E, pikërisht për këtë ti fto të tjerët,... -
Pikërisht për këtë fe të drejtë, për të cilën Zoti shpalli librat qiellorë dhe dërgoi profetët, pikërisht për këtë nxite popullin tënd që ta besojë dhe pasojë, që ta praktikojnë në jetën e tyre dhe të ftojnë gjithë botën në përqafimin e saj! Pikërisht për këtë fe dhe besim të drejtë, që sjell mbarësinë, paqen dhe bashkimin, lufto këdo që qëndron si pengesë para saj apo që kërkon ta shkatërrojë!
...përqendrohu në rrugën e drejtë, ashtu si të është urdhëruar... -
Ky është një urdhër që i drejtohet Profetit (a.s.) për istiķâmeh, pra, për qëndrueshmëri dhe vazhdimësi në rrugën e Allahut, ashtu sikurse Ai ka urdhëruar. Kuptimi i ajetit është: Ji i qëndrueshëm në zbatimin e porosive të Zotit, ashtu sikurse Ai të ka urdhëruar, pa e tepruar, por edhe pa neglizhuar dhe pa bërë lëshime. Adhuroje Zotin tënd duke qenë i vazhdueshëm, sistematik dhe korrekt në zbatimin e urdhrave të Tij dhe në largimin nga ndalesat e Tij! Ky është një urdhër i mrekullueshëm, që i Gjithëdituri jep në këtë Kur'an. Ai është urdhër, nga njëra anë, për të plotësuar vetveten, duke qenë i vazhdueshëm dhe këmbëngulës në adhurimin e Zotit dhe, nga ana tjetër, për t’u përpjekur që të udhëzohen edhe të tjerët në adhurimin e një Zoti të vetëm, për të jetuar sipas porosive të Tij. Ky urdhër vërtet i drejtohej Profetit, por - sikurse dihet - të gjithë urdhrat që Zoti ia ka drejtuar Profetit (a.s.) vlejnë edhe për umetin e tij, përveç rasteve kur ka dëshmi të qarta që ata kanë qenë të posaçëm vetëm për Profetin (a.s.).
...dhe kurrë mos shko pas dëshirave të tyre! -
Kuptimi: Kurrsesi mos u bëj pasues i dëshirave dhe prirjeve të njerëzve të devijuar e të prishur: qafirë, munafikë idhujtarë apo çfarëdolloj qofshin ata. Pasimi i tyre mund të bëhet me forma nga më të ndryshmet. Pasues i dëshirave të tyre mund të bëhesh duke ndjekur fenë a tyre apo një pjesë të saj, duke lënë thirrjen në rrugën e Allahut dhe në fenë e Tij të drejtë, ose duke neglizhuar në zbatimin e urdhrave dhe kryerjen e ndalesave. Nëse i ndjek hapat e tyre, do të bëhesh si të padrejtët. Vërej me kujdes! Allahu i Lartësuar thotë: “mos shko pas dëshirave të tyre”, dhe jo: “... mos paso fenë e tyre!”, sepse origjina e fesë së tyre është pikërisht feja që Zoti e solli nëpërmjet profetëve, por ata e kanë shtrembëruar dhe nuk e kanë zbatuar atë si duhej. Ata ndjekin dëshirat e tyre dhe e konsiderojnë fenë si lojë dhe si gjë të parëndësishme.
Thuaju: “Unë u besoj Librave që ka shpallur Allahu..” -
Kjo është një porosi e vyer rreth mënyrës së polemizimit me ta. Polemika me ta duhet të jetë e bazuar në një themel të rëndësishëm, që është besimi në të gjitha shpalljet e Allahut të Lartësuar. Kështu, atyre duhet t'u bëjmë të ditur se Islami na udhëzon që të besojmë të gjitha shpalljet hyjnore, dhe kjo tregon madhështinë, mirësinë dhe sigurinë e kësaj feje mbi të gjitha fetë e tjera. Madje, feja që ata pretendojnë se pasojnë nuk është gjë tjetër, por veçse një pjesë e Islamit. Feja Islame është feja e Zotit, e plotësuar dhe e ruajtur nga çdo devijim. Nëse ithtarët e Librit kërkojnë që të polemizojnë me muslimanët mbi bazën e besimit të disa librave hyjnorë dhe mohimit të disa të tjerëve (në rastin konkret: të Kur'anit), kjo është jo e drejtë dhe e papranueshme. Besimtar i vërtetë te Zoti është ai që i beson të gjitha shpalljet e Zotit dhe të gjithë profetët e Tij. Në fakt, gabimi i ithtarëve të Librit është shumë i madh, sepse edhe profetët që ata pretendojnë se pasojnë janë urdhëruar dhe kanë urdhëruar popujt e tyre që të besojnë Profetin e Fundmë, Muhamedin (a.s.), dhe Librin madhështor që do t’i shpallej atij nga Zoti, pra, Kur'anin famëlartë. Duke mohuar Muhamedin (a.s.), ata në të vërtetë kanë mohuar edhe profetin e tyre, që pretendojnë se e pasojnë. Duke mohuar Kur'anin, ata kanë mohuar edhe librat që pretendojnë se i besojnë dhe zbatojnë. Nga ana tjetër, Kur'ani është mundësia e tyre e vetme për të vërtetuar saktësinë e atyre librave, apo më saktë, pjesë librash që u kanë mbetur në duar. Profeti ynë na ka urdhëruar që t’i besojmë të gjithë profetët e Zotit, mes të cilëve Musain e Isain. Ai na ka urdhëruar që të besojmë edhe Teuratin me Ungjillin, të cilët iu shpallën profetëve përkatës. Por, sidoqoftë, Kur'ani është e vetmja mundësi për të vërtetuar çfarë është e saktë në librat që kanë në duart e tyre dhe çfarë jo. I Lartësuari thotë: “O ithtarë të Librit! Juve ju ka ardhur i Dërguari Ynë (Muhammedi) , që ju sqaron shumë nga ajo që ju i keni fshehur prej Librit e që për shumë të tjera, ai fal. Juve ju erdhi nga Allahu dritë dhe libër i qartë. Allahu udhëzon nëpërmjet tij në rrugët e shpëtimit ata që kërkojnë kënaqësinë e Tij dhe i nxjerr ata prej errësirave në dritë, me Lejen e Tij. Ai i udhëzon ata në një Rrugë të Drejtë.” [Maide 15, 16]. Ose: “O ithtarë të Librit! Ja ku ju erdhi i Dërguari Ynë, që ju qartëson (të vërtetën), pas ndërprerjes së të dërguarve, që të mos thoni: “Neve nuk na erdhi i dërguar që të na përgëzonte e të na tërhiqte vërejtjen”. Ja, pra, ku ju erdhi Përgëzuesi dhe Paralajmëruesi. Allahu ka pushtet për gjithçka.” [Maide 19]. Kështu pra, muslimani është i urdhëruar që të besojë Teuratin dhe Ungjillin, - që iu shpallën respektivisht Musait dhe Isait, - për aq sa ato tekste janë në përputhje me Kur'anin, dhe jo pjesët e tyre që janë shtrembëruar dhe keqinterpretuar nga pasuesit e dëshirave personale, pa dritë e udhëzim prej Zotit.
“...dhe jam urdhëruar që të mbaj drejtësi mes jush.” - Kuptimi: Unë jam urdhëruar që t’i gjykoj me drejtësi rastet kur ju keni mospajtime. Mua nuk më pengon armiqësia juaj ndaj meje që t’ju gjykoj me drejtësi, duke miratuar atë që është e saktë dhe e drejtë dhe duke refuzuar atë që është gabim dhe e pavërtetë. Kriteri i gjykimit të drejtë është Libri i Zotit tim.
“Allahu është Zoti ynë dhe Zoti juaj! Ne kemi përgjegjësi për veprat tona e ju për veprat tuaja.” - Të gjithë jemi të barabartë përpara Zotit. Askush nuk ka ekskluzivitetin për të qenë adhurues i vërtetë i Tij. Ne kemi punët tona, të mira apo të këqija, për të cilat do të japim llogari, dhe ju keni punët tuaja, të mira apo të këqija, për të cilat do të jepni llogari. Dallimi qëndron në faktin se ku mbështetemi dhe ku e gjejmë udhëzimin. Pra, le të shohim mirë se nga i marrim udhëzimet për të adhuruar Zotin.
“Nuk ka polemika mes nesh e jush.” - Nëse rruga e drejtë e Zotit është qartësuar, atëherë nuk mbetet më vend për polemika, por duhet që vendin e tyre ta zërë besimi i sinqertë dhe puna sipas udhëzimeve të Zotit. Pas qartësimit të së vërtetës nga e kota, njerëzit ndahen në dy grupe: të sinqertët, që e besojnë dhe e pasojnë udhëzimin të drejtë, dhe pasuesit e dëshirave të veta, që nuk e duan të vërtetën dhe para të cilëve nuk ka mbetur asnjë justifikim që mund ta përdorin para Zotit të tyre. Në fakt, këtu nuk është për qëllim që të ndërpritet dialogimi me ithtarët e librave hyjnorë të mëparshëm, por të zgjidhet mirë çështja që do të diskutohet dhe të përcaktohen rregulla të qarta në polemizimin me ta. Sigurisht, kushti i parë mbi të cilin duhet të ngrihet diskutimi duhet të jetë besimi në librat dhe profetët e Zotit, me kriteret e tyre përkatëse. I Lartësuari thotë: “Dhe mos polemizoni me Ithtarët e librit, (kur i ftoni në fenë tuaj), veçse ashtu si është më së miri, përveç atyre që janë të padrejtë, dhe thuajuni: “Ne i besojmë shpalljes që na u zbrit neve dhe shpalljes që ju zbriti juve. Zoti ynë dhe Zoti juaj është Një dhe ne vetëm Atij i jemi dorëzuar.” [Ankebut 46]. Kjo është detyra jonë në këtë jetë. Ndërsa në jetën tjetër:
“Allahu do të na mbledhë të gjithëve dhe vetëm tek Ai është përfundimi.” - Pra, Ditën e Gjykimit është Allahu i Lartësuar dhe i Gjithëditur që do të gjykojë me drejtësi për veprat tona dhe për atë që besuam. Atë ditë do të dallohen të sinqertët nga gënjeshtarët, dhe secili do të shpërblehet me atë që e meriton.