Betohem për Shtëpinë plot vizitorë! - Këtu bëhet fjalë për Shtëpinë e Shenjtë që gjendet sipër qiellit të shtatë. Ajo gjithmonë është e mbushur me melekë të nderuar. Çdo ditë në këtë shtëpi hyjnë shtatëdhjetë mijë melekë, të cilët adhurojnë Zotin e tyre dhe të cilëve nuk u bie më radha të kthehen në të, deri në Ditën e Gjykimit. Por në ajet mund të bëhet fjalë edhe për Shtëpinë e Zotit në tokë, Qaben, e cila është e mbushur përplot me adhurues të Zotit, që bëjnë tavaf, falen e kujtojnë Zotin në çdo kohë, duke kryer haxhin dhe umren. Po kështu është betuar Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër, duke thënë: “Betohem për fikun dhe ullirin. Dhe për Turi Sinain dhe për këtë Qytet të sigurt (Meken).” [Tin 1-3]. E meriton kjo faltore madhështore që Zoti të betohet në të. Ajo është destinacioni i haxhit, që është një nga shtyllat e Islamit. Ajo është faltorja e ndërtuar nga Ibrahimi dhe Ismaili, që Zoti e ka bërë vend qetësie dhe sigurie.