Më kujtoni, që edhe Unë t’ju kujtoj. -
Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na urdhëron që ne ta kujtojmë vazhdimisht Atë. Nëse e bëjmë këtë, atëherë Ai na ka premtuar shpërblimin më të madh që mund të ëndërrojë një adhurues: “…që edhe Unë t’ju kujtoj”. Profeti (a.s) përcjell tek ne këto fjalë të Allahut të Lartësuar dhe Bujar, që thotë: “Atë që më kujton Mua në veten e Tij, Unë e kujtoj atë në veten Time. Atë që më kujton Mua në një grup njerëzish, Unë e kujtoj atë në një grupim më të mirë se ai”. Kujtimi më i plotë dhe më i mirë i adhuruesit për Zotin e tij është ai që bëhet me gjuhë dhe zemër bashkë. Ky lloj kujtimi shton në zemër njohjen dhe dashurinë për Allahun e Lartësuar. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar e shpërblen atë njeri me mirësi të shumta. Kujtimi i Allahut të Lartësuar është kushti kryesor për t’u treguar mirënjohës ndaj Tij, prandaj Allahu i Lartësuar urdhëron veçanërisht për kujtimin dhe pastaj urdhëron përgjithësisht për mirënjohje ndaj Tij. Në vijim, i Lartësuari thotë:
Më falënderoni… -
Kuptimi: Jini mirënjohës për mirësitë që ju kam dhuruar dhe për të këqijat që jua kam larguar! Mirënjohja bëhet me zemër, me fjalë dhe me vepra. Mirënjohja me zemër bëhet duke i pranuar plotësisht dhe me përulje mirësitë e Zotit. Mirënjohja me fjalë bëhet duke e falënderuar dhe duke e lavdëruar Allahun e Lartësuar. Mirënjohja me vepra bëhet duke i kryer ato si bindje ndaj Krijuesit dhe ndaj urdhrave të Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij. Nëse robi tregon vërtet një mirënjohje të tillë, ai garantohet për dy gjëra:
1. Ruajtja e paprekur e mirësive, të cilat i zotëron.
2. Shtimi i mirësive ekzistuese dhe i të mirave që ende nuk i zotëron.
I Lartësuari thotë: “Zoti juaj shpalli: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj të mirat, por nëse do të tregoheni mosmirënjohës, të jeni të bindur se dënimi Im është, vërtet shumë i rëndë.”” [Ibrahim, 7]. Nga ky urdhër që Allahu i Lartësuar u jep adhuruesve, për të qenë mirënjohës ndaj Tij, pas përmendjes së mirësive që u përmendën më sipër, kuptojmë që ato janë mirësitë më të mëdha për të cilat duhet falënderuar Allahu i Lartësuar. Me fjalë të tjera, urdhri për të qenë mirënjohës, tregon se mirësitë e lartpërmendura janë shumë të mëdha. A ka mirësi më të madhe se dija që Allahu i Lartësuar i dhuroi këtij umeti, me anë të së cilës lartësohen dhe pastrohen mendja, trupi dhe shpirti?! Allahu jo vetëm që i pajisi me këtë dije të dobishme, por edhe u dha sukses që të veprojnë dhe të jetojnë sipas saj. E pra, kjo është mirësia më e madhe, e cila kurrë nuk zhduket, edhe nëse ikën çdo lloj mirësie tjetër. Prandaj është detyrë për këdo, të cilit Allahu i Lartësuar i dhuroi këtë dije dhe i dha sukses që të punojë dhe të jetojë sipas saj, që ta falënderojë Atë pareshtur. Duke falënderuar Allahun, mirësitë e Tij ruhen, dhe jo vetëm kaq, por edhe shtohen më tepër. Mirënjohësve, Allahu i Lartësuar ua shton mirësitë dhe i ruan nga sëmundja e vetëkënaqësisë. Duke qenë se mirënjohja është e kundërta e mohimit, Allahu i Lartësuar thotë:
…e mos më mohoni! -
Fjala “kufr” (mohim) është përdorur këtu përballë fjalës “shukr” (mirënjohje). Pra, është fjala për mohimin e mirësive dhe mosmirënjohjen ndaj tyre. Por ka mundësi që fjala “mohim” të jetë sjellë me një kuptim më të gjerë, në të cilin hyn mohimi i Zotit dhe të gjitha llojet e tjera të poshtërsive dhe të mosmirënjohjes. Në këtë vështrim, Allahu i Lartësuar na i ka ndaluar të gjitha llojet e mohimit.