A mos thonë ata se ai (Muhamedi a.s.) trillon gënjeshtra ndaj Allahut?! -
Ata që mohojnë Profetin, në shenjë arrogance dhe mosbesimi, shpifin kundër tij nga gjërat më të shëmtuara. Ata shpifin se Muhamedi (a.s.), thjesht pretendon se është i Dërguari i Zotit, por ai në të vërtetë është mashtrues. Allahu i Lartësuar sjell një pyetje, së cilës i dihet përgjigjja dhe e cila përmban në vetvete një lloj habije dhe kërcënimi për ata që bëjnë të tilla shpifje të ulëta. Ata e dinin shumë mirë sinqeritetin e Muhamedit (a.s.), të cilin e kishin emërtuar El Emîn – Besniku, që në kohën paraislamike. Pra, si është e mundur që ata bënin të tilla shpifje, që as vetë nuk i besonin?! A nuk kishin frikë nga kjo gënjeshtër e qartë?! Madje, një pretendim i tillë ishte, para së gjithash, një fyerje dhe gënjeshtër ndaj Allahut të Lartësuar. Ata pretendonin që Allahu i Lartësuar, edhe pse e dinte që - sipas tyre - ai njeri ishte një “mashtrues i madh”, që devijonte njerëzit nga rruga e vërtetë, e lejonte atë që të kishte sukses, madje e ndihmonte atë me mrekulli të shumta dhe të pakundërshtueshme, i jepte atij fitore pas fitoreje kundër armiqve të tij, derisa i dha pushtet të plotë mbi kundërshtarët e tij! I Pastër dhe i Lartësuar është Allahu nga të tilla shpifje të ulëta! Si mund të kishin të tilla mendime për të Gjithëpushtetshmin e të Gjithëmëshirshmin, kur Ai është i Plotfuqishëm për ta shuar një mashtrim të tillë që nga rrënjët dhe fillesat e tij?! Prandaj i Gjithëmëshirshmi e i Urti thotë më pas:
Po të donte, Allahu do ta vuloste zemrën tënde (O Muhammed). -
Kuptimi: Allahu i Lartësuar është i Plotfuqishëm që ta vulosë zemrën e Muhamedit (a.s.) dhe ta bëjë atë që të mos jetë në gjendje për asgjë, të mos mundet të bëjë asgjë të mirë. Pra, nëse Allahu i Lartësuar do të dëshironte, çështja e Muhamedit (a.s.) do të kishte marrë fund me kohë. Kjo është një dëshmi e padiskutueshme, që tregon se Muhamedi (a.s.) është i dërguari i vërtetë i Zotit dhe Shpallja që ai e solli ndër njerëz është Shpallje e Zotit të qiejve dhe të tokës.
Allahu e zhduk të pavërtetën dhe e forcon të vërtetën me Fjalët e Tij. -
Urtësia dhe mëshira e të Plotpushtetshmit nuk mund ta lejojë që e kota të triumfojë mbi të vërtetën. Përkundrazi, Ai e fshin dhe e zhduk të kotën, dhe ky është rregull i pandryshueshëm në gjithësi. Edhe pse në ndonjë periudhë, e kota mund të shfaqet dhe të mbizotërojë, përfundimi i saj i pakthyeshëm është shkatërrimi dhe zhdukja. Ndërsa e vërteta, që Zoti kërkon dhe dëshiron që të shfaqet dhe të triumfojë, do të lartësohet dhe triumfojë gjithmonë, sepse ky është një rregull në gjithësinë tonë, që Zoti i Madhëruar e ka krijuar dhe e sundon. Allahu i Lartësuar bën që, me urdhrat e Tij, e vërteta të triumfojë. Urdhrat apo vendimet e Zotit janë dy llojesh:
1. Vendime keunije (ligjet e ekzistencës së krijesave), të cilat nuk ndryshojnë dhe nuk mund t’i tjetërsojë dot askush. Kjo do të thotë që shfaqja e të vërtetës është një ligj i pakthyeshëm dhe i patjetërsueshëm i Sunduesit të gjithësisë.
2. Vendime sher’ijeh, të cilat janë ligjet që i Madhëruari ka caktuar për njerëzit, përmes librave të shenjtë që u shpalli profetëve. Nëpërmjet këtyre ligjeve, i Lartësuar argumenton të vërtetën dhe e bën atë të triumfojë mbi mashtrimin dhe të kotën. Nëpërmjet Shpalljeve të ndritura, Allahu ndriçon mendjet e të mençurve dhe të atyre që e duan të vërtetën dhe e kërkojnë atë me sinqeritet. Madje i Lartësuari, për ta bërë edhe më të qartë të vërtetën, i lejon të devijuarit që të ngrejnë dyshime rreth saj dhe të polemizojnë me të sinqertët. Por, nga ana tjetër, i Lartësuari dhe i Urti e ndihmon palën e Tij që ta shpalosë dhe mbrojë të vërtetën me argumente dhe fakte të qarta dhe të pakundërshtueshme. Në këtë mënyrë, e kota del zbuluar dhe kuptohet nga të gjithë që është e kotë, ndërsa e vërteta shfaqet si e tillë për të gjithë.
Ai e di shumë mirë çfarë përmbajnë zemrat. -
Allahu di në imtësi gjithçka që mbajnë zemrat, të mira apo të këqija qofshin ato. Ai di çfarë shfaqet jashtë dhe çfarë qëndron e fshehur në shpirt. Allahu e di atë që kërkon të vërtetën me sinqeritet, ashtu siç di edhe atë tjetrin që shtiret si i sinqertë, por në të vërtetë nuk është i tillë. Allahu i Madhëruar ia fal udhëzimin e drejtë atij që Ai dëshiron dhe e lë në humbje atë që Ai dëshiron, sipas dijes, urtësisë dhe mëshirës së Tij.