Ai ju urdhëron vetëm për të këqija e poshtërsi dhe ju shtyn që të thoni për Allahun gjëra që nuk i dini. -
Kuptimi: Ai ju urdhëron për të këqija, të cilat e trishtojnë personin që i kryen ato. Fjala “të këqija” përfshin të gjitha llojet e gjynaheve dhe të mosbindjes ndaj Zotit. Më pas vjen fjala “faĥshã” – “poshtërsi”, domethënë vepra e keqe në mosbindje ndaj Zotit, e cila sigurisht që përfshihet në termin “të këqija”, por ajo përmendet në mënyrë të veçantë për të përshkruar më hollësisht gjërat për të cilat urdhëron shejtani. Kështu, shejtani i urdhëron njerëzit për bërë të këqija, të cilat sjellin dëshpërim për vepruesit e tyre, dhe për të bërë vepra të ulëta, sikurse janë imoraliteti, konsumi i pijeve dehëse, vrasja pa të drejtë e tjetrit, shpifjet, koprracia etj., të cilat janë të fëlliqura për çdo njeri me logjikë. Një ndër veprat më të ndyra për të cilën shejtani i urdhëron njerëzit, është edhe ajo që thotë Allahu: “Ai ju shtyn që të thoni për Allahun gjëra që nuk i dini” - Në këtë përcaktim hyjnë:
- Ata që flasin rreth Allahut pa dije të sigurt dhe pa dëshmi të qarta, të sjella nga Ai, nëpërmjet Profetit të Tij.
- Ata që flasin rreth dispozitave dhe përcaktimeve të Zotit, pa dije dhe pa fakte.
- Ata që e përshkruajnë Allahun ndryshe nga ç'e ka përshkruar Ai Veten dhe ndryshe nga ç'e ka përshkruar Atë Profeti i Tij.
- Ata të cilët ia mohojnë Zotit ato cilësi, emra dhe vepra të Tij, të cilat Ai i ka pohuar për Veten e Tij dhe i ka pohuar për Të Profeti i Tij.
- Ata të cilët pretendojnë se Allahu i Lartësuar ka partnerë të barabartë me Të, të cilët i afrojnë adhuruesit e tyre tek Allahu i Lartësuar. Këta besojnë se idhujt, të cilët i adhurojnë dhe u përkushtohen, do t'i afrojnë më shumë tek Allahu i Lartësuar.
- Ata të cilët thonë: “Allahu e ka bërë këtë të lejuar dhe atë të ndaluar, për këtë ka urdhëruar dhe për atë ka ndaluar”, duke mos pasur asnjë dije dhe dëshmi nga Allahu i Lartësuar dhe Profeti i Tij.
- Ata të cilët pretendojnë se Allahu e ka krijuar këtë apo atë gjë, për këtë shkak dhe atë arsye, duke mos pasur për këtë dëshmi të sigurt nga Zoti dhe Profeti i Tij.
- Ata të cilët i interpretojnë fjalët e Allahut dhe të Profetit të Tij, duke u dhënë atyre kuptime që Allahu i Lartësuar dhe Profeti i tij nuk i kanë synuar kurrë, por që i kanë sajuar veç njerëzit e humbur. Ata e kuptojnë fjalën e Allahut dhe të Profetit të Tij veçse në formën dhe mënyrën e diktuar nga grupet e humbura, që janë pasues të shejtanit.
Njerëzit që flasin për Allahun pa dije konsiderohen si pasuesit më të denjë të shejtanit, sepse ata i pengojnë njerëzit të pinë nga i vetmi burim i shpëtimit të tyre, që është fjala e Zotit dhe e Profetit të Tij. Të folurit për Allahun pa dije dhe pa fakte është nga ligësitë më të mëdha që shejtani i mallkuar dhe ushtria e tij urdhërojnë. Ata përdorin të gjitha kurthet dhe mashtrimet për të devijuar krijesat nga e vetmja rrugë e vërtetë. Ndërsa Allahu i Lartësuar, nga ana tjetër, urdhëron për drejtësi, për vepra të mira e bamirësi ndaj të afërmve, dhe ndalon nga veprat e ulëta, të këqija dhe padrejtësitë. Kështu, robi gjendet mes dy ftesave, prandaj le të jetë i kujdesshëm se cilën rrugë do të pasojë, se fjalën e kujt do të dëgjojë dhe do të zbatojë. A do të ndjekë ftesën e Allahut drejt lumturisë së dynjasë dhe të ahiretit? A do të pranojë urdhrin, bindja ndaj të cilit sjell sukses, lumturi dhe prehje? A do të pasojë rrugën e Bamirësit të madh, i cili urdhëron veçse për mirësi dhe çdo gjë të dobishme dhe ndalon nga çdo gjë e keqe, e neveritshme dhe e dëmshme? Apo do të zgjedhë ftesën e shejtanit të mallkuar, i cili është armik i hapur i tij?! Si mund të ndjekë robi rrugën e atij që i dëshiron të keqen, dëshpërimin dhe vuajtjen në këtë jetë dhe në jetën tjetër?! A nuk e di ai se çdo e keqe vjen si pasojë e pranimit të ftesës së shejtanit dhe e miqësimit me të?! I mallkuari urdhëron veçse për vepra të fëlliqura e shkatërruese, dhe ndalon nga çdo vepër e mirë dhe e dobishme. Pastaj Allahu i Lartësuar flet për gjendjen e idhujtarëve dhe për mënyrën se si reagojnë ata kur ftohen për të pasuar rrugën e drejtë, të sjellë nga Profeti i Allahut. Ai na tregon përgjigjen e tyre, kur ftohen për të pasuar Shpalljen nga Zoti i gjithësisë. Kështu, edhe pse janë njohur me ftesat e mësipërme, ata thonë: