Sikur Allahu t’ua shpejtonte njerëzve pranimin e kërkesës për të keqen, ashtu siç pranon shpejtimin e kërkesës për të mirën, atyre do t’u përfundonte afati. -
Kjo tregon për mëshirën dhe kujdesin e Allahut të Madhëruar për robërit e Tij. Nëse Ai do t'ua përshpejtonte ndëshkimin për ligësitë që bëjnë, ashtu sikurse ua përshpejton shpërblimin kur bëjnë punë të mira, do të merrte fund çështja e tyre dhe ata do të shfaroseshin nga ndëshkimi. Allahu i Madhëruar i afatizon ata, por kurrsesi nuk i harron apo braktis. Ai fal shumë e shumë prej hakut të Tij të shkelur prej tyre. Nëse do t’i merrte në përgjegjësi e ndëshkonte për të gjitha padrejtësitë e tyre, nuk do të linte asnjë në faqen e dheut.[1] Në këtë fjalë të Zotit përfshihet edhe rasti kur njerëzit mund të zemërohen dhe mallkojnë nga zemërimi familjen dhe fëmijët. Nëse këto lutje të këqija do të pranoheshin prej Allahut ashtu sikurse Ai pranon dhe realizon lutjet e mira, atëherë njerëzit do të shkatërroheshin. Por Allahu i Lartësuar është i Dashur, i Urtë dhe nuk nxitohet të ndëshkojë gabimtarët.
Por ata që nuk janë të bindur për takimin Tonë, Ne i lëmë të enden në shfrenimin e tyre. -
Këta nuk besojnë në jetën e përjetshme dhe në ringjallje, prandaj dhe nuk përgatiten për të. Ata nuk kanë frikë llogarinë e drejtë para Zotit, prandaj nuk bëjnë ndonjë vepër që t’i shpëtojë nga ndëshkimi i Tij. Të tillë njerëz, i Urti i lë në shfrenimin e tyre për të kaluar kufijtë. Ata zhyten në të kotën, për hir të së cilës kanë braktisur të vërtetën dhe kanë shkelur kufijtë e Zotit. Allahu i lë ata, sikurse thotë: "jea'mehun", domethënë, të çoroditur, të pavendosur dhe të turbullt në vendimet e tyre. Ata nuk arrijnë ta gjejnë rrugën e drejtë dhe nuk u jepet sukses që të kuptojnë argumentet dhe faktet më të drejta dhe të vërteta. Ky është ndëshkimi i tyre dhe i çdokujt që zhytet në padrejtësi dhe që shpërfill e mohon argumentet dhe shpalljet e Zotit.
[1] I Madhëruari thotë: "Nëse Allahu do t’i dënonte njerëzit sipas veprave (të këqija) të tyre, nuk do të linte mbi faqen e dheut asnjë gjallesë. Por, Ai i lë ata deri në afatin e caktuar. Por kur të vijë afati i tyre, (le ta dinë se) Allahu Shikon gjithçka nga robërit e vet." [Fatir 45]