“Allahu tallet me ta” -
Allahu tallet me ta dhe, duke i braktisur, i lë të bredhin edhe më shumë të çoroditur në mosbesimin e shfrenuar dhe në kalimin e kufijve. Kjo vjen si ndëshkim nga Allahu i Madhëruar, për shkak të talljes së tyre me adhuruesit e Tij. Tallja e Allahut me ta bëhet në shumë forma. Ai tallet me ta duke e zbukuruar në sytë e tyre gjendjen dhe jetën e poshtër e fatkeqe që jetojnë. Madje, me injorancën e tyre, ata mendojnë se janë përshtatur mirë me besimtarët. Kur jeta dhe pasuritë e tyre bëhen të paprekshme, ata mendojnë se po shtiren shumë mirë si besimtarë. Allahu i Madhëruar do të tallet me ta edhe në Ditën e Gjykimit, kur besimtarëve dhe munafikëve do t’u jepet dritë për të ecur mbi Sirat. Por, në momentin që besimtarët fillojnë të ecin të ndriçuar nga drita e tyre, drita që u është dhënë munafikëve shuhet dhe i lë ata të çoroditur në errësirën e plotë, pasi e kishin parë njëherë dritën me sy. Sa e hidhur duket shpresa e humbur, pasi e ke ndier njëherë aq pranë. Për këtë, Allahu i Madhëruar thotë: “Atë Ditë do t'i shihni besimtarët dhe besimtaret tek u ndriçon drita përpara dhe në të djathtë të tyre. (Atyre do t'u thuhet:) “Përgëzim për ju sot janë kopshtet, nëpër të cilët rrjedhin lumenj e ku do të jeni përgjithmonë. Kjo është fitorja e madhe.”Atë Ditë munafikët dhe munafiket do t'u thonë besimtarëve: “Na prisni pak, që edhe të ndriçohemi prej dritës suaj!” Atyre do t'u thuhet: “Kthehuni pas (në dynja) dhe kërkoni atje ndonjë dritë!” Atëherë, ndërmjet tyre vendoset një mur, që ka një derë. Nga brenda tij është mëshira, ndërsa nga jashtë tij është dënimi. Ata (munafikët) u thërrasin (besimtarëve): “A nuk kemi qenë edhe ne së bashku me ju!?” - “Po, por ju e shkatërruat veten, sepse ju prisnit kob të zi për besimtarët, dyshonit në çështjet e fesë dhe ju mashtroi jeta e dynjasë, derisa ju erdhi (vdekja) kaderi i Zotit. Gënjeshtari ju mashtroi rreth Allahut. Sot prej jush (o munafikë) nuk pranohet asnjë lloj kompensimi dhe as prej jobesimtarëve. Zjarri është vendi juaj, sepse atë meritoni. Sa përfundim i keq është ai!”. [Hadidë, 12 – 15]. Më tej, Allahu i Lartësuar thotë:
“…duke i lënë të bredhin edhe më shumë në mosbesimin e tyre” -
Shprehja ‘jemud-duhum’ do të thotë: ua shton edhe më shumë mundësitë vepruese, ose i lejon të vazhdojnë më thellë. Ku? Në ç`aspekt? Përgjigja: ‘fî ŧuĝjânihim’ – “në mosbesimin e tyre”, pra: në tejkalimin e kufijve, me poshtërsi, kufër dhe mosbindje. Fjala tjetër: “Jea’mehûn” domethënë: ‘hallakaten të çoroditur’. Ata hallakaten të çoroditur, të luhatur dhe gjithmonë të mbushur me mëdyshje dhe dyshime. Kjo është një formë talljeje, me të cilën Allahu i Madhëruar i ‘shpërblen’ ata. Më pas, Allahu i Madhëruar, shfaq thelbin e gjendjes së tyre të vërtetë, duke thënë: