Bismil-lâhi - “Me emrin e Allahut…” –
Domethënë, filloj (leximin e Kur‟ân-it) me
përmendjen dhe përkujtimin e të gjithë
emrave të Allahut (duke shpresuar begatitë
dhe mirësitë e shumta që të sjell ky
përkujtim). Themi: “të gjithë emrat e Allahut”,
sepse fjala “emër” (ism), edhe pse është në
numrin njëjës, duke qenë se bën pjesë në
kategorinë gramatikore “pronë-pronar”,
sipas rregullave gjuhësore të arabishtes, ajo i
përfshin të gjithë emrat e Allahut. Pra, grupi
emëror: “Me emrin e Allahut”, në arabisht
do të thotë: “Me të gjithë emrat e Allahut.”
Allâh - “Allah” -
Allahu është i Adhuruari.
Ai është i Vetmi që meriton të veçohet duke
e adhuruar. Ai është unik në meritën e
adhurimit, për shkak të cilësive hyjnore me
të cilat Ai përshkruhet, cilësi këto që
tregojnë se Ai është Absolut dhe
Madhështor në çdo aspekt.
Er-Raĥmânir-Raĥîm. - “Të Mëshirshmit,
Mëshiruesit…” -
Këta janë dy emra që
tregojnë se Allahu i Lartësuar është zotërues
i mëshirës së gjerë, të madhe, e cila ka
përfshirë çdo krijesë. Në fakt, mëshira, në
formën e saj të plotë, është bërë vetëm për të
devotshmit dhe pasuesit e denjë të të
dërguarve dhe profetëve të Tij; vetëm këta
do t‟i përfshijë mëshira e Tij absolute, kurse
të tjerët do të shijojnë veçse një pjesë të saj.
Mësoje se ndër rregullat themelore, me
pajtueshmëri mes dijetarëve të parë (selef)
dhe imamëve të drejtë, është: Besimi i drejtë
në fushën e emrave dhe cilësive të Allahut të
Lartësuar, si dhe të dispozitave që lidhen me
ata. Kështu, në rastin tonë, ne duhet të
besojmë që Allahu i Lartësuar është i
Gjithëmëshirshëm dhe Mëshirëplote (Er-Raĥmânu Er-Raĥîm), duhet të besojmë se Ai është
zotërues i kësaj mëshire, me të cilën është
emërtuar dhe cilësuar (pra, nuk janë emra pa
kuptim), dhe që kjo mëshirë lë gjurmë dhe
është ndikuese tek të tjerët. Të gjitha
mirësitë, pa përjashtim, janë rezultate të
mëshirës së Tij. Në këtë mënyrë besohet,
pra, për të gjithë emrat dhe cilësitë e Allahut
të Madhëruar.
Kështu, për shembull, të njëjtën gjë themi
për emrin Alîm (i Ditur):
1. Ai është i Dituri absolut;
2. Ai zotëron dije absolute (pra, nuk është
thjesht një emër pa domethënie).
3. Ai di gjithçka, për çdo gjë.
Ose për emrin Ķadîr (i Plotfuqishëm),
themi:
1. Ai është i Plotfuqishmi.
2. Ai zotëron pushtetin për të bërë gjithçka.
3. Me këtë pushtet, Ai ndikon dhe arrin
gjithçka që dëshiron.