Të pyesin ty (Muhamed), çfarë është e lejuar për ta (si ushqim)? -
Domethënë, çfarë lloje ushqimesh u janë lejuar.
Thuaju: “Ju janë lejuar të gjitha ushqimet e mira... -
Ushqime “të mira” janë të gjitha ato ushqime të shijshme, të këndshme, të dobishme dhe jo të dëmshme për trupin dhe mendjen e njeriut. Këtu hyjnë të gjitha llojet e farërave, frutave, perimeve dhe të gjitha bimët që kultivohen nëpër toka e male. Bëjnë pjesë, gjithashtu, të gjitha llojet e kafshëve të detit, të tokës dhe të qiellit, përveç atyre që ka përjashtuar Sheriati, përveç egërsirave mishngrënëse apo kafshëve të dëmshme. Ajeti, me aspektin e nënkuptuar të tij, na tregon se ushqimet e dëmshme dhe të këqija janë të ndaluara. Megjithatë, në një ajet tjetër kur’ânor, kjo shprehet qartë: “…Ai tha: “Me ndëshkimin Tim godas atë që Unë dëshiroj, ndërsa mëshira Ime ka përfshirë gjithçka. Atë (mëshirë) e kam caktuar për ata që janë të devotshëm, e japin zekatin dhe për ata që besojnë në argumentet Tona, për ata që pranojnë të Dërguarin, Profetin arab, të cilin e gjejnë të cilësuar në Teurat dhe në Ungjill, që i urdhëron ata për të mirë dhe i ndalon nga e keqja, që u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet, që u heq barrën e rëndë dhe prangat. Ata që besojnë në të, që e nderojnë atë, që e ndihmojnë atë dhe që veprojnë me Dritën që iu zbrit atij - këta janë ata të shpëtuarit.” [El ea’raf 157.]
…dhe gjahu i shtazëve të ushtruara gjahtare, të cilat ju i keni mësuar ashtu siç ju ka mësuar Allahu ju. Hani, pra, atë që ato e gjahtojnë për juve dhe përmendeni emrin e Allahut! -
Ky ajet mëson për disa çështje:
1. Për butësinë dhe mëshirën e Allahut për adhuruesit e Tij, duke ua lehtësuar dhe zgjeruar mundësitë dhe rrugët për të gjetur hallallin. Kështu ai ua bëri të lejuar edhe ato kafshë që nuk janë therur me mënyrën e përcaktuar nga Sheriati, por që janë kapur nga shtazët e gjahut, si: qentë, leopardët, skifterët etj., që e mbërthejnë prenë me dhëmbët shqyes ose me kthetrat e tyre.
2. Është kusht që shtaza gjahtare të jetë e mësuar dhe e stërvitur mjaftueshëm, aq sa nga njerëzit të konsiderohet “e mësuar”, për shembull, nëse qortohet, ajo tërhiqet, dhe nëse kap gjahun, nuk e ha atë, por ia sjell zotërisë së saj. Prandaj i Madhëruari thotë: “…dhe gjahu i shtazëve të ushtruara gjahtare, të cilat ju i keni mësuar ashtu siç ju ka mësuar Allahu ju.”
3. Gjithashtu, kur na lejon që të hamë prej këtij gjahu, i Madhëruari sqaron më shumë, duke thënë: “…Hani, pra, atë që ato e gjahtojnë për ju…!” Domethënë, që e kapin për t’jua sjellë juve, e jo për ta ngrënë vetë. Kështu, nëse kafsha gjahtare ha prej gjahut, atëherë kjo është shenjë se ajo e ka kapur për vete, prandaj mishi i këtij gjahu nuk është i lejuar të hahet.
4. Është kusht që zagari apo skifteri ta shqyejë dhe t’i nxjerrë gjak kafshës së gjuajtur, nëse jemi të mendimit se emërtimi i këtyre kafshëve gjahtare: “el xheuâriĥi mukel-libin”, ka kuptimin: “shtazët shqyese të gjahut”. Pra, nëse kafsha gjahtare e mbyt prenë e saj, atëherë ky gjah futet në kategorinë e të ndaluarave që Zoti i përshkruan si “el munħaniķatu” - “të mbyturat me lak në fyt”, pra, që kanë ngordhur për shkak të mbytjes dhe shtrëngimit me litar, apo për shkak të ngecjes së kokës në ndonjë vrimë të ngushtë e raste të ngjashme. Megjithatë, mendimi më i njohur dhe më i përhapur është që emërtimi “el xheuâriĥi mukel-libin”, ka kuptimin: “shtazët kapëse të gjahut”. Pra, ato thjesht duhet ta kapin gjahun, dhe është gjahtari që nxjerr gjakun prej tyre nëpërmjet therjes apo armës së gjahut. Kësisoj, nuk mund të themi se ajeti e vë atë kusht. Allahu është më i ditur.
5. Lejohet mbajtja dhe përdorimi i qenit për gjueti, pasi nëse lejohet stërvitja dhe gjahu i tij, atëherë mbajtja dhe përdorimi i tij duhet të jetë gjithashtu e lejueshme.
6. Pjesa e mishit të gjahut ku e ka kapur shtaza gjahtare është e pastër, sepse Allahu i Madhëruar e ka konsideruar atë hallall, pa thënë ndonjë gjë për larjen apo pastrimin e saj.
7. Angazhimi me stërvitjen e qenve, skifterëve dhe kafshëve të tjera të gjahut nuk konsiderohet si i qortueshëm apo si kotje me gjëra të parëndësishme. Ai është i domosdoshëm, për të bërë që gjahu nëpërmjet të tilla kafshëve të jetë i lejuar.
8. Lejohet shitblerja e qenve të gjuetisë, sepse pasja e një qeni të tillë mund të arrihet ndoshta veçse duke e blerë.
9. Është kusht thënia “Bismil-lâh” para gjuajtjes dhe lëshimit të kafshës gjahtare. Nëse kjo nuk thuhet me qëllim, atëherë gjahu i kapur është haram.
10. Lejohet preja e kapur nga shtaza gjahtare, pavarësisht në është ajo që e vret dhe i nxjerr gjakun e saj apo jo. Nëse zotëria e arrin prenë ende të gjallë, le ta therë atë sipas mënyrës së përcaktuar nga Sheriati.
Në vijim, Allahu i Madhëruar na nxit për të qenë të devotshëm ndaj Tij, duke zbatuar porositë e Tij dhe duke qëndruar brenda kufijve të Tij. Për ta bërë këtë më të thjeshtë, Ai na kujton Ditën e Llogarisë para Tij. Dita e Kijametit është e afërt dhe e pakthyeshme, prandaj:
Frikësojuni Allahut! Me të vërtetë, Allahu është i shpejtë në llogari.