Atë Natë vendoset në mënyrë të prerë çdo çështje e urtë, Me urdhër nga ana Jonë. -
Gjatë Natës së Kadrit përcaktohet çdo çështje. Ky lloj përcaktimi që bëhet Natën e Kadrit është vetëm njëri ndër llojet e përcaktimeve që bëhen në kohë të ndryshme dhe të cilat janë të gjitha në përputhje me ato çfarë gjenden në Leuhi Mahfudh, ku Allahu i Madhëruar ka shkruar gjithçka rreth krijesave: kohën e jetës dhe vdekjes së tyre, furnizimin, punët që do të kryejnë, gjendjet nëpër të cilat do të kalojnë e çdo gjë tjetër. Një tjetër lloj përcaktimi është ai që bëhet kur njeriu është në barkun e nënës së vet. Në këtë moment, Zoti urdhëron melekët për të shkruar se çfarë do të ndodhë me robin në këtë dynja. Pasi del në këtë dynja, i Madhëruari ngarkon melekët besnikë, që të shkruajnë me saktësi çdo vepër të robit. Gjithashtu, në çdo Natë Kadri, i Madhëruari përcakton se çfarë do të ndodhë gjatë atij viti. Të gjitha këto lloje të përcaktimit nga Allahu i Madhëruar tregojnë për diturinë e Tij të plotë dhe absolute, për urtësinë e Tij gjithëpërfshirëse, për ruajtjen dhe përkujdesin që Ai tregon për krijesat e Tij. Të gjitha këto, përfshirë edhe përcaktimin vjetor që bëhet Natën e Kadrit, bëhet me urdhrin dhe urtësinë e Zotit, siç thotë Ai: “... me urdhër nga Vetë Ne”. Për qartësimin e porosive të Tij, Allahu i Madhëruar dërgoi profetë e shpalli libra të shenjtë.
Ne kemi dërguar gjithmonë profetë. Kjo është mëshirë nga Zoti yt. -
Dërgimi i profetëve me mrekullira dhe libra, më i miri i të cilëve është Kur'ani, është tregues i mëshirës së Allahut, Zotit të botëve, mbi robërit e Tij. Mëshira më e madhe që Zoti i botëve ka treguar me robërit e Tij është pikërisht sjellja e librave qiellorë dhe e profetëve. Çdo mirësi që njerëzit arrijnë në dynja dhe çdo mirësi që ka lidhje me ahiretin, e ka burimin te kjo mëshirë e dhuruar nga Zoti: nga librat dhe nga mësimet e profetëve.
Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri. -
Allahu i Madhëruar i dëgjon të gjitha zërat dhe i di të gjitha çështjet, të dukshmet e të padukshmet. Ai i di dhe i sheh të gjitha veprimet e njerëzve. Ai e di shumë mirë nevojën e domosdoshme që ata kanë për profetët dhe shpalljet e Tij. Allahu i Madhëruar i mëshiroi ata duke u dhënë udhëzimin e drejtë dhe profetët, të cilët ishin shembujt më të mirë të zbatimit të atij udhëzimi. Vetëm Allahut i takon mirënjohja dhe lavdia e plotë për këtë mirësi të madhe.