Allahu i Lartësuar na tregon rreth mohuesve të shpalljeve të Tij. Ata tregoheshin arrogantë ndaj të vërtetës. Duke pasur si qëllim që thjesht ta refuzonin, ata i kërkonin Profetit të Zotit shenja dhe mrekulli sipas dëshirave të tyre:
Jobesimtarët thonë: “Përse nuk i jepet atij ndonjë Shenjë nga Zoti i tij?” -
Ata pretendojnë se nëse do t'u vinin këto shenja ata do të besonin. Por Allahu i madhëruar ua hedh poshtë këtë pretendim të gënjeshtërt duke thënë:
Thuaj: “Allahu lë të humbur atë që Ai do dhe udhëzon në rrugë të drejtë ata që kthehen tek Ai,...” -
Allahu i Madhëruar udhëzon ata që kërkojnë kënaqësinë e Tij. Udhëzimi dhe humbja nuk janë në duart e tyre, në mënyrë të tillë që, nëse dëshirojnë ata, të besojnë pasi të shohin mrekullitë. Udhëzimi është i gjithi në dorë të Allahut, dhe Allahu i Madhëruar ia dhuron atij njeriu që kthehet i penduar dhe i nënshtruar, pikërisht për të kërkuar kënaqësinë e Tij. Megjithatë, edhe pretendimi i tyre se, po të shihnin ndonjë mrekulli, ata do të besonin, ishte i gënjeshtërt. Allahu i Lartësuar thotë: “Edhe sikur t'u dërgonim melekët, t'i bënim të vdekurit t'u flisnin atyre dhe t'i tubonim të gjitha gjërat para tyre, ata përsëri nuk do të besonin, nëse Allahu nuk do të donte. Por shumica e tyre nuk e dinë (të vërtetën)." [Enam 111]. Nuk ishte e domosdoshme që Profeti të sillte pikërisht ato mrekulli që ata i kërkonin, sepse mjaftonte çfarëdo mrekullie tjetër që ai paraqiste e që dëshmonte qartë se Shpallja nga Zoti ishte e vërtetë. Kjo ishte më e dobishme edhe për ata vetë, sepse nëse Allahu i Lartësuar do t'u sillte mrekullitë që ata kërkonin dhe ata sërish nuk do të besonin, atëherë Ai do t'ua përshpejtonte ndëshkimin. Pastaj Allahu i Lartësuar tregon cilësitë e besimtarëve: