Allahu është i kënaqur me besimtarët e hershëm muhaxhirë e ensarë dhe me ata që i pasuan me vepra të mira. -
Besimtarët e hershëm janë të parët e këtij umeti që pranuan fenë e vërtetë dhe sakrifikuan gjithçka në emër të Zotit, duke emigruar dhe duke luftuar për ta mbrojtur dhe përhapur këtë fe madhështore. Muhaxhirët janë ata për të cilët i Madhëruari ka thënë: “Ajo u takon muhaxhirëve të varfër, të cilët u dëbuan prej shtëpive dhe pasurisë së tyre, për shkak se kërkonin mirësinë e kënaqësinë e Allahut dhe që të ndihmonin Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Pikërisht këta janë të drejtët!” [Hashër 8]. Besimtarët e parë ishin edhe ensarët - ndihmëtarët, për të cilët i Lartësuari ka thënë: "Edhe atyre që përgatitën vendin dhe besimin para tyre, të cilët i duan ata që emigruan tek ata dhe nuk ndiejnë në gjoks smirë për çfarë u jepet atyre. Madje ata u japin përparësi atyre para vetvetes, edhe sikur të kenë vetë nevojë të domosdoshme. Kush u ruajt prej koprracisë së vetes, ata janë të fituarit!” [Hashër 9]. Në ajet përmendet edhe një grup tjetër, për të cilët Allahu i Lartësuar thotë: “...dhe me ata që i pasuan me vepra të mira." Këta ishin pasuesit më të mirë e më besnikë të atyre që ishin më të hershmit. Këta e pasuan Profetin dhe shokët e tij në të gjitha drejtimet: në besimin e pastër dhe autentik që ata e lanë trashëgim, në fjalët e mira plot vërtetësi e drejtësi, që ata i morën nga Profeti i fundit, si dhe në drejtim të veprave të sinqerta dhe korrekte, ashtu sikurse porositi Zoti dhe Profeti i Tij. Këto kategori të përmendura në ajet janë ata për të cilët Profeti ka thënë: “Brezi më i mirë është ai në të cilin unë u dërgova, pastaj ata që vijnë pas tyre (tabiin-ët)." Këta janë të lavdëruar nga Zoti dhe Profeti i Tij. Brezi i sahabëve muhaxhirë e ensarë dhe pasuesit e denjë të tyre patën nderin e madh të transmetimit korrekt të kësaj feje. Zoti i dalloi ata me besnikëri ndaj Shpalljes, me jetesën sipas saj dhe me përcjelljen korrekte dhe të plotë të saj. Ata janë brezat e ndritur, ku muslimani sot gjen besimin e pastër dhe fenë e vërtetë. Për ta Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu është i kënaqur me ta”. Arritja e kënaqësisë së Allahut është më e madhe dhe më e rëndësishme se çdo kënaqësi e Xhenetit. Ky është një tregues shumë i qartë për atë se çfarë përfaqësojnë këta fatlumë. Zoti është i kënaqur nga besimi dhe veprat e tyre, prandaj do t’i shpërblejë pa masë ata dhe cilindo që pason rrugën e tyre. Sigurisht, edhe ata do të jenë të kënaqur me shpërblimin e Allahut të Madhëruar:
Edhe ata janë të kënaqur me Të. Për ta Ai ka përgatitur kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përjetësisht. Ky është fitimi i madh. - Lumenj të mrekullueshëm vërshojnë nëpër kopshte. Kështjellat janë të zbukuruara me lëndina e lule të mrekullueshme. Ata do të jenë përjetësisht në këto mirësi dhe kurrë nuk do të dëshirojnë të largohen apo të mërziten me to. E si mund të ndodhë diçka e tillë, kur atyre do t'u jepet gjithçka që e dëshirojnë dhe ëndërrojnë?! Allahu i Madhëruar e ka quajtur këtë: “fitore e madhe: Ata arritën çdo gjë të dashur për shpirtin, që lumturon zemrën dhe kënaq trupin. Ata shpëtuan nga çdo gjë e keqe.