Ata thonë: “Kur të kthehemi në Medine, paria do t’i dëbojë prej saj të përçmuarit.” -
Kjo ndodhi në betejën e Murejsit,[1] gjatë së cilës pati një grindje mes ensarëve dhe muhaxhirëve për një çështje të caktuar. Në këtë situatë u shfaq hipokrizia e munafikëve. I pari i tyre, Abdullah Ibn Ubej Ibn Seluli, duke nënkuptuar muhaxhirët, tha: “Puna jonë me këta është ai që tha: “Jepi bukë qenit tënd, që të të kafshojë!”. Pastaj tha: “Kur të kthehemi në Medinë, krenarët do t’i dëbojnë prej saj të përçmuarit.” Kështu, sipas tij, ai dhe vëllezërit e tij munafikë na ishin krenarët e fisnikët, ndërsa Profeti i Allahut dhe shokët e tij ishin të poshtëruarit, ndërkohë që e vërteta ishte krejtësisht e kundërta, siç thotë i Lartësuari:
Në fakt, e tërë krenaria u takon Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por munafikët nuk e dinë këtë. -
Këta janë krenarët e vërtetë, ndërsa munafikët dhe vëllezërit e tyre idhujtarë janë të përçmuarit. Munafikët nuk e dinë dhe nuk e kuptojnë një fakt të tillë, prandaj dhe pandehin se janë krenarët. Pastaj Allahu i Lartësuar thotë:
[1]
Kjo ndodhi në muajin shaban të vitit 5.
Shkak i saj u bë një informacion tjetër që i
mbërriti Profetit (a.s.), se Harith Ibn Ebu
Dirari, prijësi i fisit Benu Mustalik, kishte
filluar te fisi i tij dhe tek arabët e tjerë,
një fushatë organizimi për të mbledhur
një ushtri dhe për të sulmuar Profetin
(a.s.) Profeti (a.s.), për të verifikuar këtë
lajm, dërgoi Burejde Ibn Kusaj el Selemin.
Ky shkoi atje dhe takoi vetë Harith Ibn
Ebu Dirarin, prej të cilit verifikoi lajmin e
përgatitjeve për luftë. Fill pas lajmit,
Profeti (a.s.) organizoi dhe nxiti
besimtarët për luftë, të cilët menjëherë
iu përgjigjën ftesës. Bashkë me të, dolën
për luftë edhe një grup munafikësh, të
cilët nuk kishin luftuar kurrë më parë me
Profetin (a.s.). Profeti (a.s.) la si
mëkëmbës të tij në Medinë, Zejd Ibn
Harithe, por thuhet edhe se ka lënë Ebu
Dherrin, apo dhe Numejle Ibn Abdullah el
Lejthin. Marshimi filloi natën e së hënës,
dy net pasi kishte hyrë muaji shaban.
Harith Ibn Ebu Dirari dhe pasuesit e tij,
kur u njoftuan rreth sulmit që Profeti
(a.s.) kish planifikuar kundër tyre, dhe kur
morën vesh se muslimanët e kishin kapur
spiunin e dërguar prej tij dhe e kishin
vrarë, u tmerruan. Ky informacion frikësoi
edhe ato pak fise arabe që i ishin
bashkëngjitur ushtrisë së tij deri në ato
momente, duke i detyruar të
shpërndahen dhe të largohen prej tij.
Profeti (a.s.) mbërriti në Murejs, që ishte
vendi i puseve të tyre, dhe e ngriti çadrën
e tij pikërisht në atë vend. Së bashku me
Profetin (a.s.), në këtë luftë ishin Aisheja
(r.a.) dhe Ummu Selemeja (r.a.). Këtu
filloi përgatitja për luftë. Vetë Profeti
(a.s.) i renditi në rreshta shokët e tij.
Flamurin e muhaxhirëve e mbante Ebu
Bekër el Sidiku, ndërsa flamurin e
ensarëve e mbante Sad Ibn Ubade... Duke
u kthyer nga kjo luftë, kreu i munafikëve,
Ibn Ubeji, tha: “Kur të kthehemi në
Medinë, fisnikët dhe të lartit e Medinës
do t’i flakin jashtë të ultit dhe të
shpërfillurit (nënkuptonte Profetin
(a.s.)).” Zejd Ibn Erkami, që i dëgjoi këto
fjalë, shkoi dhe i tha Profetit (a.s.), por
menjëherë Ibn Ubeji shkon te Profeti
(a.s.) dhe i betohet se nuk e kishte thënë
kurrë diçka të tillë. Profeti (a.s.) heshti.
Pas kësaj, Allahu i Lartësuar shpalli suren
Munafikun, ku mbështeste dhe
vërtetonte fjalën e Zejdit. Profeti (a.s.) e
kapi Zejdin për veshi dhe i tha: “Gëzohu
Zejd, se Allahu i Lartësuar e vërtetoi
fjalën tënde!” Pastaj tha për Zejdin: “Ky e
kreu detyrën ndaj Allahut me veshët e
vet.” Në këtë çast, Omeri i tha Profetit
(a.s.): “O i Dërguar i Allahut! Urdhëro
Abad Ibn Bishrin që t’ia heqë kokën atij
(Ibn Ubejit)!” Profeti (a.s.) ia ktheu: “E si
do të vejë puna, kur njerëzit të flasin dhe
të thonë se Muhamedi po vret shokët e
vet?!” [Shih “Zadul Mead”, vëll. 3, fq.
123].