Kur erdhi Isai me shenja të qarta, tha:.. -
Isai (a.s) u solli atyre fakte, shenja e mrekulli të shumta, që tregonin për vërtetësinë e tij si profet i Zotit, si dhe për vërtetësinë e mesazhit që ai solli. Ndër mrekullitë e mëdha që ai solli ishin ringjallja e të vdekurit, shërimi i të verbërve të lindur, shërimi i lebrozëve etj. shenja të mëdha. Kur ai solli këto mrekulli, u tha bijve të Israilit:
“Erdha te ju me urtësinë e madhe dhe që t’ju sqaroj një pjesë të çështjeve, për të cilat keni mospajtime.” -
Urtësia (hikmeh) është profetësia dhe dituria e plotë dhe e saktë mbi çështjet. Allahu i Madhëruar ia dhuroi këtë urtësi, që t’u sqaronte atyre të vërtetën rreth çështjeve për të cilat ata kishin mospajtime. Isai (a.s.) ishte për t’i dhënë përgjigje çdo çështjeje të paqartë dhe për t’i udhëzuar njerëzit në të drejtën, duke i larguar kështu nga padrejtësitë dhe gabimet. Isai (a.s) erdhi si plotësues i Sheriatit të Musait (a.s) dhe i dispozitave të Teuratit. Ai ligjëroi gjithashtu disa lehtësime, të cilat duhet të sillnin mirënjohje ndaj Allahut, si edhe bindje e nënshtrim ndaj Tij.
“Kijeni frikë Allahun dhe bindmuni mua! Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj, prandaj vetëm Atë adhurojeni! Kjo është rruga e drejtë!” -
Adhurojeni Allahun si Një të vetëm dhe të pashoq, plotësoni urdhëresat e Tij, largojuni ndalesave të Tij, ruajini kufijtë e vendosura nga Ai. Më besoni mua dhe mesazhin që sjell nga Zoti dhe bindjuni porosive të mia. Ky është, së pari, një pohim i qartë i rububije-s së Allahut të Madhëruar, pra, pohim i faktit që Ai është Krijuesi, Furnizuesi, Kujdestari, Rregulluesi i çdo çështjeje të krijesave, i Përhershmi, Zotëruesi, Sunduesi. Ai ka kujdes të plotë për krijesat, duke u dhuruar mirësi të panumërta, të jashtme dhe të brendshme. Pas rububije-s së Allahut, ai pohon edhe meritën e Allahut për t’u adhuruar si Një i vetëm e i pashoq. Veç kësaj, ai deklaron se ishte thjesht një krijesë, një rob, një adhurues i Zotit, ashtu si çdo krijesë tjetër, ndryshe nga ajo që sot pretendojnë të krishterët, se ai është biri i Zotit ose pjesë e Trinisë. Isai (a.s) i deklaroi të gjitha këto, dhe në fund tha: “Kjo është rruga e drejtë”, rruga që të çon tek Allahu dhe që mundëson hyrjen në Xhenetin e Tij. Domethënë, njësimi i Zotit në çdo aspekt, pra, në rububije dhe uluhije, dhe nënshtrimi ndaj Tij, si një adhurues i sinqertë në zbatim të porosive dhe ligjit të Zotit, është rruga e shpëtimit, ashtu sikurse ka qenë gjithmonë. Ai që i zbaton të gjitha këto ka premtimin për Xhenet, ndërsa ai që i shpërfill ka për të humbur.