. Ky rregull është i
pandryshueshëm, përveç rasteve kur
ekziston ndonjë pengesë apo shkak tjetër
më i fortë, që e ndalon pasojën e shkakut
të parë. Kështu, për shembull, pasojat që
duhet të sjellin gjynahet nuk godasin
nëse forca e besimit dhe veprat e mira të
robit janë më të mëdha si shkak. Kështu,
shkaku më i fortë e largon pasojën që
sjell shkaku tjetër, që është më i dobët.
Në të njëjtën mënyrë funksionojnë të
gjitha shkaqet dhe pasojat, edhe në
aspekte të tjera, si në shëndet dhe
sëmundje, në dobësi dhe fuqi etj. Qëllimi
këtu është që të tregojmë se këto të
këqija, të cilat sjellin njëfarë kënaqësie të
përkohshme, edhe pse duket sikur
përmbajnë ndonjë lloj “dobie” të themi,
ato mbeten të këqija, prej të cilave duhet
të luftosh që të ruhesh dhe të shpëtosh.
Ato i përngjajnë atij ushqimi të shijshëm,
që, në fakt, është i helmuar dhe sjell
vdekjen. Ato i lënë gjurmët e tyre të
dhimbshme, qoftë edhe me vonesë. Një
fakt të tillë e vërteton vetë realiteti i
jetuar, edhe nëse feja nuk do të na e
kishte mësuar atë. Subhanallah! A ka
ndonjë mirësi të humbur, për largimin e
së cilës të mos jetë bërë shkak mosbindja
ndaj Zotit?! Çdo humbje dhe largim
mirësie ndodh për shkak të gjynaheve
dhe pasojave të hidhura që ato sjellin,
sepse Allahu i Lartësuar, nëse e begaton
robin me ndonjë mirësi, ia ruan dhe ia
shton atë, nga mëshira dhe bamirësia e
Tij. Ai kurrë nuk ia largon atë mirësi,
derisa vetë robi nxiton dhe, me gjynahet
dhe mosbindjen e tij, e largon nga vetja
mirësinë e dhuruar prej Zotit. Në suren
Rad, ajeti 11, i Lartësuari thotë: “Ai
(njeriu) ka (melekë) mbikëqyrës para dhe
prapa vetes, që, me urdhrin e Allahut, e
ruajnë atë. Allahu nuk e ndryshon
gjendjen e një populli, përderisa ata të
ndryshojnë veten e tyre. Por, kur Allahu
vendos ta ndëshkojë një popull, këtë nuk
ka kush që mund ta sprapsë. Ata
(njerëzit) nuk kanë mbrojtës tjetër veç
Tij.”
Çdokush që mediton rreth historisë së
popujve të cilëve Zoti ua hoqi mirësitë
me të cilat i kishte dalluar, e vëren qartë
një të vërtetë të tillë të pamohueshme.
Në të gjitha rastet, shkaku i atyre
pasojave të hidhura ka qenë
kundërshtimi i urdhrave të Zotit dhe
mosbindja ndaj profetëve dhe ndaj
shpalljeve të dërguara prej Tij. Madje,
çdokush që sheh ndryshimet në gjendjen
e njerëzve të kohës së vet do të kuptojë
se çdo mirësi e hequr prej duarsh është
pasojë e mosbindjes dhe e gjynaheve,
sikurse thuhet në një vjershë:
Nëse ke një mirësi, fort ta ruash në
sënduk,
se gjynahu po të zuri, ta mbulon
edhe ta zhduk.
Mirësitë e dhuruara prej Allahut të
Lartësuar nuk i ruan dhe kultivon asgjë
sikurse i ruan dhe i kultivon bindja ndaj
Allahut. Ato nuk i shton asgjë sikurse i
shton mirënjohja dhe falënderimi ndaj
Allahut të Lartësuar dhe Bujar. Ndërsa
poshtërsitë dhe mosbindja ndaj Allahut i
shkatërrojnë mirësitë. Ato i djegin dhe i
zhdukin mirësitë ashtu sikurse zjarri e
djeg drurin e thatë. Cilido që, me
mendimin e tij, shëtit dhe vështron në
historinë e botës nuk ka nevojë që dikush
tjetër t’i mësojë këto gjëra rreth saj.
