Sa bukur lidhen këto ajete me ato paraardhëset! Pasi solli disa argumente bindëse për njëshmërinë e Tij, Allahu i Lartësuar vijon e thotë se përsëri ka njerëz në botë që, së bashku me Allahun, adhurojnë zota të tjerë, duke i konsideruar ata të barabartë me Të.
Ka njerëz që, në vend të Allahut, adhurojnë idhujt, të cilët i duan sikurse Allahun. -
Pra, ata i konsiderojnë idhujt e tyre si të barabartë me Allahun, në kushtimin e adhurimit dhe dashurisë së tyre. Njerëz të tillë janë në humbje të sigurt, sepse kundërshtojnë hapur të vërtetën e qartë dhe kanë zgjedhur të jenë kundërshtarë të Zotit. Ata nuk meditojnë mbi ajetet e Allahut të Lartësuar ose mbi shenjat dhe argumentet e Tij në gjithësi. Ata nuk kanë asnjë lloj justifikimi për zgjedhjen e gabuar që kanë bërë, prandaj e meritojnë ndëshkimin e Allahut. Ata e dinë shumë mirë se Allahu i Lartësuar është i vetmi Krijues, Furnizues, Administrues dhe Kujdestar i krijesave, por gabimi i tyre është se ata adhurojnë edhe zota të tjerë, duke e menduar këtë si një mënyrë që të afron tek Allahu i Lartësuar. Nga fjalët e përdorura në ajet, kuptohet se ‘zotat’ e tyre, në fakt, nuk e meritojnë të adhurohen, por janë njerëzit e humbur që i trajtojnë ashtu. Thënë ndryshe, ata nuk janë gjë tjetër, por veçse emërtime të kota, pa lidhje me realitetin, sikurse thotë i Lartësuari: “Ata (idhujt) nuk janë gjë tjetër, vetëm se emra, që ju dhe prindërit tuaj i caktuat. Allahu nuk zbriti për ta ndonjë fakt. Por ata ndjekin vetëm hamendësimet dhe dëshirat e veta, megjithëse prej Zotit të tyre u ka ardhur udhëzimi i qartë.” [Nexhm, 23]. Allahu i Lartësuar nuk mund të ketë të barabartë me Të. Krijesa nuk mund të jetë kurrë si Krijuesi. Vetëm Allahu i Lartësuar është Krijuesi, ndërsa çdo gjë tjetër veç Tij është krijesë. Vetëm Zoti është Furnizues, dhe çdo gjë tjetër është e furnizuar dhe nevojtare për furnizimin e Tij. Allahu i Lartësuar është i Pasuri, që nuk ka nevojë për asgjë, ndërsa ne jemi të varfër e nevojtarë ndaj Tij për çdo gjë. Ai është Absolut në çdo aspekt, ndërsa ne jemi të mangët në çdo aspekt. Allahu i Lartësuar është i Vetmi që ka në dorë dobinë dhe dëmin, ndërsa krijesat nuk kanë në dorë të bëjnë as dobi e as dëmin më të vogël. Nga e gjithë kjo, kuptohet se sa i kotë është besimi i atyre që, përveç Allahut, adhurojnë zota të tjerë, duke i konsideruar si të barabartë me Të, ndërkohë që asnjë krijesë, qoftë melek, profet, njeri i mirë, idhull etj., nuk mund të jetë e barabartë me Allahun. I vetmi që meriton dashuri të plotë dhe nënshtrim total është Allahu i Lartësuar. Për këtë, Allahu i Lartësuar i lëvdon besimtarët, duke thënë se:
…Por, për ata që besuan, dashuria për Allahun është shumë më e fortë. -
Pra, besimtarët e duan Zotin e tyre të vetëm, Allahun e Lartësuar, me një dashuri shumë më të fortë dhe më të madhe se dashuria e këtyre idhujtarëve për idhujt e tyre. Besimtarët ia kushtojnë të gjithë dashurinë vetëm Allahut të Lartësuar, ndërsa idhujtarët lënë vend në zemrat e tyre edhe për idhujt e tyre. Dashuria e besimtarëve për Allahun është shumë më e fortë, sepse ata duan Atë që e meriton vërtet dashurinë. Dashuria për Allahun siguron lumturinë dhe suksesin e adhuruesve të Tij në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Ndërsa idhujtarët duan ato gjëra që nuk meritojnë asnjë grimcë dashurie. Dashuria ndaj idhujve është shkatërrim dhe trishtim. Ajo e prish gjendjen e robit dhe e çorodit atë në çdo drejtim, madje të çon drejt ndëshkimit më të rëndë. Për këtë arsye, i Lartësuari i kërcënon idhujtarët, duke thënë:
…Ah sikur ta dinin ata që bëjnë padrejtësi … -
Domethënë, ata që bëjnë padrejtësi duke adhuruar idhujt e tyre. Ata iu nënshtrohen idhujve, në vend që t’i nënshtrohen Allahut, Zotit të krijesave. Veç kësaj, ata i pengojnë krijesat e Zotit nga rruga e drejtë dhe nga besimi i saktë. Ata janë të padrejtë ndaj vetes dhe të tjerëve, sepse bëjnë vepra që janë në dëm të tyre.
…se, kur ta shohin dënimin… -
Domethënë, kur ta shohin me sytë e tyre të ballit, Ditën e Gjykimit.
…ata do të binden se e tërë fuqia i takon vetëm Allahut, dhe se Allahu është Ndëshkues i rreptë! -
Atëherë do të binden plotësisht se fuqia dhe pushteti është vetëm në dorën e Allahut të Lartësuar. Atë ditë do të binden se idhujt nuk kanë në dorë asnjë lloj fuqie për të ndihmuar adhuruesit e tyre. Atë ditë, ata do ta shohin qartë dobësinë dhe pafuqinë e idhujve, të cilët i kanë adhuruar përveç Allahut të Lartësuar. Në këtë dynja, idhujatarët nuk janë të qartë. Ata mendojnë që edhe idhujt e tyre kanë pushtet për çështje të ndryshme. Ata mendojnë se idhujt e tyre i afrojnë më tepër te Allahu i Lartësuar, dhe se vetëm nëpërmjet tyre mund të arrijnë kënaqësinë e Tij. Por ky iluzion i tyre është i kotë, prandaj çdo vepër e përpjekje që bëjnë ka për të dështuar. Për ta është i meritueshëm dhe i pashmangshëm ndëshkimi i ashpër në ahiret, ndërsa idhujt të cilëve u shprehin adhurimin dhe dashurinë e tyre, nuk kanë për t’i sjellë asnjë dobi dhe nuk kanë për t’i larguar asnjë dëm. Madje, pikërisht prej tyre, nga të cilët presin të mira, do t’u vijë ndëshkimi.