Dije se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Allahut! -
Për të ditur një çështje është e domosdoshme të njohësh plotësisht kuptimin e saj dhe ta pranosh atë me zemër. Kështu, kur urdhërohemi që të dimë diçka, kjo do të thotë që ta njohim mirë kuptimin e saj dhe ta pranojmë me zemër atë. Gjithashtu, që dija të quhet e plotë, duhet të punosh e të veprosh sipas asaj dijeje. Në ajet, dituria për të cilën Allahu i Madhëruar urdhëron që ta marrim dhe përvetësojmë është ajo për njëshmërinë e Tij. Kjo dituri është detyrim individual për çdo njeri, domethënë që askush nuk shpëton prej këtij detyrimi, kushdo qoftë ai. Të gjithë janë nevojtarë për këtë lloj njohurie. Rrugët e marrjes së diturisë mbi njëshmërinë e Allahut janë disa:
1. Me meditim. Kjo do të thotë të meditosh thellë rreth emrave, cilësive dhe veprave të Allahut të Madhëruar, të cilat janë tregueset më të mëdha dhe më të qarta për madhështinë, lartësinë dhe pushtetin e Tij absolut. Ato e nxisin dhe e edukojnë njeriun që të përpiqet maksimalisht për ta adhuruar Atë si të Një të vetëm. Njohja e thellë me emrat, cilësitë dhe veprat e përkryera, madhështore, të bukura dhe të urta të Allahut, bëjnë që ta duash Atë me gjithë shpirt, ta madhërosh dhe t’i nënshtrohesh, duke u distancuar nga çdo adhurim tjetër.
2. Siguria në faktin se Allahu është i vetmi Krijues, Furnizues dhe Administrues i çdo çështjeje në gjithësi. Ai kujdeset për krijesat e Tij në çdo çështje. Kush fiton siguri se Ai është i vetmi Krijues dhe Rregullues i çështjeve në dynja dhe ahiret, atëherë është i sigurt se po Ai duhet të jetë i vetmi të Cilit duhet t’ia kushtosh adhurimin.
3. Pranimi i faktit se Allahu i Madhëruar është burimi i vetëm i çdo mirësie të dynjasë dhe ahiretit, i mirësive të dukshme dhe ato të fshehta. Kjo bën që zemra të lidhet fort pas Tij, të mbushet me dashurinë për Të dhe të nënshtrohet për ta adhuruar vetëm Atë si Një, të Vetëm dhe të Pashoq.
4. Dëshmitë që shohim apo dëgjojmë rreth mirësive që kanë miqtë dhe të dashurit e Allahut, të cilët e kanë plotësuar me zemër njësimin e Zotit të Madhëruar. Zoti i ka begatuar ata me mirësi të shumta në dynja e ahiret dhe u ka dhuruar fitore kundër armiqve. Ndërsa idhujtarët dhe armiqtë e Zotit, të profetëve dhe të besimtarëve, nga ana tjetër, Ai i ndëshkon dhe poshtëron në dynja dhe ahiret. Këto dëshmi nga realiteti e përforcojnë diturinë se Ai është i vetmi që meriton adhurimin, me të gjitha llojet e tij.
5. Njohja e cilësive të idhujve dhe bindja se ata janë të mangët nga të gjitha këndvështrimet, të varfër dhe nevojtarë në veten e tyre. Ata nuk zotërojnë asnjë mundësi për të bërë dobi apo dëm, as për veten e as për adhuruesit e tyre. Ata nuk mund të dhurojnë jetë apo ta marrin atë dhe nuk mund të ringjallin krijesat pas vdekjes, për t’i marrë në përgjegjësi. Ata nuk mund të ndihmojnë asnjë apo t’u dhurojnë fitore adhuruesve të tyre. Ata nuk mund të japin asnjë grimë mirësie apo të largojnë një grimë vështirësie. Kjo njohuri e përforcon sigurinë se nuk ka zot tjetër që meriton adhurimin, lutjet, përkushtimin e nënshtrimin ndaj tij, veç Allahut të Vetëm dhe të Pakrahasueshëm
6. Të gjitha shpalljet hyjnore janë unanime dhe kategorike në lajmin se Allahu është i vetmi Zot që meriton adhurimin.
7. Njerëzit më të zgjedhur, më të ditur, më të mençur, më të përkryer dhe me dhuntitë më të shumta, kanë dëshmuar se Zoti është i Vetëm, Një, i Pashoq dhe i vetmi që meriton të adhurohet.
8. Shenjat e shumta që Zoti ka vendosur në natyrë dhe në vetet tona, të cilat tregojnë se Ai është Një, i Vetëm e i Pashoq si në krijimin, zotërimin dhe administrimin e çështjeve të krijesave, ashtu edhe në meritueshmërinë e adhurimit. Ato fakte dëshmojnë madhështinë, përpikmërinë dhe urtësinë e Krijuesit, që do të thotë se Allahu është i vetmi që meriton ta duash, ta madhërosh, t’i nënshtrohesh dhe të shpresosh tek Ai.
