Kjo është surja e parë që i është shpallur Profetit (a.s.). Ajo është shpallur në hapat e para të profecisë, atëherë kur Muhamedi (a.s.) nuk e dinte çfarë ishte Libri i Zotit dhe as çfarë ishte imani. Në këtë kohë, atij i erdhi Xhibrili (a.s.) me Shpalljen hyjnore dhe e urdhëroi që të lexonte. Por Muhamedi (a.s.), i cili nuk dinte shkrim e këndim, i tha: “Unë nuk di të lexoj.” Por Xhibrili vazhdoi të kërkonte prej tij që të lexonte, derisa në fund tha:
Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka)! Ai e krijoi njeriun prej një cope gjaku të ngjizur. -
Është Allahu që, me pushtetin e Tij, ka krijuar gjithçka. Pastaj Allahu i Lartësuar përmend në veçanti krijimin e njeriut dhe gjendjen e tij në fillim të krijimit, në barkun e nënës. Ai që e krijon njeriun në ato fazat të para, duke u kujdesur për të, pa dyshim do të kujdeset për të edhe në një drejtim tjetër shumë të rëndësishëm për lumturinë e tij. Ai do të kujdeset për njeriun duke i përcaktuar urdhëra dhe ndalesa, duke i vendosur program jete dhe adhurimi, duke i dërguar profetë dhe duke i shpallur libra. Pikërisht për këtë arsye, Zoti urdhëroi për të lexuar dhe, menjëherë më pas përmend faktin që Ai është Krijuesi, që kujdeset për krijesat e Tij. Kështu, domethënia është: Ju që jeni nevojtarë që Zoti të kujdeset për ju, duke ju krijuar ju dhe gjithçka që keni nevojë, po ashtu jeni nevojtarë, madje edhe më shumë, që të lexoni atë që Zoti ju ka shpallur, që të mund të arrini lumturinë e plotë në dynja dhe në ahiret. Pastaj i Lartësuari thotë: