Çdokush ka një drejtim, nga i cili kthehet. -
Kuptimi: Çdo populli, të cilit i kemi zbritur rregulla për të zbatuar, i kemi përcaktuar edhe një pikë nga e cila duhet të drejtohej gjatë kryerjes së adhurimeve. Përcaktimi i Kiblës së adhurimeve është nga ato lloj ligjesh, që e pranojnë anulimin dhe ndryshimin, në varësi të kohës dhe situatës. Duhet kuptuar që, çështja themelore dhe më e rëndësishme është nënshtrimi dhe bindja ndaj urdhrave dhe dispozitave të Zotit. Njeriu duhet t'i nënshtrohet dhe bindet Krijuesit të tij, në çdo kohë, dhe duhet të synojë gjithmonë afrimin tek Ai me punë të mira. Vetëm kjo i mundëson njeriut lumturinë në të dyja jetët. Çdokush që e humb këtë mundësi dhe nuk stoliset me të tilla cilësi, është i destinuar të dëshpërohet në këtë jetë dhe në jetën tjetër të pasosur. Bindja ndaj urdhrave të Zotit është e vetmja mundësi shpëtimi. Kjo është pohuar nga të gjitha Shpalljet hynore dhe të gjithë janë të një mendimi për këtë çështje. Madje, shkaku pse Allahu i Lartësuar i krijoi krijesat është nënshtrimi dhe bindja ndaj Tij. Më tej, i Madhëruari urdhëron dhe thotë:
Garoni në vepra të mira! -
Allahu i Lartësuar urdhëron për të garuar me punë të mira. Ky urdhër kërkon më shumë sesa thjesht të kryejmë vepra të mira, sepse garimi nënkupton edhe përpjekjen për t'i kryer ato në formën më të plotë e më të bukur. Kush garon në këtë jetë për të bërë punë të mira do të jetë i pari që do të shijojë kënaqësinë e Xhenetit në ahiret. Ai do të arrijë i pari në të. Garuesit do të kenë gradat më të larta në atë botë. Fjala “ħajrât” (vepra të mira) i përfshin të gjitha llojet e veprave të mira, qofshin ato të detyrueshme apo vullnetare, qofshin ato namaze, agjërime, sadaka, haxh, xhihad në rrugën e Allahut etj. Ajo përfshin çdo punë të mirë, qoftë mirësia e saj vetëm për vepruesin apo edhe për të tjerët. Duke qenë se nxitësi më i madh për të garuar në punë të mira është shpërblimi i përgatitur tek Allahu, ajeti vijon:
Kudo që të jeni, Allahu ka për t’ju tubuar të gjithëve. Allahu është i Plotpushtetshëm për gjithçka. -
Nuk ka dyshim se Allahu i Lartësuar ka për t'i grumbulluar të gjitha krijesat Ditën e Gjykimit, për t'i shpërblyer ato, me drejtësinë dhe bamirësinë e Tij, për gjithçka që kanë bërë në dynja. Çdokush do të marrë shpërblimin për aq sa ka punuar. Në suren Nexhm, ajeti 31, i Lartësuari thotë: “Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ai ka për t'i dënuar ata që bëjnë keq sipas veprave të veta e ka për t’u dhënë shpërblimin më të mirë atyre që bëjnë vepra të mira.” Ky ajet është argument dhe nxitës për të kryer çdo adhurim në formën dhe mënyrën më të mirë, si për shembull, falja e namazit sapo hyn koha e tij, kryerja pa vonesë e agjërimit të ditëve të mbetura nga Ramazani, kryerja e haxhit, dhënia e zekatit në kohën e tij të përcaktuar. Përkryerja e adhurimit farz nënkupton edhe plotësimin e tij me anë të adhurimeve vullnetare. Kështu, mangësitë e namazeve farze i plotësojnë namazet vullnetare, e kështu me radhë. Subhanallah! Sa madhështor është ky ajet! Sa i dobishëm është ai për adhuruesit!