Vallë, ju po e kundërshtoni për atë që ka parë! Në të vërtetë, ai e ka parë atë edhe një herë tjetër, te Sidretul Munteha, pranë së cilës është Xheneti Me’ua... -
Muhamedi (a.s.) e ka parë Xhibrilin (a.s.) edhe një herë tjetër, te Sidretul Munteha, e cila është një pemë shumë e madhe sipër qiellit të shtatë. Ajo quhet “Sidretul Munteha” - “Sidra e Skajshme”, sepse deri tek ajo shkojnë njohuritë e krijesave, pasi ajo është sipër qiejve dhe Tokës, ose edhe për shkaqe të tjera, që Allahu i di më së miri. Kështu, Muhamedi (a.s.) e pa Xhibrilin (a.s.) pikërisht në atë vend, i cili është vendi i shpirtrave të pastër, të bukur dhe të lartë, vend të cilit nuk mund t’i afrohen shejtanët dhe shpirtrat e ulët dhe të pisët. Pikërisht pranë asaj peme ndodhet “Xheneti Me’ua”, domethënë, Xheneti që përmban të gjitha llojet e mirësive dhe begative, Xheneti të cilin e ëndërrojnë të gjithë për ta arritur, Xheneti për të cilin të gjithë janë të përmalluar. Ky ajet dëshmon se Xheneti gjendet në vendin më të lartë, sipër qiellit të shtatë.