Urdhri i Allahut të Lartësuar për të zhvilluar luftë kundër qafirëve është i vlefshëm, në përgjithësi, që të zbatohet në çdo kohë dhe në çdo vend, me përjashtim të disa kohëve dhe vendeve. I Lartësuari thotë:
Të pyesin ty për luftimin në Muajin e Ndaluar. -
Shumica e dijetarëve janë të mendimit se dispozita e ndalesës së luftës gjatë muajve të shenjtë është anuluar me dispozitën tjetër, e cila i urdhëron besimtarët që t'i luftojnë idhujtarët kudo që t'i gjejnë. Ndërsa disa komentues të Kur’ânit janë të mendimit se këtu nuk kemi të bëjmë me anulim dispozitash, por me një kufizim të dispozitave gjithëpërfshirëse. Për shembull, Allahu i Lartësuar thotë: “Juve ju është bërë detyrim lufta”, ose në ajetin tjetër të sures Teube, ku thotë: “...Luftojini idhujtarët bashkërisht”, ose në ajetin e përmendur më parë: “Luftojini ata kudo që t'i gjeni”. Këto ajete janë gjithëpërfshirëse dhe na japin të kuptojmë se idhujtarët duhen vrarë të gjithë, kudo dhe kurdoherë që të kapen, pa përjashtim. Por ka ajete të tjera në Kur’ân, që e kufizojnë gjithëpërfshirjen e tyre, siç është ajeti vijues:
Thuaju: “Luftimi gjatë tij është (shkelje) e rëndë... -
Ky ajet i përjashton muajt e shenjtë nga fusha gjithëpërfshirëse e ajeteve të mësipërme. Kështu, ajetet që na urdhërojnë për të zhvilluar luftë kundër idhujtarëve, pa treguar kufizim kohe e vendi, duhen vështruar në kontekst me ajetet përjashtuese të disa kohëve dhe vendeve të shenjta. Në këtë vështrim, zhvillimi i luftës në muajt e shenjtë vazhdon të jetë i ndaluar. Këtë mendim e përforcon edhe fakti që, një nga shkaqet më të rëndësishme që këta muaj quhen të shenjtë është se nuk lejohet të bësh luftë gjatë tyre. Megjithatë, duhet të jetë e qartë se, gjatë muajve të shenjtë, është e ndaluar lufta mësymëse apo kur muslimanët kërkojnë të çlirojnë vende të tjera. Ndërsa kur bëhet fjalë për luftë mbrojtëse, ajo nuk është e ndaluar gjatë muajve të shenjtë, madje edhe në vendet e shenjta. Shkak për zbritjen e këtij ajeti është ngjarja që ndodhi gjatë ekspeditës ushtarake të dërguar nga Profeti (a.s.), nën udhëheqjen e Abdullah Ibn Xhahshit. Gjatë ekspeditës, kur muslimanët arritën të merrnin edhe shumë pasuri nga një karvan i kurejshëve, ata kapën rob një idhujtar, të quajtur Amër Ibn Hadramij. Më pas, muslimanët e vranë idhujtarin, edhe pse ishin në muajin e shenjtë Rexheb, sikurse vijnë rrëfimet rreth kësaj ngjarjeje. Pikërisht për shkak të vrasjes së këtij idhujtari nga muslimanët gjatë muajit të shenjtë Rexheb, idhujtarët filluan të flisnin dhe të shanin muslimanët, sepse kishin shkelur ligjin e muajve të shenjtë. Por edhe në këtë rast, idhujtarët nuk kishin të drejtë me fyerjet e tyre, sepse ata kryenin vepra shumë më të shëmtuara dhe shumë më të këqija se lufta që zhvilluan muslimanët në muajt e shenjtë. Allahu i Lartësuar thotë:
