Ata nuk e ndalonin njëri-tjetrin nga të këqijat që bënin. Sa e shëmtuar ishte sjellja e tyre! -
Ata nuk kryenin detyrimet e Zotit, por bënin harame dhe nuk e ndalonin njëri-tjetrin nga ato. Në këtë mënyrë, të gjithë ngarkoheshin me gjynahe: edhe vepruesit, edhe vëzhguesit, që nuk këshillonin, edhe pse e kishin mundësinë ta bënin. Kjo tregon për nënvlerësimin dhe shpërfilljen e madhe që u bënin ata çështjeve të besimit dhe të fesë së Zotit. Mosbindja ndaj Zotit shihej nga ata si diçka e vogël, që nuk meritonte shqetësim. Nëse në zemrat e tyre do të kishte respekt për të Madhëruarin, ata do të ndjenin sadopak keqardhje për shkeljen e kufijve të Tij, do të shqetësoheshin për zemërimin e Allahut. Heshtja dhe moskëshillimi, edhe kur është mundësia për ta kryer një gjë të tillë, është një vepër që meriton ndëshkim, sepse ajo sjell shumë e shumë të këqija. Heshtja ndaj veprave të ndaluara është gjynah dhe mosbindje ndaj Zotit, edhe nëse vetë nuk e kryen poshtërsinë që e sheh dhe e dëshmon. Ashtu sikurse është detyrë largimi nga haramet, edhe ndalimi i atyre që i kryejnë ato është detyrë. Heshtja shpreh mosinteresim dhe nënvleftësim të mosbindjes ndaj Allahut. Ajo tregon se ti nuk e sheh atë si problem dhe fatkeqësi të madhe. Po ashtu, moskëshillimi u jep kurajo dhe justifikim gjynahqarëve që t’i shtojnë veprat e këqija, sepse askush nuk i qorton dhe nuk ua tërheq vërejtjen atyre. Në këtë mënyrë, pra, përhapet më tepër e keqja, ndërsa fatkeqësitë e dynjasë dhe të fesë rëndohen. Njëkohësisht, kështu shtohen e fuqizohen edhe gjynahqarët, dhe me fuqizimin e tyre, dobësohen besimtarët, aq sa të mos përballen me të keqen dhe ithtarët e saj. Nëse do të veprojnë që në fillim, do të jetë më e thjeshtë dhe rezultative. Nga braktisja e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja humbet dituria dhe përhapet injoranca. Nëse gjynahet veprohen lart e poshtë dhe askush prej të diturve nuk këshillon dhe as i ndalon, njerëzit do të fillojnë të mendojnë se këto gjynahe nuk janë më të ndaluara. Madje, ndonjë injorant mund ta paraqesë një haram, që është totalisht në kundërshtim me rrugën e Zotit e të Profetit a.s, si vepër të mirë apo si një adhurim. E ku ka poshtërsi më të madhe sesa të konsiderosh një haram, të cilin Zoti e ka ndaluar, si diçka të lejuar apo të pëlqyeshme dhe të mirë?! Kështu, realiteti tjetërsohet në zemrat e njerëzve, aq sa e vërteta shihet si e kotë dhe anasjelltas. Indiferenca ndaj gjynaheve bën që ato të zbukurohen në zemrat dhe mendjet e shumë njerëzve dhe, si rrjedhojë, të përhapen me shpejtësi, pasi njeriu e ka në natyrën e tij që të imitojë dhe të marrë shembull pjesëtarët e ngjashëm të shoqërisë ku jeton. Pikërisht për shkak të këtyre pasojave e shumë e shumë të tjerave, Allahu i Madhëruar e veçoi këtë lloj gabimi, duke e përmendur dhe duke i mallkuar ata që e kryen dhe u familjarizuan me të.