Allahu i Lartësuar na përshkruan në këtë ajet Profetin e Tij të dashur dhe të zgjedhur dhe ndjekësit e Profetit, domethënë ata që vazhdojnë misionin e tij me thirrjen e njerëzve në udhën e drejtë dhe diturinë e saktë prej Zotit. Këta janë të sigurt dhe tërësisht të bindur në argumentet dhe Shpalljen e Zotit. Askush nuk mund të krahasohet me ta në këtë aspekt. Prandaj i Madhëruari thotë:
E kush mund të krahasohet me atë që mbështetet në argumentin e qartë nga Zoti i tij,... -
Ata janë të mbështetur në argumentin e qartë nga Zoti i tyre, janë të mbështetur në Shpalljen e Tij. Kur’ani dhe Tradita e Profetit përmbajnë sqarimin e mjaftueshëm dhe të plotë për të gjitha çështjet e rëndësishme. Argumentet e sjella përmes kësaj Shpalljeje janë tejet të qarta dhe të kuptueshme për të gjithë, prandaj janë gjithmonë triumfuese. Ato japin gjithnjë siguri të plotë. Pastaj i Lartësuari thotë:
...i ndjekur nga dëshmues prej tij,... -
Këto fakte e argumente, që prodhojnë siguri të padiskutueshme, i mbështet dhe përforcon akoma edhe më shumë një tjetër dëshmuese. Kjo është natyra e pastër dhe e patrazuar e njeriut me logjikën e tij të shëndoshë. Ajo dëshmon për vërtetësinë e Shpalljes së Zotit dhe për ligjin e Tij. Logjika e shëndetshme e pranon të mirën si të mirë dhe të keqen si të keqe. Kjo është dritë mbi dritë. Shpallja e saktë, e ruajtur dhe e sigurt, e bashkuar me logjikën e shëndetshme dhe me natyrën e pastër, sjell besim të kthjellët dhe vepra të mrekullueshme. Përveç këtyre dy dëshmive e fakteve, i Madhëruari sjell edhe një fakt tjetër, që vërteton vërtetësinë e Islamit dhe ligjeve të tij:
...me atë që i parapriu Libri i Musait si udhërrëfyes e mëshirë?! -
Dëshmi për vërtetësinë e fesë dhe të ligjeve që Muhamedi (a.s)përcolli, është edhe Libri (Teurati) që iu dha Musait. Atë libër Zoti e bëri udhërrëfyes për njerëzit dhe mëshirë për ta. Vetë Teurati dëshmon për vërtetësinë e Kur'anit dhe besnikërinë e të Zgjedhurit, që e përcolli atë prej Zotit te njerëzit. Porositë dhe mësimet e të dy librave janë në sinkron të plotë me njëra-tjetrën. Vetë Teurati dëshmon për vërtetësinë e ligjeve të Kur'anit, Shpalljes së fundit të Zotit për krijesat. Atëherë, a është njëlloj një njeri që bazohet në të tilla argumente kaq të forta, me atë që sorollatet në errësirat e paditurisë dhe pasigurisë, duke mos dalë asnjëherë prej tyre?! Pa dyshim që nuk mund të jenë njëlloj tek Allahu i Madhëruar. Edhe në sytë e krijesave këta nuk mund të jenë njëlloj.
Këta e besojnë vërtet atë. -
Ata të cilëve iu hap drita e arsyes së shëndetshme dhe iu dha sukses që t’i shohin qartë argumentet, e besojnë të vërtetën e shpallur nga Zoti. Ata që vërtetë e dëshirojnë dhe e synojnë të vërtetën kanë për ta besuar Shpalljen që i erdhi Muhamedit a.s. Nëse ky besim është i sinqertë, ai do të prodhojë vepra të mira që Zoti i do, është i kënaqur me to dhe i shpërblen. Kjo do t'u sjellë atyre lumturinë në dynja dhe në ahiret. Ndërsa ata të cilët e mohojnë Kur'anin, qofshin nga të gjitha grupacionet që ekzistojnë në tokë, qofshin edhe të organizuar për ta kundërshtuar këtë fe dhe për të penguar krijesat nga përqafimi i saj, le ta dinë se Zjarri është premtimi për ta. I Madhëruari thotë:
Ndërsa për grupimet që e mohojnë atë, Zjarri është vendi i premtuar. -
Është i padiskutueshëm fakti që ata do të përballen me Zjarrin e ndezur fort.
Prandaj ti kurrsesi mos dysho në të! Ai është e vërteta e sigurt prej Zotit tënd, e megjithatë, shumë prej njerëzve nuk besojnë. -
Mos ki as më të voglin dyshim apo pasiguri në faktin që kjo është Shpallja e vërtetë nga Zoti yt, edhe nëse shumica e njerëzve nuk e besojnë një gjë të tillë. Ata që nuk e besojnë këtë të vërtetë e bëjnë ose nga injoranca e tyre, ose nga padrejtësia, inati, smira dhe devijimi i zemrave të tyre nga e vërteta. Nëse qëllimi i njeriut është kërkimi i të vërtetës dhe nëse arsyetimi i tij është i saktë dhe objektiv, ai nuk ka pse të privohet nga e vërteta. Ai që e synon të vërtetën dhe, në emër të këtij qëllimi, e kërkon të vërtetën duke marrë dituri dhe duke e analizuar atë me drejtësi dhe objektivitet, ka për ta gjetur këtë të vërtetë dhe do ta besojë atë sinqerisht. E si do të ndodhë ndryshe, kur edhe arsyeja e shëndetshme dhe natyra e pastër e tërheqin drejt këtij besimi të natyrshëm?!