Përmendeni Allahun në ditë të caktuara. -
Allahu i Lartësuar na urdhëron që ta kujtojmë Atë në ditë të caktuara, të cilat janë tri ditët pas festës së Kurban Bajramit dhe të cilat quhen Ditët e Teshrikut. Këto ditë janë veçuar për shumë arsye, si:
Për vlerën e madhe të tyre tek Allahu i Lartësuar. Në këto ditë kryen ritet e fundit të haxhit, prandaj duhet kujtuar shumë Allahu i Lartësuar. Gjatë këtyre ditëve, njerëzit janë të ftuarit e Zotit në ditët e festës. Madje, për këtë arsye dhe për shkak se ato janë ditë gëzimi, ngrënieje, pirjeje etj., është i ndaluar agjërimi i tyre. Profeti (a.s) ka thënë: “Ditët e Teshrikut janë ditë kënaqësie, me ngrënie, pirje dhe me përmendje të Allahut”. Gjatë këtyre ditëve përmendet shumë Allahu i Lartësuar, por sidomos në disa situata të veçanta, si: gjatë hedhjes së gurëve në Akabe, gjatë therjes së kurbaneve apo pas përfundimit të namazeve farze, kur besimtarët thonë: “Allâhu ekber, Allâhu ekber, Allâhu ekber, lâ ilâhe il-lall-llâh, Allâhu ekber, Allâhu ekber, ue lil-lâhil ĥamd”. Disa dijetarë thonë se gjatë këtyre ditëve janë të pëlqyeshme edhe tekbiret, pra, të thuash: “Allahu ekber” sa më shumë.
Kush ngutet e largohet për dy ditë, nuk bën gjynah. -
Pra, ai që përfundon gjuajtjen e gurëve për dy ditë dhe del prej Minasë para perëndimit të diellit të ditës së dytë të gjuajtjeve, nuk bën gjynah që largohet dhe nuk rri për ditën e tretë të gjuajtjes së gurëve.
Por edhe ai që e shtyn nuk bën gjynah. -
Pra, edhe ai që qëndron në Mina për ditën e tretë të gjuajtjeve të gurëve nuk bën gjynah. Është një lehtësim nga Allahu i Lartësuar për adhuruesit e Tij, që ua ka bërë të lejuara të dyja mundësitë. Megjithatë, të qëndrosh tri ditë është më mirë sesa dy ditë, sepse një ditë më shumë do të thotë adhurime më shumë. Në fakt, ajeti: “Kush ngutet e largohet për dy ditë, nuk bën gjynah...” edhe mund të keqkuptohet, duke menduar se kush i plotëson apo nuk i plotëson tri ditët e qëndrimit nuk merr gjynah për asnjë vepër tjetër që ka bërë, pra, është i pastër nga të gjitha gjynahet. Por e vërteta nuk qëndron kështu, sepse askush nuk është i pastër nga gjynahet pas mbarimit të haxhit, përveç një kategorie të caktuar njerëzish, për të cilët Allahu i Lartësuar thotë:
... nëse përpiqet të jetë i devotshëm. -
Pra, vetëm ata që e kanë frikë ndëshkimin dhe zemërimin e Allahut dhe tregohen të kujdesshëm në përmbushjen e çdo dispozite, do të jenë të pastruar dhe të shpëtuar prej gjynaheve. Ndërsa ata që u ruhen vetëm disa gjërave dhe neglizhojnë të tjerat, do të shpërblehen për aq sa kanë bërë. Prandaj i Madhëruari thotë në vijim, duke e kujtuar disa herë këtë urdhër:
Atëherë, kijeni frikë Allahun dhe dijeni se do të tuboheni para Tij! -
Kuptimi: Ruajuni ndëshkimit dhe zemërimit të Allahut, duke plotësuar urdhrat e Tij dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij. Nëse e bëni këtë, të jeni të sigurt dhe të qetë se, kur të ktheheni tek Ai, do ta merrni të plotë shpërblimin e veprave të mira. Ai që druhet dhe i respekton dispozitat e Zotit, ka për ta gjetur shpërblimin e devotshmërisë së tij. Ndërsa ai që nuk ruhet dhe i shpërfill dispozitat e Zotit të tij, do të marrë ndëshkimin e merituar. Nëse njeriu e di se do të vijë një ditë, kur shpërblimi për veprat e kryera do të jepet me drejtësi, atëherë kjo është nxitje tepër e fortë për të që të pajiset me takua. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë: “...dijeni se do të tuboheni para Tij”, që kjo dije të thellohet dhe të shtohet prej adhuruesve të Tij.