Këto janë disa nga mënyrat e përdorura më shpesh nga Allahu i Madhëruar, me të cilat Ai na mëson se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. Nëse do të meditonim me kujdes vetëm qoftë edhe në njërën prej tyre, do të arrinim siguri të plotë dhe të patundshme se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Allahut. Ndërsa po t’i arrish bashkë të gjitha këto mënyra të njohjes, pa dyshim që siguria e robit rreth kësaj çështjeje bëhet e palëkundshme, duke u ngulitur mirë në zemrën e tij. Atë nuk mund ta trondisin dyshimet dhe as supozimet e kota, por veçse ia shtojnë edhe më shumë bindjen dhe sigurinë. Po t’u shtojmë këtyre rrugëve një portë të madhe të njohurive e mirësive, Kur'anin madhështor, atëherë suksesi bëhet i padiskutueshëm. Meditimi në ajetet kuranore dhe në mesazhet tyre është një rrugë shumë e gjerë për marrjen e njohurisë së teuhidit. Në Kur'an jepen hollësi të kësaj njohurie, si dhe argumente e fakte që nuk mund të gjenden tjetërkund.[1]
Kërko falje për gjynahet e tua, për besimtarët e për besimtaret! -
Kuptimi: Kërkoji falje Allahut për gabimet e tua! Kërkimi i faljes bëhet duke zbatuar ato vepra që Zoti i ka bërë shkaqe për faljen e gjynaheve, si: pendimi i sinqertë, lutja e sinqertë për falje gjynahesh, veprat e fjalët e mira që fshijnë gjynahet, largimi nga gjynahet, falja e atyre që të bëjnë padrejtësi etj. Për shkak të imanit të tyre, besimtarët kanë të drejta dhe detyrime ndaj njëri-tjetrit. Ndër këto detyrime është që besimtari të lutet dhe të kërkojë falje për besimtarin dhe për gabimet e tij. Kërkimi i faljes sjell për të fshirjen e gjynaheve dhe largimin e ndëshkimit prej tij. Gjithashtu, një ndër detyrimet kundrejt muslimanit është që të duash për të atë që dëshiron për veten tënde dhe të urresh për të atë që e urren dhe nuk e dëshiron për veten tënde. Besimtari e urdhëron besimtarin për çdo gjë që mundëson mirësinë dhe lumturinë e tij, dhe e ndalon nga çdo gjë që është në dëm të tij. Gjithashtu, ai e fal dhe e toleron atë për gabimet dhe për ndonjë mangësi që ka. Muslimani përpiqet që të forcojë unitetin dhe të bashkojë zemrat e muslimanëve, të sheshojë mosmarrëve-shjet, të ulë gjakrat dhe të largojë urrejtjen mes tyre, dukuri këto që sjellin armiqësi dhe përçarje. Pa dyshim, armiqësitë mes muslimanëve bëjnë që gjynahet e tyre të shtohen dhe të zmadhohen.
Allahu i di mirë lëvizjet dhe vendqëndrimin tuaj. -
Allahu i Madhëruar di gjithçka për veprimet tuaja, për lëvizjet apo moslëvizjet, për vajtjet dhe ardhjet tuaja. Përveç kësaj, Ai do t’ju shpërblejë për punët tuaja të mira, madje duke ua shtuar ato, me bujarinë e Tij.
[1]
Kur'ani vjen me disa trajtesa dhe
funksione:
1. Ai vjen si lajm dhe prezantim me
emrat, cilësitë, veprat dhe fjalët e
Allahut, dhe ky është teuhidi në njohjen
dhe besimin rreth Allahut.
2. Ai vjen si ftesë për ta adhuruar Allahun
si Një, të Vetëm e të Pashoq dhe për t’u
larguar nga çdo gjë që adhurohet veç Tij.
Ky është teuhidi në meritën e adhurimit.
3. Ai vjen me urdhra dhe ndalesa prej
Zotit. Ky quhet plotësuesi i teuhidit.
4. Në Kuran mëson rreth shpërblimit dhe
bujarisë së madhe, me të cilën Zoti do të
nderojë ata që plotësojnë teuhidin. Ai na
përshkruan me imtësi se si do t’i trajtojë
Allahu i Lartësuar njësuesit në dynja dhe
çfarë ka përgatitur për ta në ahiret. Ky
është shpërblimi i teuhidit.
5. Kurani të mëson rreth idhujtarëve,
rreth mënyrës se si vepron Zoti me ta në
dynja dhe çfarë ndëshkimi i pret në
ahiret. Ky është shpërblimi i atyre që
largohen nga teuhidi.
Përfundimisht, i gjithë Kurani shërben
për qartësimin e teuhidit, të parimeve
kryesore dhe plotësuese të tij, të
shpërblimit të tij, si dhe për të treguar
ndëshkimin e atyre që i largohen teuhidit.