U afrua Ora dhe Hëna u ça. -
Allahu i Lartësuar na tregon se ora e Kijametit është afruar. Megjithatë, ata që mohojnë Zotin dhe rrefuzojnë ti binden Atij vazhdojnë të mos e besojnë dhe nuk përgatiten për të. Allahu i Lartësuar vazhdimisht u sjell njerëzve shenja dhe argumente të mëdha, të cilat tregojnë se Kijameti ka për të ndodhur dhe dalja para Allahut është e pashmangshme. Argumentet e Tij janë shumë të qarta dhe të besueshme. Ndër mrekullitë më të mëdha që tregojnë për vërtetësinë e mesazhit që solli Muhamedi (a.s.), Profeti i fundit i Zotit, është edhe kjo ngjarje, e cila ndodhi në kohën e tij. Kur jobesimtarët i kërkuan atij një shenjë, pra, një mrekulli e diçka të jashtëzakonshme, nëpërmjet së cilës të tregonte se ai vërtet ishte profet i Zotit, Profeti (a.s.) tregoi me gisht në drejtim të Hënës dhe, me lejen e Allahut të Lartësuar, ajo u nda në dy pjesë. Njëra pjesë qëndronte mbi malin Ebi Kubejs dhe pjesa tjetër qëndronte mbi malin Kuajka’an. Ndërkohë, idhujtarët dhe jobesimtarët e tjerë e panë me sytë e tyre këtë mrekulli të madhe, që po ndodhte në botën qiellore. Kjo ishte jashtë mundësive njerëzore për ta realizuar apo për ta bërë të duket sikur është e vërtetë. Kjo mrekulli ishte e paparë dhe e padëgjuar më parë. Asnjë profeti të mëparshëm Zoti nuk i kishte dhënë një mrekulli të tillë, që realizohej në qiell, prandaj ata u çuditën me të. Megjithatë, në zemrat e tyre nuk hyri besimi dhe Zoti nuk deshi për ta udhëzimin. Ata menjëherë shpifën duke thënë: “Muhamedi na bëri magji”. Por atyre iu dha mundësia të pyesnin edhe njerëzit e tjerë, që vinin prej së largu. Nëse Profeti (a.s.) do mund të magjepste ata që ishin afër dhe sytë e tyre, ai nuk do të mund ta bënte kurrë një gjë të tillë me ata që nuk ishin të pranishëm. Dhe, vërtet, kur u pyetën udhëtarët, ata treguan për ngjarjen e madhe që kishin parë. Gjithsesi, zgjidhja që ata gjetën për situatën ishte të thoshin: “sihrun mustemir” – “magji e vazhdueshme”, domethënë, magji që prekte edhe të tjerët që vinin më pas. Por kjo qe një shpifje, që mund të pranohej vetëm nga krijesat më mendjelehta, të cilat janë shumë larg udhëzimit dhe logjikës së shëndoshë. Jobesimtarët nuk mohuan vetëm këtë mrekulli të paraqitur nga Profeti (a.s.), por çdo shenjë tjetër, sado e madhe që të ishte, ata e mohonin dhe konsideronin gënjeshtër, magji ose i vinin emërtime të tjera të kota, mjaft që të dukej e papranueshme, siç thotë i Lartësuari: