Ky ishte një qortim nga Allahu i Lartësuar drejtuar të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve pas luftës së Bedrit. Ata kapën shumë robër nga idhujtarët, prandaj kur erdhi çështja se si do të veprohej me ta, a të pranohej kompensim për ta apo të ekzekutoheshin, Profeti (a.s)dhe një grup besimtarësh përzgjodhën variantin e kompensimit. Ndërsa Umer Ibn Hatabi, për t’u treguar idhujtarëve forcën dhe ashpërsinë e muslimanëve, të paktën në këtë përballje të parë, deshi variantin e ekzekutimit të tyre. Për këtë çështje, Allahu i Lartësuar shpalli ajetet:
Asnjë profeti nuk i takon të mbajë robër, derisa të ketë triumfuar plotësisht në vend. -
Nuk i takon një profeti dhe nuk është një zgjedhje e përshtatshme tolerimi i mohuesve në këtë përballje vendimtare me ta. Ata luftuan kundër Profetit të Zotit dhe u përpoqën të shuanin dritën e Allahut dhe fenë e Tij. Ata donin të zhduknin nga faqja e dheut të gjithë adhuruesit e Allahut. Kjo ishte një përballje vendimtare me mohuesit, prandaj nuk është e udhës që t’i lësh gjallë robërit e luftës për të marrë kompensim prej tyre.[1] Dobia e kompensimit është tejet e papërfillshme me mesazhin e qartë që përcjell eliminimi i tyre. Për sa kohë që ata janë të fuqishëm dhe synojnë shkatërrimin e muslimanëve, më mirë të mos merret kompensim për ta. E nëse ata janë të dobët dhe nuk përbëjnë ndonjë rrezik të madh, atëherë nuk ka problem nëse i kthen robërit kundrejt kompensimit. Allahu i Lartësuar thotë:
Ju synoni të mirat e kësaj bote (të përkohshme), ndërsa Allahu dëshiron për ju Ahiretin. -
Ju doni të merrni kompensim, për të përfituar ndonjë mirësi të kësaj bote, ndërkohë që kjo zgjedhje nuk është në dobi të fesë dhe nuk ndihmon në triumfin e saj. Allahu i Madhëruar dëshiron ta ngrejë lart Islamin dhe t’i ndihmojë të dashurit e Tij, duke u dhënë fitore mbi armiqtë. Ai dëshiron që fjala dhe feja e Tij të lartësohet mbi çdo gjë tjetër, prandaj urdhëron çdo gjë që e mundëson diçka të tillë.
Allahu është Ngadhënjimtar dhe i Urtë. -
Allahu i Lartësuar është i Plotfuqishëm. Po të dëshironte, Ai mund t’i poshtëronte mohuesit pa qenë nevoja e luftës së besimtarëve. Por Allahu është gjithashtu Hakim - i Urtë, dhe me urtësinë e Tij dëshiron t’i sprovojë njerëzit me njëri-tjetrin.
[1] Profeti a.s. u këshillua me sahabët rreth robërve të kapur në Bedër. Ebu Bekri propozoi që prej tyre të pranohej kompensimi dhe të liheshin të lirë, për ta shfrytëzuar këtë pasuri si forcë kundër armikut të tyre, dhe duke shpresuar që Allahu do t’i udhëzonte ata. Ndërsa Umer Ibn Hatabi tha: “Jo, vallahi, unë nuk jam dakord me mendimin e Ebu Bekrit. Unë mendoj, që ti të na japësh leje t’ua heqim kokat. Këta janë krerët e kufrit dhe udhëheqësit e tyre.” Profeti a.s. anoi nga
mendimi i Ebu Bekrit, duke e parapëlqyer atë kundrejt atij të Umerit. Të nesërmen, Umeri sheh Profetin a.s. dhe Ebu Bekrin duke qarë, e thotë: “O i Dërguari i Allahut, përse po qani ti dhe shoku yt? Nëse e mësoj përse, po më erdhi për të qarë, do të qaj, e po s’më erdhi për të qarë, do të bëj sikur qaj për shkak se ju po qani”. - Qaj për shkak të asaj që m’u propozua nga shokët e tu rreth marrjes së shpërblesës së lirimit të robërve të Bedrit. Dënimi i tyre m’u shfaq mua më afër se kjo pemë.” (E transmeton Muslimi). Atëherë zbritën ajetet: “Asnjë Profeti nuk i takon të mbajë robër, derisa të ketë triumfuar plotësisht në vend. Ju synoni të mirat e kësaj bote (të përkohshme), ndërsa Allahu dëshiron për ju Ahiretin. Allahu është i Ngadhënjimtar dhe i Urtë.” (Enfalë 67). Në lidhje me këtë çështje, mendimet janë të ndryshme. Disa parapëlqejnë qëndrimin e Umerit, duke u argumentuar me këtë hadith. Ndërsa të tjerë parapëlqejnë qëndrimin e Ebu Bekrit, sepse ngjarja e mësipërme përfundoi ashtu sikurse propozoi ai, dhe për faktin se ishte në përputhje me paracaktimin nga Allahu për lejimin e kësaj gjëje për ta. Madje kjo ishte në përputhje edhe me faktin që mëshira e Allahut e mposht zemërimin e Tij, kështu që fryma e mëshirës në ligjet e Zotit është dominante. Një fakt tjetër është se lidhur me këtë çështje, Profeti a.s. e ka krahasuar Ebu Bekrin me Ibrahimin (a.s.) dhe Isain (a.s.), ndërsa Umerin e ka krahasuar me Nuhun (a.s.) dhe Musain (a.s.). Vërtet, mendimi i kompensimit të robërve ishte i frytshëm, për vetë arritjet dhe mirësitë e mëdha që i erdhën fesë nga shumica e këtyre robërve të liruar, të cilët më vonë pranuan Islamin. Mirësi pati edhe nga pasardhësit e tyre, që lindën si muslimanë. Gjithashtu muslimanët u bënë më të fuqishëm nga pasuria e marrë prej kompensimit. Mendimi i kompensimit ishte vërtet i përshtatshëm e më i miri, edhe për shkak të miratimit të Profetit a.s. Të njëjtën gjë tregon edhe miratimi nga Allahu i Madhëruar i këtij gjykimi, sepse çështja u vendos që përfundimisht të pranohej kompensimi.Të gjitha së bashku dëshmojnë saktësinë e gjykimit të të sinqertit Ebu Bekër, i cili ishte në përputhje me atë që Allahu i Madhëruar do të miratonte përfundimisht. Ai i dha përparësi mëshirës kundrejt zemërimit. Ndërsa për sa i përket momentit kur Profeti a.s. qau, kjo ndodhi për shkak të mëshirës dhe merakut të Profetit a.s. për ata, të cilët, me këtë kompensim,
dëshironin thjesht pasurinë dhe stolitë e kësaj bote. Dhe është e sigurt që, si Profeti a.s. edhe Ebu Bekri, me kompensimin që kërkuan nuk dëshironin stolitë e kësaj bote, ndonëse pati disa sahabë të tjerë që i dëshën ato. Por dihet, që ndëshkimi dhe kërcënimi i Allahut të Lartësuar shpeshherë nuk zbret për të goditur vetëm fajtorët kryesorë, por zbret dhe i përfshin të gjithë, sikurse ndodhi në betejën e Hunejnit, kur muslimanët u sprovuan për shkak të fjalës së njërit, i cili tha: “Sot jemi shumë, prandaj nuk kemi si ta humbim luftën.” Pra mjaftoi që dikush të krijonte besim te shumica dhe te vetvetja, që, për këtë, e gjithë ushtria të sprovohej e të merrte mësim. Megjithatë, përfundimisht, çështja përfundoi me fitoren e muslimanëve. Por Allahu i Lartësuar e di më mirë. Shkëputur nga ‘Zadul Mead’, vëllimi 3, faqe 57, 58.