O ju që keni besuar! Kërkoni ndihmë me durim dhe me namaz!” -
Allahu i Lartësuar i urdhëron besimtarët që, në të gjitha çështjet fetare ose të kësaj dynjaje, të kërkojnë ndihmë dhe zgjidhje me anë të dy mënyrave: me durim dhe me namaz. Durimi do të thotë ta nënshtrosh veten që të pranojë ato gjëra që ajo i urren. Në fakt, ka tri lloje durimi:
1. Durimi që tregohet në bindjen ndaj Allahut të Lartësuar, derisa të zbatosh çdo urdhër të Tij.
2. Durimi që duhet të tregojmë për t`u larguar nga haramet dhe për të mos shkelur kufijtë e Allahut.
3. Durimi gjatë ngjarjeve të dhimbshme, të cilat Allahu i Lartësuar i ka përcaktuar për ne, duke i pranuar ato me zemër të kënaqur dhe duke mos shprehur as më të voglin zemërim rreth tyre.
Durimi është ndihma më e madhe për të arritur gjithçka. Të paduruarit nuk kanë asnjë rrugë për të arritur objektivat e tyre, sidomos kur bëhet fjalë për nënshtrimin e vetes në kryerjen e adhurimeve të vazhdueshme, të cilat janë të vështira për shpirtin. Ato nuk mund të kryhen pa qenë i pajisur me durim, që shërben për të kapërcyer çdo moment vështirësie. Nëse adhuruesi është sistematik në durimin që tregon, do të arrijë çdo pikësynim dhe do të shpëtojë nga çdo gjë së cilës i druhet. Por nëse ai e lëshon veten para vështirësive dhe vuajtjeve që shkakton durimi, do t'i humbasë të gjitha. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për largimin nga ndalesat e Allahut të Lartësuar. Vërtet ato janë shumë të vështira për t'u përballuar, por kjo nuk do të thotë që është e pamundur. Prej tyre mund të largohesh vetëm duke patur shumë durim, i cili arrihet duke iu mbështetur Allahut të Madhëruar dhe duke kërkuar ndihmën e Tij. Të tilla janë edhe fatkeqësitë ose vuajtjet që Zoti ka përcaktuar për njeriun. Vështirësia e tyre shtohet sidomos kur ato zgjasin për një kohë të gjatë, sepse kjo shkakton dobësim të fuqisë trupore, shpirtërore dhe psikologjike, që nevojiten për të qenë të vazhdueshëm në durimin dhe kënaqësinë me caktimin e Allahut. Pas një kohe të gjatë sprovash, shpeshherë, njeriu shpërthen në pakënaqësi dhe ankesa, të cilat janë shprehje e durimit të dobët dhe mospranimit të caktimit të Allahut. Si përfundim, nëse njeriu nuk pajiset me durim, duke iu mbështetur Allahut, duke iu drejtuar vetëm Atij për gjithçka që e shqetëson dhe duke i shprehur Atij varfërinë dhe nevojën e tij për ndihmën dhe çlirimin e Allahut, atëherë është e pamundur që ai t’i kalojë sprovat me sukses. Pra, nga ky ajet kuptohet që robi e ka të domosdoshme të pajiset me durim, në çdo kohë dhe në çdo gjendje. Allahu i Lartësuar ka urdhëruar që ta kultivojmë durimin dhe na ka treguar se Ai është në krah të durimtarëve:
Vërtet, Allahu është me durimtarët. -
Domethënë, Allahu është me ata, për të cilët durimi është bërë një cilësi e pandashme, një virtyt i përhershëm, por që, sigurisht, është fituar me ndihmën e Allahut të Lartësuar dhe Bujar. Me durimin e dhuruar, atyre u lehtësohet çdo mundim: çdo fatkeqësi e madhe, për ta bëhet e vogël. Allahu i Lartësuar thotë se është me durimtarët. Kjo prani është e posaçme vetëm për ta dhe shoqërohet me dashurinë, ndihmën, udhëzimin, suksesin dhe fitoren që Allahu i Lartësuar u fal atyre. Sikur durimtarët të mos kishin shpërblim tjetër përveç këtij afrimiteti të Allahut të Lartësuar, kaq do të mjaftonte si privilegj për ta. Ky është njëri lloj i afërsisë së Zotit me krijesat, domethënë “afërsia e posaçme”. Ndërsa lloji i dytë është “afërsia e përgjithshme”, që tregon se Allahu i Lartësuar është pranë krijesave në përgjithësi, me dijen dhe pushtetin e Tij absolut, sikurse thotë Ai në suren Hadidë: “Ai është afër jush kudo që të jeni...”. Më tej, Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që të kërkojmë ndihmë edhe me namaz, sepse namazi është shtylla e fesë dhe drita e besimtarëve. Ai është lidhja e fortë mes adhuruesit dhe Zotit të Tij. Kur namazi i adhuruesit është i plotë në të gjitha aspektet, qoftë në veprime apo fjalë, dhe nëse ai është i pranishëm në namaz me zemrën e tij, duke e ndier thellësisht se po del përpara Krijuesit dhe duke qenë përqendruar totalisht në lutjet e tij, atëherë një namaz i tillë bëhet patjetër një ndihmë e jashtëzakonshme për këdo që kërkon ndihmë dhe mbështetje. Ky lloj namazi të ndalon, gjithashtu, nga çdo fjalë dhe vepër e shëmtuar, nga njëra anë, dhe të nxit për të kryer çdo urdhër të Zotit, nga ana tjetër.