Allahu i Madhëruar na tregon rreth shpifjes së madhe të idhujtarëve ndaj madhërisë së Tij:
Ata thonë: “Allahu ka një bir”. Qoftë i lartësuar Ai! -
I Lartësuari shpreh dëlirësinë e Tij nga kjo shpifje duke thënë: "Subhaneh" (Qoftë i Lartësuar Ai!) I pastër, i dëlirë, i lartësuar e larg çdo mangësie e të mete qoftë i Madhëruari, nga çdo shpifje që i adresojnë zullumqarët! Pastaj, duke shpjeguar edhe më hollësisht dëlirësinë dhe pastërtinë e Tij nga të tilla shpifje, Ai thotë:
Ai është i Vetëmjaftueshmi. -
Allahu është i Pasur, që nuk ka nevojë për asgjë. E gjithë pasuria e pushteti është në dorën e Tij. Të gjitha llojet e pasurisë, mbretërimit dhe pushtetit janë në dorën e Tij dhe vetëm të Tij. Allahu është absolut në zotërimin dhe sundimin e pasurisë së qiejve dhe tokës. Kështu, nëse është i Vetëmjaftueshëm dhe Jonevojtar, përse i duhet fëmija? Nevoja për fëmijë bie ndesh me pushtetin dhe pasurinë e Tij dhe me faktin që Ai është i Vetëmjaftueshëm. Ai që bën fëmijë ka vërtet nevojë për fëmijën dhe ka mangësi në pasurinë apo pushtetin e Tij. Argumenti i dytë:
Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në tokë. -
Kjo është një fjali gjithëpërfshirëse, nga e cila nuk përjashtohet asgjë që ekziston. Qiejt, Toka dhe çdo krijesë tjetër, janë rob dhe pronë e Krijuesit. Kështu, ky përshkrim përjashton mundësinë që diçka e krijuar të jetë fëmijë i Zotit. Arsyeja është se fëmija ka natyrën e të atit, dhe si i tillë nuk mund të jetë krijesë dhe pronë apo e nënshtruar. Kështu, fakti që gjithçka në qiej e në tokë janë pronë e Zotit e përjashton që diçka prej tyre të jetë e lindur prej Tij. Argumenti i tretë:
Ju nuk keni argumente për këtë. -
A keni ndonjë argument që tregon se Allahu ka fëmijë? Nëse do të kishin ndonjë argument, do ta shfaqnin. Por duke qenë se edhe pas sfidës, ata nuk sjellin argument bindës, kuptohet se kjo është një kotësi dhe shpifje e madhe. Kjo është të flasësh për Zotin pa dituri e shpallje të ndritur, prandaj thotë i Madhëruari:
Pse thoni për Allahun atë që nuk e dini? -
Kështu, kjo është nga çështjet më të dënueshme e të ndaluara nga Zoti.