...por të pengosh nga rruga e Allahut, të mohosh Atë, të pengosh nga Xhamia e Shenjtë (Qabja) dhe të dëbosh banorët e saj, janë shkelje edhe më të mëdha tek Allahu.... -
Veprat e idhujtarëve, të cilët pengonin njerëzit që besonin Zotin dhe Profetin e Tij, përpjekjet e tyre të shumta për të sprovuar besimtarët në fenë e tyre dhe për t'i kthyer nga rruga e drejtë, të gjitha këto ishin shumë herë më të këqija dhe më të shëmtuara. Ata ndalonin luftën në muajt e shenjtë, por harronin se ata vetë bënin diçka më të shëmtuar se lufta. Për shembull, ata mohonin Zotin e botëve. Vetëm kaq do të mjaftonte për të kuptuar të keqen e tyre. Mohimi i Zotit është e keqja më e madhe që mund të bëjë dikush. Por, sa e shëmtuar bëhet kjo e keqe kur kryhet në muajt e shenjtë dhe në vendin e shenjtë, në Qabe?! Jo vetëm kaq, por ata dëbuan nga Xhamia e Shenjtë banorët e merituar të saj: Profetin (a.s.) dhe sahabët e tij. Allahu i Lartësuar i ka quajtur Profetin (a.s.) dhe sahabët “banorët e Xhamisë së Shenjtë”. Dhe në fakt, banorë të vërtetë të Xhamisë së Shenjtë janë vetëm besimtarët e sinqertë, që e mbushin atë xhami me adhurimin e Allahut të Lartësuar. Pra, një tjetër krim i idhujtarëve, që është më i keq se lufta gjatë muajve të shenjtë, ishte edhe nxjerrja e adhuruesve të Allahut nga Xhamia e Shenjtë, siç thotë i Lartësuari:
...dhe të dëbosh banorët e saj, janë shkelje edhe më të mëdha tek Allahu. -
Idhujtarët, jo vetëm që i dëbuan besimtarët prej Vendit të Shenjtë, por edhe i pengonin vazhdimisht ata që të shkonin e të adhuronin Allahun atje, ndonëse e dinin shumë mirë se ai vend ishte për të gjithë njëlloj, sepse të gjithë e kishin të drejtën që ta adhuronin Allahun në të. Tërë këto vepra ishin më të mëdha si gjynahe tek Allahu i Lartësuar, dhe të gjitha ato i përmbledh fjala “fitne” - sprovim, siç thuhet më tej:
Idhujtaria është edhe më e rëndë se vrasja.” -
Pra, fitne-ja është gjynah më i madh sesa vetë lufta dhe vrasja gjatë muajve të shenjtë. Nga kjo kuptohet se idhujtarët ishin të padrejtë kur kritikonin muslimanët për luftën në muajt e shenjtë. Allahu i Lartësuar na tregon se ata do të përpiqen vazhdimisht, me të gjitha mënyrat, madje edhe me luftë, që t'i kthejnë besimtarët nga rruga e drejtë.
Ata nuk do të reshtin së luftuari derisa t'ju zmbrapsin nga feja juaj, nëse munden. -
Allahu i Lartësuar na tregon se qafirët gjithmonë kanë për t’i luftuar muslimanët. Po ashtu, qëllimi i tyre kryesor nuk është grabitja e pasurisë dhe as vrasja e muslimanëve, por është kthimi i tyre nga besimtarë në jobesimtarë. Ata dëshirojnë që edhe muslimanët të kthehen në qafirë, dhe kështu të bëhen prej banorëve të Zjarrit. Për hir të këtij qëllimi, ata i shpenzojnë të gjitha energjitë e tyre. Por Allahu i Lartësuar thotë në suren Teube, ajetet 32-33: “Ata duan ta shuajnë dritën e Allahut me gojën e tyre. Por Allahu veçse do ta përkryejë dritën e Tij edhe pse jobesimtarët e urrejnë (këtë). Është Ai që e dërgoi të Dërguarin e Tij me udhëzim (të qartë) e fe të vërtetë, për ta lartësuar atë mbi të gjitha fetë, edhe pse (këtë) e urrejnë idhujtarët.” Ose në një ajet tjetër: “Ata që nuk besojnë, e shpenzojnë pasurinë e tyre për t'i penguar njerëzit nga rruga e Allahut. Dhe kështu do të vijojnë ata ta shpenzojnë atë; por në fund ata do të kenë vetëm dëshpërim; dhe pastaj ata do të mposhten. Të gjithë mohuesit do të grumbullohen në Xhehenem.” [Enfal, 36]. Këto ajete flasin për të gjithë qafirët, e në mënyrë të veçantë për çifutët dhe të krishterët. Ata përdorin çdo mënyrë për t'i joshur njerëzit që të pasojnë fenë e tyre. Ata përpiqen nëpërmjet misionarëve, mjekëve, shkollave e shumë shërbimeve të tjera që u ofrojnë njerëzve në nevojë, duke u kërkuar atyre që të braktisin Islamin dhe besimin e drejtë në një Zot. Ata përpiqen që të fusin në zemrën dhe mendjen e muslimanëve lloj-lloj dyshimesh, që t'i lëkundin nga feja e tyre e drejtë. Por ata harrojnë diçka: Ai që ua hapi sytë muslimanëve, që të besojnë fenë e vërtetë, Islamin, Ai që e plotësoi mirësinë e Tij ndaj tyre, duke e bërë të pandryshueshme fenë e tyre, është vetë Allahu, Krijuesi i gjithësisë. E pra, Ai që i mëshiroi dhe i përzgjodhi ata për t'i udhëzuar në Islam, është po Ai që shpresohet t'ua plotësojë dhe përsosë dritën e tyre, deri në destinacionin e tyre fatlum. Ai përkujdeset për ta, duke i ruajtur dhe duke i mëshiruar. Askush nuk mund ta shuajë dritën që Allahu e ka dhuruar. Kurthet e tyre do t’u kthehen mbrapsht dhe të dëmtuarit do të jenë vetëm ata, ndërsa feja dhe fjala e Allahut do të lartësohet dhe do të fitojë. Ajeti i mësipërm e përshkruan me saktësi veprimtarinë e qafirëve të sotëm, ashtu si edhe të qafirëve të dikurshëm.
E kush zmbrapset nga feja e tij dhe vdes si jobesimtar, veprat e tij janë të pavlera në këtë jetë dhe në Jetën tjetër. Këta janë banorë të Zjarrit dhe në të do të jenë përjetësisht. -
Allahu i Lartësuar na tregon se ata që mposhten para këtyre sprovave dhe e braktisin Islamin, pastaj vazhdojnë të jetojnë si mohues derisa vdesin, ata do të kenë ndëshkim shumë të ashpër. Ata që braktisin Islamin dhe vdesin si qafirë kanë shumë dënime. Së pari, atyre u asgjësohen veprat e tyre në dynja dhe në ahiret, sepse kur njeriu nuk është musliman, atëherë veprat e tij janë të pavlefshme, të papranueshme dhe të pashpërblyeshme nga Allahu i Lartësuar. Më pas, ata do të jenë banorë të Xhehenemit, ku do të jenë përjetësisht. Megjithatë, nëse njeriu braktis Islamin, pastaj kthehet përsëri në Islam, atëherë atij i llogariten dhe i shpërblehen edhe veprat e mira që ka kryer gjatë kohës kur ishte fillimisht musliman, sepse ajeti tregon që veprat u asgjësohen vetëm atyre që e braktisin Islamin dhe vdesin si qafirë. Të njëjtën gjë themi edhe për ata që bëjnë nga ato lloj gjynahesh (përveç kufrit) që fshijnë veprat e mira. Nëse ata pendohen për këto gjynahe, atëherë veprat e mira u kthehen sërish, dhe kështu do të shpërblehen.