Këto ajete përmbajnë disa çështje. Në to përmendet një prej mrekullive të Profetit. Ato përmbajnë gjithashtu një ngushëllim, i cili i qetësoi zemrat e besimtarëve. Ajetet tregojnë kundërshtimin e qafirëve ndaj caktimit të Zotit dhe urdhrave të Tij, si edhe përgjigjen ndaj këtij kundërshtimi me tri pika. Në ajete paraqiten cilësitë e atyre që kundërshtojnë ligjet e Zotit, nga njëra anë, si edhe cilësitë e atyre që i pranojnë plotësisht këto ligje, nga ana tjetër. Allahu i Lartësuar në këto ajete flet për një kategori njerëzish, të cilët i quan ‘sufehâ’ -mendjelehtë. Këta mendjelehtë kundërshtojnë dispozitat e shpallura prej Allahut të Lartësuar. Sufehâ quhen ata të cilët nuk dinë të dallojnë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe për ta. Madje, ata janë aq të paqëndrueshëm dhe të nxituar, saqë për hir të gjërave më të ulëta, janë gati të shesin të mirat më të mëdha që mund të ketë një njeri. Njerëzit mendjelehtë për të cilët flet ajeti janë çifutët, të krishterët dhe të gjithë ata që kundërshtojnë dispozitat e shpallura nga Zoti. Në rastin konkret, kundërshtimi ishte për shkak të ndryshimit të Kiblës. Gjatë kohës kur jetonin në Mekë, muslimanët ishin të urdhëruar të drejtoheshin për nga Xhamia e Shenjtë në Palestinë, kur ata falnin namazin. Po kështu vazhduan të faleshin edhe pas emigrimit në Medinë, për afro një vit e gjysmë. Në këtë caktim të Tij, Allahu i Lartësuar kishte fshehur mjaft urtësi, disa prej të cilave do të tregohen më poshtë. Një vit e gjysmë pas vajtjes në Medinë, Allahu i Lartësuar, me urtësinë e Tij, i urdhëroi besimtarët që të drejtoheshin për nga Qabja. Allahu i Lartësuar i lajmëroi besimtarët se mendjelehtët patjetër që do ta kundërshtonin urdhrin e Tij, duke thënë:
Njerëzit mendjelehtë do të thonë: “Çfarë i ktheu ata (muslimanët) prej Kibles së mëparshme?” –
Kiblën nga Bejtul Mukadesi, Xhamia e Shenjtë në Palestinë, në drejtim të Qabesë? Çfarë i shtyu ata të bënin këtë ndryshim? Kjo pyetje e tyre shprehte kundërshtim të hapur dhe pakënaqësi ndaj caktimit të Zotit dhe ndaj ligjeve të shpallura prej Tij. Ajo qe një shprehje e poshtër e mosmirënjohjes ndaj dhuratave dhe mirësive të falura prej Allahut Bujar dhe të Urtë. Por Allahu i Madhëruar i qetësoi besimtarët, fillimisht, duke i paralajmëruar ata për fjalët që do të dëgjonin prej mendjelehtëve. Ai u tregoi se të tilla fjalë kundërshtuese buronin veçse prej njerëzve mendjelehtë, të paditur dhe të pafe. Urdhrat e Zotit i kundërshtojnë veçse mendjecekëtit. Kështu, nuk ia vlen që të shqetësohesh për hir të këtyre mendjelehtëve. Të urtët dhe të diturit nuk duhet të merakosen për fjalët e atyre, sepse është shumë e qartë se nga vijnë ato. Ky ajet tregon, pra, se urdhrat dhe dispozitat e shpallura prej Allahut i kundërshtojnë veçse ata që janë mendjelehtë, injorantë dhe inatçorë. Ndërsa të diturit, të urtët, të udhëzuarit dhe besimtarët i pranojnë pa mëdyshje këto urdhra dhe dispozita. Ata jo vetëm që i pranojnë, por edhe nënshtrohen plotësisht për zbatimin e tyre. I Lartësuari thotë në suren Ahzabë, ajeti 36: “Kur Allahu ose i dërguari i Tij kanë vendosur për një çështje, nuk i takon (nuk i lejohet) besimtarit dhe besimtares që të gjejnë ndonjë gjykim tjetër në të. Kush e kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, është në rrugë krejt të gabuar.” Dhe thotë në suren Nisa, ajeti 65: “Për Zotin tënd, jo. Ata nuk janë besimtarë, përderisa nuk të zgjedhin ty për të gjykuar në konfliktet mes tyre dhe pastaj të mos ndiejnë kurrfarë pakënaqësie nga gjykimi yt, por të të binden sinqerisht.” Dhe thotë në suren Nur, ajetet 51, 52: “Kur besimtarët ftohen, që ndërmjet tyre të gjykojë Allahu dhe i dërguari i Tij, e vetmja fjalë që thonë, është: “Dëgjuam dhe bindemi.” Ata janë të shpëtuarit. Kush i bindet Allahun dhe të dërguarit të Tij dhe kush ka frikë Allahun dhe i përmbahet udhëzimit të Tij, - ata do të jenë fitimtarët (që do të arrijnë çdo të mirë).” Duke i përshkruar ata si “mendjelehtë”, është e panevojshme që t’i jepet ndonjë përgjigje pyetjes së tyre të kotë. Nuk ia vlen që atyre t'u kushtohet vëmendje më shumë se kaq. Megjithatë, edhe në këtë rast, Allahu i Lartësuar nuk do të lejonte që ky dyshim dhe kundërshtim i hedhur prej sufehâ-ve të kalonte pa u sqaruar dhe pa përgjigje. Allahu i Lartësuar e bëri këtë, me qëllim që në zemrat e njerëzve të mos mbetej asnjë lloj paqartësie. Ai thotë:
Thuaju: “Të Allahut janë Lindja dhe Perëndimi.” -
Kështu pra, nëse Lindja dhe Perëndimi janë pronë e Allahut, atëherë kjo do të thotë që nuk ka asnjë drejtim tjetër në gjithësi që të mos jetë pronë e Tij. Edhe udhëzimi për të kuptuar të vërtetën është në dorën e Tij. Ai udhëzon në rrugën e drejtë kë dëshiron. Ndryshimi i Kiblës është, gjithashtu, udhëzim i urtë i dhuruar prej Tij, që ju njerëz të faleni drejt Kiblës së babait tuaj, Ibrahimit (a.s.). Atëherë, kur çështja qëndron kështu, përse kundërshtojnë ata? Përse e kundërshtojnë urdhrin për t'u drejtuar në njërin nga kahet që është, gjithsesi, pronë e Allahut të Lartësuar? Vetëm fakti që drejtimi i ri i faljes, sikurse të gjitha drejtimet e tjera, është pronë e Allahut, do të mjaftonte që ai të respektohej pa ngurruar. Atëherë, si duhet të veprohet kur dihet se ai vjen si dhuratë nga Allahu i Lartësuar, si një udhëzim drejt rrugës së lumturisë dhe mirësisë?! Përgjigjja është e qartë. Nënshtrimi duhet të jetë i plotë dhe me kënaqësinë më të madhe. Ata që i kundërshtojnë të tilla urdhra i shtyn veçse zilia kundër besimtarëve, për dhuratat dhe mirësitë që Zoti u jep atyre.
“Ai udhëzon në rrugën e drejtë atë që do”. -
Sipas kuptimit të drejtpërdrejtë të ajetit, udhëzimi i njerëzve është i kushtëzuar nga dëshira absolute e Allahut të Urtë dhe të Drejtë për t’i udhëzuar ose jo ata. Ky kuptim është tepër i saktë dhe i pakundërshtueshëm. Me fjalë të tjera, nuk ka dyshim se askush nuk mund ta gjejë udhëzimin e drejtë nëse këtë nuk e dëshiron Allahu i Lartësuar dhe i Drejtë. Por ky fakt nuk i bën të pavlefshme shkaqet njerëzore që bëjnë të meritueshëm udhëzimin ose humbjen, sepse si udhëzimi, ashtu edhe humbja e rrugës së drejtë, kanë shkaqe që i bëjnë të meritueshme ato. Vërtet Allahu i Lartësuar udhëzon atë që Ai dëshiron, por këtë e bën në përputhje të plotë me urtësinë dhe drejtësinë e Tij. Po me urtësinë dhe drejtësinë e Tij, Ai i lë në humbje ata që dëshiron. Nëse robi i zbaton dhe u nënshtrohet shkaqeve që të çojnë në udhëzim, atëherë Allahu i Lartësuar, me urtësinë, dijen dhe drejtësinë e Tij, i jep sukses atij për të ecur në rrugën e udhëzimit. E njëjta gjë vlen edhe për devijimin. Ajetet e Kur’ânit shpjegojnë njëri-tjetrin. Kështu, në një prej tyre thuhet: “Allahu fton për në Shtëpinë e Paqes (Xhenet) dhe udhëzon në rrugë të drejtë atë që Ai dëshiron. Atyre, që bëjnë vepra të mira u takon e mira, madje edhe më shumë. Fytyrat e tyre nuk i mbulon pluhuri i zi e as nënçmimi. Ata janë banorë të Xhenetit. Ata do të jenë atje përjetësisht. Për ata që bënë të këqija, (le ta dinë se) dënimi i të keqes është aq sa e keqja. Ata do t’i mbulojë poshtërimi. Ata nuk mund t’i mbrojë kush nga Allahu. Fytyrat e tyre do të jenë sikur t’i ketë mbuluar një pjesë nga terri i natës. Ata janë banorë të Zjarrit. Ata do të jenë atje përjetësisht.” [Junus 25-27]. Diku tjetër, Allahu thotë: “Thuaj: “A ka ndonjë prej idhujve tuaj që ta drejtojë ndonjë të humbur tek e Vërteta? Thuaj: “Vetëm Allahu udhëzon për tek e Vërteta. Atëherë, a është më e drejtë të shkohet pas atij që udhëzon për tek e Vërteta, apo pas atij që nuk mund të udhëzojë, vetëm nëse udhëzohet prej dikujt tjetër? Atëherë ç’është me ju, si gjykoni kështu?!” Shumica e tyre pasojnë veçse hamendësime; por hamendësimi nuk është asgjë ndaj së vërtetës. Allahu di gjithçka që ata bëjnë.” [Junus 35-36]. Allahu thotë gjithashtu: “Betohem për natën, që me errësirë mbulon gjithësinë, për ditën, kur ajo shkëlqen dhe për Atë që krijoi mashkullin e femrën. Vërtet, veprat tuaja janë të ndryshme. Atij, që jep dhe ruhet, që e beson me bindje të plotë më të mirën, Ne do t'ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit. Atij që tregohet koprrac dhe e ndien veten të panevojë (për Zotin), dhe që mohon më të mirën, Ne do t'ia lehtësojmë atij rrugën drejt dënimit. Pasuria nuk do t’i bëjë dobi, kur ai të shkatërrohet. Është detyra Jonë udhëzimi. Vetëm e Jona është Bota tjetër edhe kjo.” [Lejl 1-13]. Në ajetet e mëposhtme, Allahu i Lartësuar tregon shkakun e udhëzimit të këtij umeti (muslimanëve) në gjithçka të mirë dhe të drejtë: