Allahu i forcon besimtarët me Fjalën e fortë, në jetën e kësaj bote dhe në Botën Tjetër;... -
Allahu i Madhëruar thotë se do t’i forcojë robërit e Tij besimtarë. Bëhet fjalë për ata besimtarë që e kanë zemrën plot iman, që nxit dhe prodhon punë të mira dhe sjell bindjen e nënshtrimin ndaj Allahut. Allahu i Lartësuar do t’i forcojë këta besimtarë në këtë jetë dhe në ahiret. Në këtë jetë do t’i forcojë e do ti bëjë të qëndrueshëm në besimin e tyre të pastër, kundrejt çdo dyshimi e pasigurie. Këtë Ai e bën përmes udhëzimit të plotë, që u dhuron atyre. Allahu i Madhëruar i fuqizon me dije të dobishme dhe forcë për t’u nënshtruar, u jep siguri në fe dhe ua zbukuron imanin e punët e tij. Sa herë që përballen me dyshime, Zoti u jep siguri, përmes dritës së Shpalljes dhe diturisë së Tij. Sa herë që përballen me epshe, shfrenim dhe me zbukurim të kënaqësive, Ai u dhuron forcë dhe dëshirë të fortë për adhurime, që ata t’i japin përparësi asaj që e do Zoti, e jo dëshirave të tyre e kënaqësive të kësaj bote. Ndërsa në jetën tjetër, forcimi dhe ndihma e Zotit fillon që në momentet e vdekjes dhe agonisë së saj. Ai i forcon ata në Islam dhe u dhuron një mbyllje të mirë. Në varr i forcon gjatë pyetjeve të dy melekëve, që njeriu të japë përgjigjet e duhura. Ai do të pyetet: Kush është Zoti yt? Cila është feja jote? Kush është Profeti yt? Në atë çast të frikshëm e të vetmuar, Allahu i Lartësuar i ndihmon ata që të përgjigjen saktë dhe të thonë: Allahu është Zoti im. Islami është feja ime. Muhamedi (a.s)është Profeti im. Kështu përkujdeset Allahu i Madhëruar për besimtarët, në të gjitha gjendjet e fazat që do të përjetojnë. Ndërsa për të padrejtët. Ai thotë:
... ndërsa të padrejtët Allahu i lë në humbje. Allahu bën gjithçka që dëshiron. -
Ata janë të devijuar dhe nuk e gjejnë rrugën e drejtë. Ata nuk kanë për t’u ndihmuar as në dynja e as në ahiret. Një gjë është e sigurt: Allahu i Lartësuar nuk u bën asnjë padrejtësi, por ata i bëjnë padrejtësi vetvetes. Ky ajet është argument për sprovën me pyetjet e varrit dhe për vërtetësinë e dënimit dhe të shpërblimit pas vdekjes, në varr. Kjo është treguar edhe në hadithe të shumta dhe të sakta nga Profeti. Në vijim, Allahu i Madhëruar tregon gjendjen dhe përfundimin e kurejshëve, që refuzuan Profetin: