Ja. A nuk janë këta njerëzit për të cilët ju betoheshit se mëshira e Allahut nuk kishte për t’i përfshirë kurrë?”. – Vallë, këta të cilët Zoti i futi në Xhenet dhe tashmë po lumturohen dhe kënaqen, janë ata për të cilët ju betoheshit se Zoti kurrë nuk kishte për t’i mëshiruar?! Ju i përçmonit ata, i fyenit dhe i keqtrajtonit, të fryrë dhe të magjepsur nga mendjemadhësia dhe vetëpëlqimi. Por sot dolën bosh betimet tuaja dhe ju po përballeni me diçka që kurrë nuk e patët llogaritur. Sot, atyre "të dobtëve" dhe të "parëndësishmëve" u thuhet:
Hyni në Xhenet, se për ju nuk do të ketë as frikë e as brenga! - Hyni në Xhenet, për të marrë shpërblimin e veprave tuaja! Tani, nuk keni për të patur më frikë për të ardhmen dhe nuk do të keni asnjë brengë për të shkuarën në dynja. Ju do të jeni absolutisht të sigurt, të qetë dhe të lumtur me çdo mirësi që do të keni në përjetësi. Këto ajete ngjajnë me disa ajete të tjera kuranore, ku Allahu i Madhëruar thotë: "Vërtet, keqbërësit talleshin me besimtarët, dhe kur kalonin pranë tyre, ata ia bënin me sy njëri-tjetrit. Kur ktheheshin në familjet e veta, ata ishin të kënaqur. Kur i shihnin, thoshin: “Me të vërtetë, këta janë të humbur!” Por Ne nuk i caktuam ata si roje të tyre. Por sot, janë besimtarët që do të tallen me jobesimtarët. Duke qëndruar mbështetur në kolltukë, ata do të vështrojnë. A u shpërblyen plotësisht jobesimtarët për atë që kanë bërë?" [Mutafifin 29 - 36]. Dijetarët e tefsirit kanë dhënë shpjegime të ndryshme për sa i përket përcaktimit se cilët do të jenë banorë të Ea'rafit dhe çfarë karakteristikash kanë veprat e tyre. Mendimi më i saktë për këtë çështje është se ata janë njerëz që i kanë të barabarta punët e mira me të këqijat. Peshorja e tyre nuk anon as nga veprat e këqija, që të hyjnë në Zjarr, dhe as nga veprat e mira, që të hyjnë në Xhenet. Për këtë arsye, ata do të qëndrojnë mbi Ea’raf aq sa të dëshirojë Allahu i Lartësuar, i Cili, me mëshirën e Tij, do t’i fusë më pas në Xhenet, sepse mëshira e Allahut e tejkalon zemërimin e Tij dhe mëshira e Tij përfshin gjithçka.