Ta dini se nga e tërë plaçka e luftës që mund të fitoni, një e pesta u takon Allahut, të Dërguarit e farefisit të afërm të tij, jetimëve, të varfërve dhe udhëtarëve,... -
‘El ganime’ quhet pasuria e marrë nga mohuesit, me një luftë të drejtë të zhvilluar nga muslimanët kundër tyre. Në këto ajete, Allahu i Lartësuar na mëson se, nga kjo pasuri e fituar në luftë, një e pesta i takon Allahut, ndërsa pjesa tjetër u takon luftëtarëve fitimtarë, sepse Allahu i Madhëruar ua atribuon pikërisht atyre, kur thotë: “... çfarëdo plaçkë lufte që fitoni”. Plaçka e luftës duhet të shpërndahet mes luftëtarëve, ashtu sikurse e ka ndarë Profeti a.s.[1] Atëherë, për këmbësorin jepej një pjesë, ndërsa për kalorësin jepeshin dy pjesë: një për të e një për kalin e tij. Kështu shpërndahej pjesa e luftëtarëve (4/5). Ndërsa 1/5 ndahet në pesë pjesë të tjera:
1. Një pjesë veçohet për Allahun dhe Profetin e Tij. Kjo nënkupton bamirësi të përgjithshme për muslimanët, pa ndonjë përcaktim të veçantë. Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk kanë nevojë për pasuritë e njerëzve, prandaj shprehja “për Allahun dhe Profetin e Tij” nënkupton bamirësinë e përgjithshme për robërit e Zotit.
2. Pjesa e dytë veçohet për farefisin e Profetit a.s, që nënkupton familjet Benu Hashim dhe Benu Mutalib. Allahu i Lartësuar nuk ka përcaktuar ndonjë kategori të veçantë mes këtyre familjeve, si të varfërit apo nevojtarët, dhe as nuk ka përjashtuar të pasurit. Kjo do të thotë se përfitues ishin të gjithë pjesëtarët e këtyre familjeve, të pasurit e të varfërit, meshkujt dhe femrat.
3. Pjesa e tretë u takon jetimëve. Statusin e jetimit e gëzon çdo minoren që ka humbur babain. Allahu i Lartësuar ka caktuar një pjesë për ta, si mëshirë ndaj tyre, sepse jetimët e vegjël nuk kanë mundësi të përmbushin nevojat dhe kërkesat e tyre, pasi kanë humbur njeriun që përpiqet dhe punon për ta.
4. Një pjesë shkon për nevojtarët dhe të varfërit, të vegjël e të mëdhenj, meshkuj e femra.
5. Hisja e pestë shkon për të ndihmuar ata që kanë mbetur në mes të rrugës, pa mbështetje dhe pa asnjë mundësi për t’u kthyer në vendin e tyre.
Disa mufesirë thonë se 1/5 që i takon Allahut dhe Profetit të Tij, nuk lejohet të shpenzohet jashtë këtyre pesë kategorive. Ata thonë, gjithashtu, që nuk është e detyrueshme që këto pjesë të jenë të barabarta, por secila përcaktohet në varësi të dobisë dhe nevojës. Në fakt, ky shpjegim është më i pranueshëm se të tjerët. Më pas, Allahu i Lartësuar e përcakton si kusht të imanit ndarjen e një të pestës së plaçkës së luftës me korrektësi, sipas mënyrës që ka caktuar Ai:
...nëse besoni në Allahun dhe në atë që Ne ia kemi shpallur robit Tonë Ditën e Ndasisë (mes besimit dhe mosbesimit),... -
Dita e Fitores është dita e Betejës së Bedrit, kur Allahu i Lartësuar bëri dallimin e qartë të së vërtetës nga e kota. Atë ditë, e vërteta triumfoi mbi të kotën.
...ditën kur u ndeshën dy ushtritë. -
Grupi i muslimanëve u përball me grupin e jobesimtarëve. Atë ditë, Allahu i Madhëruar bëri të triumfojë qartë e vërteta e Tij, duke shfaqur shenja dhe mrekulli, që tregonin se Shpallja që Muhamedi (a.s)e solli nga Zoti i tij ishte e vërteta e sigurt, për të cilën nuk ka asnjë dyshim. Në këtë mënyrë, kuptimi ajetit është: Nëse vërtet e besoni Allahun dhe Shpalljen që Ai ia dhuroi Profetit të Tij të dashur, atëherë një të pestën e pasurisë së fituar në atë luftë, - ku Zoti ngriti të vërtetën, shkatërroi të kotën dhe shfaqi mrekulli, - ju duhet t’i shpenzoni ashtu siç kërkon Allahu dhe Profeti i Tij.
Allahu është i Plotpushtetshëm për gjithçka. -
Çdokush që kundërshton Allahun, duke dalë kundër urdhrit të Tij, ka për t’u mposhtur nga Allahu i Madhëruar. Më tej jepen hollësi të tjera të kësaj beteje historike:
[1] Dispozitat për plaçkën e luftës. Kur fitonte luftën kundër armikut, ai urdhëronte dikë që të mblidhte komplet plaçkën e luftës. Ndarjen e plaçkës e fillonte me atë që quhet eslab,(Eslab quhet plaçka, pajimet, armët dhe kafsha e të vrarit nga radhët e ushtarëve jomusliamnë, të cilat i takojnë ushtarit musliman që e ka vrarë.) duke ua shpërndarë atyre që u takonte. Pastaj një të pestën e plaçkës së luftës që mbetej, e hiqte mënjanë për ta shpenzuar atje ku ishte më e nevojshme, në dobi të Islamit. Ndërsa pjesën e mbetur, pasi u jepte ndonjë dhuratë të vogël atyre që nuk kishin pjesë të përcaktuar në plaçkën e luftës, si fëmijët, gratë dhe skllevërit, e shpërndante në mënyrë të barabartë mes ushtarëve. Sipas rregullit, kalorësit i takonin tri pjesë, një pjesë për veten dhe dy pjesë për kalin, ndërsa këmbësorit një pjesë. Kjo është tradita e tij e transmetuar saktë dhe me siguri, në shpërndarjen e plaçkës së luftës. Ndonjëherë, për merita të veçanta dhe sipas asaj që e shikonte me interes, Profeti a.s. i jepte ndonjë luftëtari diçka nga tërësia e plaçkës së luftës (para shpërndarjes së saj sipas rregullit), përveç pjesës që i takonte nga plaçka e luftës, dhe ky shpërblim quhej nefel. Thuhet që këto shpërblime Profeti a.s. i nxirrte prej një të pestës të sipërpërmendur, (që i takon Allahut dhe Profetit a.s), por thuhet që ky është një mendim i dobët për t’u pranuar. Disa thonë se kjo nxirrej prej një të pestës së një të pestës. Në një betejë Profeti a.s. i dha Seleme Ibn Ekua’ katër pjesë, pra, sa pjesët e një këmbësori dhe një kalorësi të marra së bashku. Kjo ndodhi për shkak të kontributit të madh
që ai dha në atë luftë. Profeti a.s. ishte i kujdesshëm që të tregohej i drejtë në ndarjen e plaçkës, pa bërë dallim mes të dobtëve dhe të fortëve. Dallimet mund të bëheshin vetëm në shpërndarjen e nefel-it, që përmendëm më sipër. Profeti a.s., kur niste një luftë me një popull, dërgonte fillimisht një skuadër luftëtarësh. Nëse ata fitonin ndonjë plaçkë lufte, një të pestën e hiqte mënjanë dhe nga pjesa e mbetur një çerek ua jepte atyre në formë nefeli, dhe pjesën tjetër e ndante në mënyrë të barabartë mes gjithë ushtrisë (mes të cilëve edhe skuadra). Ndërsa kur dërgonte ndonjë skuadër gjatë kthimit nga lufta, u jepte atyre një të tretën në formë nefel. Megjithatë, Profeti a.s. nuk e parapëlqente dhënien në formë nefeli, (e cila zakonisht u dhurohej të fortëve dhe aktivëve) dhe shpesh thoshte: “Besimtarët e fortë le t’u japin besimtarëve të dobët!”Një pjesë e pasurisë së fituar në luftë, që quhej el safij, ishte e posaçëruar vetëm për Profetin a.s. Profeti a.s. e përcaktonte dhe e zgjidhte atë përpara se të hiqej mënjanë një e pesta e plaçkës. Ai mund të zgjidhte çfarë të dëshironte: një skllav a skllave, ose një kalë apo diçka tjetër. Thotë Aishja: “Safija (gruaja e Profetit a.s.) ishte e përzgjedhur prej të ashtuquajturës safij”, siç e ka sjellë Ebu Daudi këtë hadith. Transmetohet gjithashtu se në mesazhin që Profeti a.s. i dërgoi fisit Benu Zehir Ibn Ukajshi, thuhet: “Nëse ju dëshmoni se nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut të Madhëruar dhe se Muhamedi është Profet i Allahut, e falni namazin, e jepni zekatin, jepni një të pestën e plaçkës së luftës që fitoni, dorëzoni prej kësaj plaçke lufte pjesën e Profetit a.s. dhe atë që quhet el safij, atëherë ju do të jeni të sigurt, nën mbrojtjen dhe sigurinë e dhënë prej Allahut dhe Profetit a.s.” Edhe shpata e Profetit a.s., me disa vjaska të bukura, ishte prej el safij-it. Profeti a.s. ruante pjesë edhe për ndonjë që nuk kishte qenë i pranishëm në betejë për shkak të angazhimit të tij në shërbim të muslimanëve. Kështu veproi Profetit a.s. me Othmanin, i cili nuk mori pjesë në Bedër, sepse ishte duke i shërbyer bashkëshortes së tij të sëmurë, vajzës së Profetit a.s., Rukijes. Profeti a.s. ndau një pjesë për Othmanin dhe tha: “Othmani u angazhua për hir të Allahut dhe u mor me nevojat e Profetit a.s.”Sahabët blinin dhe shisnin gjatë këtyre luftrave në prani të Profetit a.s. Ai i shihte ata dhe nuk i ndalonte nga tregtia që bënin. Madje një
