Kështu është më e sigurt që ata ta sjellin dëshminë e tyre saktësisht, ose të frikësohen se ndoshta dëshmitë e tyre do të hidhen poshtë nga dëshmi të tjera. -
Pra, bërja e dëshmisë me të tilla përbetime i jep asaj më tepër siguri e vërtetësi. Po ashtu, dëshmitarët duhet të druhen se, nëse gënjejnë, dëshmia e tyre nuk do të pranohet dhe do t’u kalojë të afërmve të të ndjerit.
Kijeni frikë Allahun dhe bëhuni të dëgjueshëm, sepse Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë një popull të prishur. -
Njerëz të prishur janë ata që shkelin kufijtë e Allahut të Madhëruar. Ata nuk e pranojnë udhëzimin e Tij dhe as nuk kanë qëllim që ta gjejnë rrugën e drejtë. Nga këto ajete kuptojmë se kur njeriu është në udhëtim dhe i afrohet vdekja, zakonisht nuk është e lehtë të gjejë dëshmitarë. Nëse mundet, ai duhet të zgjedhë dy dëshmitarë të drejtë muslimanë. Nëse nuk gjen, lejohet që të marrë si dëshmues dy jomuslimanë. Megjithatë, për shkak të statusit të tyre si jobesimtarë, u është dhënë e drejta të afërmve të të ndjerit që, nëse kanë dyshime në dëshminë e tyre, t’u kërkojnë që të betohen pas namazit të ikindisë se ata nuk gënjejnë, nuk kanë tradhtuar dhe nuk e kanë ndryshuar dëshminë. Kështu ata e kanë kryer detyrën e tyre. Nëse të afërmit e të ndjerit nuk e besojnë dëshminë e qafirëve dhe, duke u nisur nga prova dhe fakte, ata mendojnë se dëshmia e tyre është e gënjeshtërt apo e tjetërsuar, atëherë të afërmit nxjerrin dy dëshmitarë nga mesi i tyre. Ata duhet të betohen në Allahun e Madhëruar dhe të thonë se dëshmia e tyre është më e drejtë se dëshmia e dy të parëve, të cilët kanë gënjyer. Këto ajete kanë zbritur për ngjarjen e Temim el Darit dhe Adij Ibn Bedaes, kur Budejl ibnu Ebi Merjem (i cili ishte musliman) ua la testamentin atyre të dyve (Temimit dhe Adijit të cilët ishin të krishterë). Kjo është një histori tepër e njohur.[1] Megjithatë, Allahu është më i ditur për gjithçka. Këto ajete janë prova mbështetëse të shumë çështjeve. Kështu, prej tyre mësohet se lënia e testamentit është e lejuar ligjërisht, madje e detyrueshme për atë njeri që po i afrohet vdekja. Testamenti pranohet nëse thuhet nga dikush të cilit i është afruar vdekja, duke parë shenjat e saj, dhe nëse akoma e ka mendjen në rregull. Por për të pranuar vërtetësinë e testamentit, është e detyrueshme që të jenë dy dëshmitarë të drejtë muslimanë. Dëshmia e dy jomuslimanëve pranohet veçse në rastet e domosdoshme, sipas medhhebit të Imam Ahmedit. Disa dijetarë të tjerë pretendojnë se ky gjykim i fundit është i shfuqizuar, por ai është një mendim i pabazë dhe pa argument. Nëse e sheh me kujdes ajetin, kupton se dëshmia e dy qafirëve në raste domosdoshmërie është e pranueshme edhe në raste të tjera, përveç dëshmisë për testamentin. I këtij mendimi ka qenë edhe shejhul Islam Ibn Tejmije. Nga ajetet mësohet gjithashtu, se:
1. Lejohet udhëtimi i muslimanit së bashku me një jomusliman, nëse nuk ka pengesa.
2. Udhëtimi për tregti është i lejuar.
3. Nëse thjesht dyshohet në dëshminë e dëshmitarëve, pa patur ndonjë shenjë apo provë për këtë, u lejohet të afërmve të të ndjerit që t’i ndalojnë dy dëshmitarët pas namazit të ikindisë dhe t’u kërkojnë atyre të betohen sipas formulës së sjellë nga Allahu i Madhëruar: “Ne nuk do ta shesim betimin në Allahun për asnjë çmim, edhe sikur të jetë fjala për çfarëdo të afërmi, dhe dëshminë që na urdhëron Allahu nuk do ta fshehim kurrë, sepse atëherë do të ishim gjynahqarë.”
4. Nëse për dëshmitarët nuk ekziston ndonjë dyshim dhe nuk ka fakte që tregojnë padrejtësi nga ana e tyre, nuk është e nevojshme që ata të mbahen për t’u betuar.
5. Ajeti tregon për rëndësinë e madhe të dëshmisë dhe të përforcimit të saj me betimin në Allah. Për këtë arsye, është detyrë që dëshmia të bëhet me drejtësi dhe vërtetësi.
6. Lejohet verifikimi i pohimeve të dëshmitarëve duke i ndarë ata dhe duke ua marrë dëshminë secilit më vete.
7. Nëse nëpërmjet faktesh vërtetohet se dy dëshmitarët kanë gënjyer, atëherë u lejohet të afërmve të të ndjerit që të betohen se betimi i tyre është më i vërtetë dhe parësor për t’u pranuar se dëshmia e dy të tjerëve, të cilët kanë gënjyer dhe e kanë ndryshuar të vërtetën. Kjo do të thotë që faktet dhe provat, së bashku me dëshminë e tyre, konsiderohen si argumente të pranueshme.
[1] Shkakun e shpalljes së ajeteve të lartpërmendura e sjell Ebu Daudi dhe Tirmidhiu, nga Ibnu Abasi, i cili rrëfen: Doli një burrë nga fisi Beni Sehm në udhëtim së bashku me Temim Dariun dhe Adijj ibni Bidain. Muslimani nga fisi Beni Sehm vdiq në një vend ku nuk kishte muslimanë. Kur dy bashkudhëtarët e tij, të cilët ishin jomuslimanë, sollën trashgiminë e tij, kishin humbur një kupë argjendi të punuar me vija ari. Për këtë shkak Profeti a.s. i vuri të bënin be. Më pas kupa u gjet në Mekë. Njerëzit, tek të cilët u gjet kupa, thanë: Ua blemë Temimit dhe Adijit. Atëherë, u ngritën dy burra nga trashgimtarët e Sehmiut (të vdekurit nga fisi Sehm) dhe bënë be duke thënë: “Dëshmia jonë është e drejtë dhe jo dëshmia e tyre. Kupa është pronë e trashëgimlënësit tonë”.