Atyre, që bëjnë vepra të mira u takon e mira, madje edhe më shumë. -
Cilësia e tyre e pandashme është "ihsâni" - bamirësia. Ata tregohen të mirë në drejtim të adhurimit të Zotit e Krijuesit të tyre, duke e adhuruar atë me formën më të lartë të adhurimit, që është ihsan-i. Sikurse ka thënë Profeti, ihsân është: "Ta adhurosh Allahun sikur e sheh Atë, sepse edhe nëse ti nuk e sheh Atë, Ai pa dyshim që të sheh ty." Ata e adhurojnë Allahun e Madhëruar si një dhe të vetëm, të shoqëruar gjithmonë nga mbikëqyrja e Tij, që jep gjithmonë frikërespektin e drojën prej Tij në çdo gjendje. Gjithashtu, në këtë adhurim, ata shoqërohen gjithmonë nga ajo që quhet nasiha - që është përmirësimi i gjendjes dhe marrëdhënieve të tyre me Zotin, me Librin e Tij dhe me Profetin e Tij. Ata janë, gjithashtu, në gradën më të lartë të bamirësisë ndaj krijesave. Ata veprojnë gjithçka që kanë mundësi për t’u bërë mirë krijesave të Zotit, qoftë me fjalë apo me vepra. Ata janë bamirës me pasurinë e tyre, me mundësitë fizike, por edhe duke këshilluar. Ata përpiqen të rregullojnë gjendjen e njerëzve përmes urdhërimit për të mirë e ndalimit nga e keqja, duke u mësuar të mirën të paditurve dhe duke këshilluar dhe udhëzuar të pabindurit, që i kanë kthyer shpinën së mirës. Kështu ata janë bamirës në adhurimet kushtuar Zotit dhe me sjelljen ndaj krijesave. Për këta është përgatitur El Husna - Xheneti i përkryer në bukurinë dhe mirësitë e tij. Por më e rëndësishme dhe më e bukur është ajo që Zoti e quan Ez-Zijadeh, domethënë ‘më tepër se kaq’, që është vështrimi në fytyrën e Allahut Bujar, dëgjimi i fjalës së Tij, dhe lumturia që sjell kënaqësia e Tij dhe afërsia pranë Tij. Ky premtim është shumë më tepër sesa krijesat ëndërrojnë dhe shpresojnë. Përveç kësaj, i Madhëruari thotë se ata do të jenë të ruajtur nga çdo frikë dhe ligësi.
Fytyrat e tyre nuk i mbulon pluhuri i zi e as nënçmimi. -
Ata nuk do të përjetojnë asgjë të urryer apo pakënaqësi, që do t'ua shëmtonte e shqetësonte fytyrën dhe vështrimet e tyre. Kur njeriu goditet nga ndonjë fatkeqësi apo shqetësim, ajo shfaqet në fytyrën dhe vështrimin e tij. Ndërsa për këta të zgjedhur, Zoti thotë: "Me të vërtetë, vepërmirët do të jenë (të lumtur) mes mirësive (të shumta). Të mbështetur në kolltukë, ata vështrojnë. Në fytyrat e tyre mund të kuptosh kënaqësinë që përjetojnë. Atyre u jepet të pinë pije nga enë të vulosura, pije të cilave në fund u vjen era misk. Për të tilla mirësi le të garojnë ata që lakmojnë të mirën. Kjo pije ka brenda edhe prej Tesnim-it, burim nga i cili pinë më të afërmit e Zotit." [Mutafifin 22 – 28].
Ata janë banorë të Xhenetit. Ata do të jenë atje përjetësisht. -
Ata nuk do të largohen më kurrë prej Xhenetit. Mirësitë e tyre nuk do të ndryshojnë, veçse për më mirë. Ata do të jenë përjetësisht në lumturinë, kënaqësitë dhe stolitë, që shtohen çdo ditë e çast.