burrë i është drejtuar Profetit a.s. dhe i ka thënë: “Sot kam fituar aq shumë, sa askush ndonjëherë.” I tha Profeti a.s.: “E çfarë ke fituar?” Ai u përgjigjur: “Bleva e shita, derisa bëra një fitim prej treqind ukije-sh.” Atëherë Profetit a.s, mësuesi i vërtetë, i ka thënë: “A të të tregoj unë se cili është ai që ka marrë fitimet më të mira?” – “Kush është ai o i dërguar i Allahut?” – “Ai që ka falur dy rekatë nafile pas namazit farz.” Gjatë luftrave ata merrnin me qera edhe shërbëtorë për t’u shërbyer e ndihmuar gjatë udhëtimeve. Kjo lloj qeraje e praktikuar ishte dy llojesh: a) të dilje vetë në luftë dhe pajtoje me qera dikë që të shërbente gjatë udhëtimit; b) të paguaje dikë tjetër që të dilte dhe të luftonte në xhihad. Këta quheshin xheail. Profeti a.s., për të tilla bashkëpunime, ka thënë: “Luftëtarit i takon shpërblimi i vet (i luftës), ndërsa shpenzuesit shpërblimi i vet (si shpenzues) dhe shpërblimi i luftëtarit.” Ata praktikonin edhe dy lloje kontratash ortakërie në ndarjen e plaçkës së luftës me njëri tjetrin: a) ortakërinë e plotë (sheriketul ebdan), dhe b) ortakëri me hua, e cila zhvillohet në këtë mënyrë: I jep një luftëtari devenë ose kalin tënd për të luftuar, me kusht që plaçka e luftës e fituar të ndahet barabar mes jush. Atyre ndoshta u binte të ndanin edhe një shigjetë të vetme, e njëri merrte pendën dhe majën, ndërsa tjetri merrte shkopin e shigjetës. Ndërsa Ibn Mesudi tregon: “Betejën e Bedrit, unë Amari dhe Sa’di u bëmë ortakë për gjithçka që do të fitonim në atë luftë (ortakëri e plotë). Sa’di mundi të kapë dy robër, ndërsa unë dhe Amari nuk mundëm të sjellim gjë.” Skuadrat luftarake, Profeti a.s. i dërgonte herë me kalorës dhe herë të tjera me këmbësorë. Profeti a.s., pasi mbaronte betejën, nuk u jepte pjesë nga plaçka e luftës skuadrave apo asaj pjese të ushtrisë që ishin dërguar për ndihmë dhe përforcime në fushëbetejë, por që kishin mbërritur në destinacion pasi lufta kishte përfunduar.
Pjesa e farefisnisë së Profetit a.s. Ndërsa, pjesën e farefisnisë Profeti a.s. ia jepte vetëm Benu Hashimëve dhe Benu Mutalibëve. Në këtë pjesë nuk bënin pjesë vëllezërit e këtyre dy fiseve, Benu Abdul Shems dhe Benu Neufel. Profeti a.s. ka thënë: “Pa dyshim, Benu Mutalibët dhe Benu Hashimët janë një të vetëm”, dhe kryqëzoi gishtat e tij. Pastaj vazhdoi: “Ata nuk janë ndarë as në epokën e xhahilijetit, as në epokën e Islamit.”
Ushqimet në plaçkën e luftës. Në kohën e Profetit a.s., muslimanët, nëse fitonin ushqime si plaçkë lufte, si për shembull mjaltë, rrush e të tjera, i hanin ato, pa qenë e nevojshme që fillimisht t’i grumbullonin në pasurinë e luftës të fituar. Kështu, Umer Ibn Hatabi tregon: “Në kohën e Profetit a.s., një ushtri fitoi si plaçkë lufte ushqim dhe mjaltë, dhe prej tyre nuk u veçua një e pesta.” Këtë hadith e ka sjellë Ebu Daudi. Pas betejës së Hajberit, Abdulla Ibn Mugafeli nxori veç një enë me dhjamë dhe tha: “S’kam për t’i dhënë askujt nga kjo enë me dhjamë.” Profeti a.s. e dëgjoi, buzëqeshi e nuk i tha gjë. Është pyetur Ibn Ebu Eufa: “A e veçonit një të pestën e ushqimeve të fituara në luftë gjatë kohës së Profetit?” Ai është përgjigjur: “Në Hajber fituam ushqim të bollshëm; gjithësecili shkonte e merrte aq sa i duhej dhe largohej.”Dikush nga sahabët thoshte: “Në beteja ne hanim arra pa i ndarë dhe, kur ktheheshim në banesat tona, trastat tona i kishim plot me arra.” Shkëputur nga “Zadul mead” 3