Pasojat e të këqijave janë gjithmonë të
këqija, sepse ato shkaktojnë dhimbje e
dëshpërim shumë të fortë në shpirt dhe
në trup. Çdo njeri me logjikë që e trajton
këtë çështje ashtu si duhet bën gjithçka
për t’u larguar nga shkaqet dhe pasojat e
dhimbshme. Por mospërfillësit e kanë të
errësuar logjikën, prandaj Allahu i
Lartësuar do ta çojë deri në fund caktimin
e Tij të drejtë për ta. Kur ata të
përmenden nga hutimi i thellë, sigurisht
që zemra do t’u dëshpërohet, kur të
shohin se çfarë mirësish të mëdha u kanë
ikur prej duarsh, qoftë nga mirësitë e
dynjasë, qoftë nga mirësitë e ahiretit, për
shkak të këqijave që bënë. Për ata,
realiteti do të shihet vetëm kur të bëhen
gati për t’u larguar nga kjo botë dhe për
të shkuar në botën tjetër, por atëherë do
të jetë tepër vonë: “Jo, mosni ashtu! Kur
të dridhet toka njëpasnjëshëm, Kur të vijë
Zoti yt dhe melekët të qëndrojnë radhë-
radhë. Atë ditë do të sillet Xhehenemi
(para krijesave). Atë ditë, njeriu do të
ndërgjegjësohet, por si do t’i vlejë ky
ndërgjegjësim atij? Ai do të thotë: “Ah, i
mjeri unë! Sikur të isha parapërgatitur
për jetën time!” Atë Ditë, askush nuk
mund të dënojë si Ai e askush nuk mund
të lidhë me pranga si Ai. O ti shpirt i
bindur plotësisht! Kthehu te Zoti yt, i
kënaqur e i pranuar! Hyr në mesin e
adhuruesve të Mi (të devotshëm)! Dhe
hyr në Xhenetin Tim!” [Fexhr 21-30]. I
Madhëruari thotë gjithashtu: “Sikur e
tërë ajo që është në tokë dhe së bashku
me të edhe njëherë aq sa ajo, të ishte
pronë e atyre që nuk besojnë, ata do ta
jepnin si kompensim për t’i shpëtuar
dënimit të tmerrshëm në ditën e
kijametit. Atyre do t’u vijë prej Allahut
diçka (një dënim), që as nuk kanë mundur
ta mendojnë." Ata do të përballen me të
këqiat që i bënë me duart e tyre dhe për
ta, u bë i meritueshëm dënimi (i Allahut)
për shkak të asaj, me të cilën talleshin.”
[Zumer 47, 48]. Ose: “Dhe askush të mos
thotë: “Ah i mjeri unë që e shpërfilla
adhurimin dhe bindjen ndaj Allahut dhe
qeshë nga ata që talleshin (me besimin
dhe besimtarët)!” Ose të mos thotë:
“Sikur të më kishte udhëzuar Allahu (në
rrugë të drejtë), unë me siguri do të kisha
qenë prej të devotshmëve.” Apo, kur ta
shohë dënimin të thotë: “Sikur të isha
kthyer edhe një herë (në dynja) unë me
siguri do të isha prej vepërmirëve.” Jo. Ty
të patën ardhur argumentet e Mia dhe ti i
përgënjeshtrove ato, u tregove kryeneç
dhe u bëre prej atyre që e mohojnë
Besimin (e vërtetë). [Zumer 56, 59].” Këto
ishin fjalët e Ibn Kajjimit në lidhje me këtë
çështje. [Shih në librin “Bedâiul feuaid” të
Imam Ibnul Kajim-it]