Kjo, për shkak se, kur u shkonin atyre të dërguarit me argumente të qarta, ata thoshin: “Vallë, njerëzit do të na e tregojnë ne udhën?” -
Ata morën ndëshkimin i merituar, sepse kur profetët e Zotit dërgoheshin tek ata me argumente të qarta, që bënin të dallueshme të vërtetën nga e kota, ata shprehnin neveri e arrogancë ndaj profetëve dhe mesazhit që ata përcillnin. Ata thoshin: “Vallë, njerëzit do të na e tregojnë ne udhën? Përse duhet t’ju ndjekim ju, ndërkohë që ju jeni njerëz, sikurse dhe ne? Çfarë të veçante keni ju, që jeni më të mirë se ne?” Në një ajet tjetër thuhet: “Të dërguarit u thanë: “Ne jemi veçse njerëz, sikurse edhe ju, por Allahu ia dhuron mirësinë kujt të dojë nga robërit e Vet. Nuk na takon ne t’ju sjellim ndonjë argument, përveçse me dëshirën e Allahut. Vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët.”.”. [Ibrahim 11]. Ata nuk pranuan ta merrnin në konsideratë mirësinë që Zoti u dhuroi profetëve të Tij, duke i bërë edukatorët dhe udhëzuesit e krijesave. Në vend që të tregoheshin mirënjohës, ata u treguan kryeneçë dhe refuzuan të bindeshin e të jetonin sipas porosive hyjnore. Si pasojë, ata u sprovuan dhe u dënuan, duke u bërë adhurues të gurëve, të pemëve apo të çdo gjëje tjetër veç Allahut. Më tej, Allahu i Lartësuar thotë:
Kështu, ata nuk besuan dhe kthyen shpinën. -
Ata e mohuan Allahun e Lartësuar dhe refuzuan t’i bindeshin Atij. Por harruan të mjerët se, në këtë mënyrë, dëmtuan vetveten dhe se Allahu nuk ka nevojë për adhurimin e krijesave. I Lartësuari thotë:
Por Allahu nuk ka nevojë për ta, se Allahu është i Pasur e i Lavdëruar. -
Atë nuk e dëmton aspak mosadhurimi nga ana e krijesave dhe futja e tyre në humbje, sepse Ai është Ganijun - i Pasur dhe Hamid - i Lavdëruar vetvetiu. Allahu është i Pasuri, të Cilit i takon pasuria e plotë dhe absolute në të gjitha drejtimet. Allahut i takon, gjithashtu, lavdërimi i plotë për fjalët, veprat dhe të gjitha atributet e Tij.