Pasi tregoi se do të sjellë dëshmitarë nga çdo popull, Allahu i Madhëruar tregon këtu të njëjtën gjë, por duke përmendur në mënyrë të veçantë dëshminë e profetëve të zgjedhur dhe të nderuar.
Atë Ditë, kur për secilin popull Ne do të sjellim një dëshmitar kundër tyre, edhe ty do të të sjellim si dëshmitar kundër këtyre (popullit tënd). -
Do të të sjellim për të dëshmuar në lidhje me umetin tënd, për të mirat e për të këqijat që ata kanë bërë. Kjo tregon për drejtësinë e madhe të Allahut, i Cili për çdo popull do të sjellë si dëshmitar profetin e tyre, sepse profetët janë më të diturit rreth veprimeve të popujve të tyre. Profetët janë gjithashtu njerëzit më të dhembshur e më të mëshirshëm për popujt e tyre, prandaj kurrë nuk do të dëshmonin padrejtësisht, por veçse të vërtetën. Ky varg i përngjason ajetit tjetër kuranor: “Dhe kështu, Ne ju bëmë ju një popull të ekuilibruar, për të qenë dëshmitarë (Ditën e Gjykimit) për popujt. Edhe i Dërguari ka për të qenë dëshmitar për ju.” [Bekare 143]. Gjithashtu, i Madhëruari thotë: “Si do të bëhet kur, për çdo popull, Ne do të sjellim dëshmitarë, ndërsa ty (O Muhamed) do të të sjellim dëshmitar për të gjithë ata? Atë ditë, ata që nuk kanë besuar dhe që kanë kundërshtuar të Dërguarin, do të dëshironin të rrafshohej toka mbi ta, sepse ata nuk do mund t’i fshehin Allahut asgjë.” [Nisa 43, 44].
Ne ta shpallëm ty Librin si sqarim për çdo gjë, si udhëzim e mëshirë dhe si përgëzim për muslimanët. - Ne ta shpallëm Librin si qartësim të themeleve të fesë dhe degëzimeve të saj, por edhe si sqarim dhe udhëzim për çështjet e kësaj jete dhe për gjithçka që njerëzit kanë nevojë. Në të gjitha këto aspekte, Kur'ani sjell shpjegimin më të qartë, me fjalët më të kuptueshme, më të zgjedhura dhe më kuptimplota. Madje, për çështjet më të rëndësishme Kur'ani sjell sqarime të përsëritura, që ato të jenë të pranishme vazhdimisht në zemrat tona. Të tilla janë zemrat: ato kanë nevojë që t’i kujtojnë vazhdimisht çështjet madhore. Allahu i Madhëruar i përsërit këto mesazhe me formulime e fjalë të ndryshme dhe duke sjellë fakte e argumente të larmishme, në mënyrë që ato të zënë rrënjë të thella në zemër. Nëse zënë vend mirë në zemrën e besimtarit, këto mesazhe e mësime do të bëjnë që prej tyre të rrjedhin vepra të mira dhe udhëzimi të bëhet i palëkundur. Në varësi të ngulitjes së këtyre mësimeve në zemrën e besimtarit do të jetë edhe udhëzimi e mirësia. Përmes fjalëve të pakta e të qarta, Allahu i Madhëruar sjell kuptime të shumta dhe të gjera, të cilat shërbejnë si rregulla e parime themelore për arritjen e çdo mirësie dhe shpëtimin nga çdo e keqe. Të tilla janë ajetet që do të vijnë më pas. Në to sillen urdhëresa, ndalesa e porosi themelore. Duke qenë se Kur'ani është qartësim për gjithçka, atëherë ai është argument i pakundërshtueshëm për të gjithë njerëzit dhe ata e kanë detyrë të nënshtrohen e të jetojnë sipas tij. Asnjë jobesimtar dhe njeri i padrejtë nuk do të mund të shfajësohet tek Zoti. Muslimanët, nga ana tjetër, ndriçohen e përfitojnë nga ky udhëzim. Kur'ani është dritë e udhërrëfyes, përmes të cilit ata ndriçohen në çështjet e kësaj jete dhe tjetrës. Gjithashtu, Kur'ani është mëshirë për ta, përmes së cilës do të arrijnë mirësitë në të dyja jetët. Udhëzimi dhe mëshira mundësohen përmes diturisë së dobishme e korrekte dhe punëve të mira sipas kësaj diturie. Në fakt, mëshira që sjell Kur'ani del qartësisht përmes shpërblimit dhe mirësive të shumta në këtë botë dhe në tjetrën që ai i ofron njeriut. Kur'ani është mëshirë e dhuruar nga Zoti, sepse ai rregullon zemrat, i pastron e përmirëson ato, u sjell paqe dhe qetësi. Ai është mëshirë, sepse plotëson logjikën, e cila mund të kompletohet veçse duke medituar në kumtet e tij, që, pa dyshim, janë më të lartat. Kur'ani është mëshirë, sepse edukon bartësit dhe besimtarët e tij në punët më të mira, në moralet më të larta dhe në virtytet më të mrekullueshme. Është mëshirë, gjithashtu, sepse ai shton begatitë dhe sjell epërsi mbi armiqtë, qoftë në fjalë apo vepra. Zbatimi i Kur'anit sjell kënaqësinë e Allahut dhe sjell nder për besimtarin. Ai e sjell njeriun shumë pranë bujarisë së madhe të Allahut të Lartësuar, në shpërblimin e përgatitur në Xhenet, ku ndodhet mirësia e përtejshme, që e di veçse Zoti i botëve.