Në kohën para Islamit dhe në fillimet e tij, burri e linte dhe e kthente gruan e tij sa herë të donte, pa kufizime. Nëse dëshironte që ta bënte gruan e tij të vuante, e ndante atë, dhe kur afrohej mbarimi i afatit të pritjes, e kthente atë përsëri. Pastaj e ndante përsëri, dhe përsëri e kthente. Kështu vepronte vazhdimisht, duke i shkaktuar gruas aq vuajtje, saqë vetëm një Zot e di. Për këtë arsye, i Madhëruari tha:
Ndarja (divorci) mund të bëhet dy herë. -
Pra, ndarja pas së cilës burri ka të drejtën që ta rikthejë gruan e vet, është e lejuar të bëhet vetëm dy herë. Kështu, burrit i jepet mundësia për ta rikthyer gruan e tij vetëm dy herë. Kaq është mëse e mjaftueshme që ai të reflektojë kundrejt gruas së tij ashtu si duhet. Nëse veprimi përsëritet më shumë se dy herë, atëherë nuk konsiderohet i drejtë, madje mund të jetë tregues që me ndarjen dëshirohet vuajtja dhe lëndimi i gruas. Burri që e përsërit një veprim të tillë kundrejt gruas së tij tregon se ai nuk ka qëllim që të jetojë me të normalisht, madje synon dëmtimin e saj. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar i urdhëron burrat që, pas bashkimit prej ndarjes së dytë:
... ose jetesë bashkëshortore normale, ose divorc me mirëkuptim. -
Pra, burri duhet ose ta mbajë gruan për një jetë bashkëshortore normale, sipas rregullave dhe zakoneve të njerëzve të rangut të tyre, ose ta ndajë atë me mirëkuptim. Siç shihet, Allahu e ka urdhëruar burrin që, nëse nuk do që të jetojë me gruan e tij, ta ndajë atë me mirësi. Kjo do të thotë që burri, pas ndarjes, të mos i marrë gruas asgjë prej pasurisë që i ka dhënë, sepse atëherë do të ishte padrejtësi ndaj saj. Për këtë arsye, i Lartësuari thotë më tej:
Juve (burrave) nuk ju lejohet t’u merrni atyre (grave) asgjë nga ajo (dhuratë martesore) që u keni dhuruar më parë, vetëm nëse që të dyja palët druheni se nuk do të mund t’u përmbaheni dispozitave të Allahut (në bashkëshortësi) -
Pra, nuk lejohet që burri t’ia marrë sërish gruas ato gjëra që i ka dhënë më parë, qoftë ky mehri apo ndonjë shpenzim tjetër. Vetëm në një rast lejohet që gruaja t'ia kthejë mehrin burrit të saj, në shkëmbim të ndarjes prej tij. Kështu, nëse ata mendojnë se nuk do t'i zbatojnë dispozitat e Allahut kundrejt njëri-tjetrit, atëherë gruas i lejohet që të kërkojë divorcin prej burrit të saj dhe, si shkëmbim, ajo i kthen atij mehrin. Ky rast quhet ħul'un. Më konkretisht, nëse gruaja nuk e pëlqen burrin e saj, për shkak të ndonjë vesi të ulët, të ndonjë mangësie fizike apo fetare të tij, dhe mendon se nuk do të mund t'ia plotësojë atij detyrimet që Zoti i ka përcaktuar, i lejohet asaj që të kërkojë ndarjen prej burrit të saj. Në shkëmbim, ajo i kthen mbrapsht burrit mehrin, pa iu konsideruar si gjynah. I Lartësuari thotë:
E nëse keni frikë se nuk do të mund t’u përmbaheni dispozitave të Allahut (në bashkëshortësi), atëherë për të dyja palët nuk është gjynah nëse ajo (gruaja) jep diçka si kompensim (për lirimin e saj nga kurora). -
Pra, nuk konsiderohet aspak gjynah që ajo t'ia kthejë mbrapsht dhuratën martesore burrit të saj, dhe nuk është gjynah për burrin që ta pranojë atë, nëse vërtet mendojnë se nuk mund t'i plotësojnë dispozitat e Zotit ndryshe. Ky ajet tregon lejueshmërinë e ħul'un-it, domethënë, të marrëveshjes mes çiftit për t’u ndarë me kërkesën e gruas. Ajeti tregon, gjithashtu, që edhe gruas i lejohet të kërkojë ndarjen prej burrit të saj, por me kusht që kjo ndarje të jetë nxitur nga shkaku që Allahu thotë në këtë ajet: “nëse keni frikë se nuk do të mund t’u përmbaheni kufijve të Allahut”. Pra, vetëm nëse gruaja krijon bindje në vetvete, se nuk mund t'i japë burrit të saj atë që ai e meriton, asaj i lejohet që të kërkojë ndarjen prej tij, pasi divorci është, parimisht, në dorën e burrit.[1]
Këta janë kufijtë e urdhëruara nga Allahu, prandaj mos i shkelni ata! -
Këta janë kufijtë e Zotit, domethënë ligjet e Tij, që janë të detyrueshëm për ju që t'i zbatoni dhe të mos i shkelni.
Ata që shkelin kufijtë e Allahut janë vërtet keqbërës. -
E ku ka zullumqarë më të mëdhenj se ata që nëpërkëmbin mirësitë e Zotit dhe parapëlqejnë haramet dhe endjen jashtë kufijve të vendosura nga Ai. Këtyre të padrejtëve nuk u mjaftojnë ato që Zoti ua ka lejuar, por kërkojnë përtej kufijve të Tij. Padrejtësitë e robit janë tri llojesh: Në llojin e parë hyn padrejtësia më e madhe e robit kundrejt Zotit të tij, e që është shirku, politeizmi. Allahu i Lartësuar nuk e fal këtë lloj padrejtësie, vetëm nëse robi pendohet dhe ndreqet. Në llojin e dytë hyjnë padrejtësitë e robit kundrejt krijesave. Këto lloj padrejtësish, Allahu i Lartësuar nuk ka për t'i toleruar aspak, derisa robi t'i kompensojë një për një krijesat, të cilave u ka bërë padrejtësi. Në llojin e tretë përfshihen padrejtësitë e robit kundrejt Zotit të tij, por që janë më të vogla se shirku. Falja ose jo e këtyre padrejtësive është në dëshirën dhe mëshirën e Allahut të Lartësuar: nëse do, Ai i fal, e nëse jo, Ai u jep ndëshkimin e merituar, sipas urtësisë dhe drejtësisë së Tij.
[1]
Gjykimi i Profetit (a.s.) lidhur me divorcin me kompensim (el hul’u)
Në Sahih-un e Buhariut përmendet hadithi i Ibn Abasit, i cili rrëfen se gruaja e Thabit Ibn Kajs Ibn Shammasit, shkoi te Profeti (a.s.) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë, Thabit Ibn Kajsin nuk e shaj as për sjelljen dhe as për devotshmërinë fetare, por e urrej kufrin, pasi jam bërë muslimane.” Ai i tha: “A ia kthen kopshtin e tij?” “Po.” – i tha ajo. Atëherë i Dërguari i Allahut (a.s.) i tha burrit të saj: “Pranoje kopshtin dhe ndaje!” (Pra ajo kishte frikë se mos urrejtja e madhe që kishte ndaj tij, e shtynte që të bënte diçka që do të ishte vepër kufri, ose që të çonte në kufër. El Tibi e shpjegon: “Ajo kishte frikë se pasi ishte bërë muslimane, mos bënte diçka që binte ndesh me rregullat e Islamit, siç janë kundërshtimi dhe antipatia ndaj burrit. Këto mund të ndodhin te një vajzë e re dhe e bukur, e cila e urren burrin, kur ky është në të kundërtën e saj. Pra, gjërat që bien ndesh me rregullat e Islamit, ajo i quajti kufër.)
Në Sunen-in e Nesaiut përmendet hadithi i përcjellë nga Rrubeji Bintu Muauidhi, e cila rrëfen se Thabit Ibn Kajs Ibn Shemmasi e goditi gruan e vet, Xhemile Bintu Abdullah Ibn Ubejjin dhe i theu dorën. Për këtë arsye, vëllai i saj shkoi dhe u ankua te Profeti (a.s.). Profeti (a.s.) dërgoi dikë të thërriste Thabitin. Pasi erdhi, Profeti (a.s.) i tha atij: “Merrja atë që ia ke dhënë për mehr dhe lëshoje!” “Dakord.” – tha ai. Atëherë, i Dërguari i Allahut e urdhëroi gruan të qëndronte si kohëpritje vetëm një cikël menstrual dhe të shkonte në shtëpinë e saj. Ebu Daudi shënon në Sunen-in e tij hadithin e Ibn Abasit (r.a.), i cili rrëfen se gruaja e Thabit Ibn Kajs Ibn Shemmasit bëri divorc (ħul'un) me të shoqin, duke i dhënë atij kompensim. Pas kësaj, Profeti (a.s.) e ka urdhëruar atë grua të qëndronte në pritje (idet) vetëm një cikël menstrual.
Në Sunen-in e Dare Kutnit, lidhur me këtë ngjarje, përmendet se Profeti (a.s.) i është drejtuar gruas së Thabitit: “A ia kthen kopshtin e tij, të cilin ta ka dhënë si mehr?” “Po, – i ka thënë ajo, – madje dhe më tepër.” “Më tepër jo, – ia ka kthyer Profeti (a.s.), – por vetëm kopshtin e tij.” “Në rregull.” – ka thënë ajo. Atëherë, Profeti (a.s.) ka marrë pasurinë e Thabitit dhe i ka dhënë asaj divorcin. Pasi është informuar Thabit Ibn Kajsi, ka thënë: “E pranoj gjykimin e të Dërguarit të Allahut (a.s.).” Dare Kutniu ka shtuar se sened-i i këtij hadithi është i vërtetë. Nga ky gjykim i Profetit (a.s.) dalin disa rregulla. Ndër to, është lejimi i divorcit me kompensim apo siç quhet ħul'un, siç dëshmon edhe Kur'ani. Allahu thotë: “Burrave nuk u lejohet të marrin gjë nga ajo që u kanë dhënë grave si mehr, vetëm nëse që të dy (burri dhe gruaja) frikësohen se nuk do të mund t’i zbatojnë dispozitat e Allahut (në bashkëshortësi). Në një rast të tillë, ata ua parashtrojnë çështjen e tyre kujdestarëve dhe nëse këta druhen se dy bashkëshortët nuk do t’u përmbahen kufijve të përcaktuar nga Allahu, atëherë nuk është gjynah për asnjërin, nëse gruaja i jep diçka burrit, si kompensim për t’u ndarë prej tij.” [Bekare: 229] Por një grup njerëzish, në kundërshtim me Kur'anin, Sunetin dhe ixhma-në, e kanë quajtur të paligjshëm divorcin me kompensim. Ajeti i lartpërmendur dëshmon se el-hul'u lejohet qoftë me leje të udhëheqësit, qoftë pa leje të tij, e megjithatë, disa e kanë konsideruar të paligjshëm këtë lloj divorci, nëse bëhet pa lejen e udhëheqësit. Pavarësisht nga kjo, katër prijësit e medhheb-eve, si dhe shumica e dijetarëve, nuk pajtohen me këtë qëndrim. Po kështu, ky ajet dëshmon se divorci me anë të kompensimit e përfundon lidhjen e martesës, sepse Allahu i Lartësuar e ka quajtur “çlirim”. Sikur të ishte ndarje e kthyeshme "talak raxh'ij", me mundësi të hapur ribashkimi të çiftit gjatë periudhës së idet-it, pa bërë një akt të ri martesor - siç kanë thënë disa njerëz - gruaja nuk do të arrinte të çlirohej nga burri nëpërmjet pasurisë që i jep. Fjala e Allahu të Lartësuar: “... atëherë nuk është gjynah për asnjërin, nëse gruaja i jep diçka burrit si kompensim për t’u ndarë prej tij.”, tregon se kompensimi mund të bëhet me pak ose me shumë pasuri dhe se burrit i lejohet të marrë prej gruas më tepër sesa i ka pas dhënë për mehr. Abdurrezaku përcjell nga Muameri dhe ky nga Abdullah Ibn Muhammed Ibn Akili, i cili rrëfen se Errubeji’ Bintu Muavidh Ibn Afra’, i ka treguar që ajo ishte ndarë nga bashkëshorti në këmbim të çdo gjëje që ajo zotëronte. Kështu, kjo çështje iu kallëzua Uthman Ibn Afanit për gjykim. Ai e miratoi, duke i dhënë të drejtë burrit t’i merrte asaj çdo gjë, deri edhe kordonin e gërshetave të kokës. Gjithashtu, Abdurrezaku ka shënuar nga Ibn Xhurejxhi, ky nga Musa Ibn Ukbahi dhe ky nga Nafi’, i cili rrëfen se një grua, të cilin bashkëshortja e Ibn Umerit e kishte liruar nga skllavëria, shkoi tek Ibn Umeri, pasi ajo ishte divorcuar me burrin e saj, në këmbim të dhënies të çdo gjëje që ajo kishte, të të gjitha rrobave, deri edhe fustanin. Njëherë, Umerit (r.a.) i çuan një grua që ishte rebeluar ndaj burrit. Umeri i tha burrit të saj: “Bëj divorc me të, për t’i marrë deri edhe vathin.” Këtë e ka përmendur Hamad Ibn Seleme nga Ejjubi, ky nga Kethir Ibn Ebu Kethiri dhe ky nga Umeri (r.a.). Abdurrezaku sjell nga Muameri, ky nga Hakem Ibn Utejbe dhe ky nga Ali Ibn Ebu Talibi, i cili ka thënë: “Burri nuk duhet të marrë prej gruas më tepër sesa i ka dhënë (si mehr).” Edhe Tavusi ka thënë se nuk lejohet që burri të marrë prej gruas më shumë sesa i ka dhënë për mehr. Ndërsa Ataja ka thënë se nëse burri merr më tepër sesa mehri që i ka dhënë, teprica i kthehet gruas. Gjithashtu, Zuhriu nga ana e tij, ka thënë se nuk i lejohet burrit të marrë prej gruas më shumë sesa i ka dhënë. Mejmun Ibn Mehrani ka thënë që nëse i merr gruas më shumë sesa i ka dhënë, atëherë kështu burri nuk e ka ndarë me mirësjellje. Euzaiu dëshmon: “Gjykatësit nuk e lejonin burrin të merrte nga gruaja (në rast hul-i), përveç asaj që i kishte dhënë.” Ata që e lejojnë, bazohen në domethënien e drejtpërdrejtë të Kur'anit dhe të dëshmive që vijnë nga sahabët. Ndërsa ata që e ndalojnë kompensimin nga ana e gruas me më tepër pasuri sesa i ka dhënë burri, bazohen në hadithin e Ebu Zubejrit, i cili rrëfen se kur Thabit Ibi Kajs Ibn Shemmasi u nda me kompensim nga gruaja e tij, Profeti (a.s.) i tha asaj: “A ia kthen kopshtin atij?” “Po, – tha ajo – madje edhe më tepër.” “Më tepër jo, – i tha Profeti (a.s.), – por kopshtin e tij.” Dare Kutni ka thënë se Ebu Zubejri e ka dëgjuar këtë hadith nga disa persona dhe se sened-i i tij është i mirë. Më tej kanë thënë: Dëshmitë që vijnë nga sahabët për këtë çështje, janë të ndryshme. Kështu, nga disa prej tyre është përcjellë se teprica ndalohet, nga disa të tjerë është përcjellë se ajo lejohet dhe nga disa është përcjellë se ajo nuk pëlqehet, siç është dëshmia e Uekiut, që përcjell nga Ebu Hanifja, ky nga Ammar Ibn Imrara el Hemedhani dhe ky nga i ati, i cili rrëfen se Aliu (r.a.) e quante të urryer që burri, në rast divorci el hul, të merrte nga gruaja më shumë sesa i kishte dhënë. Imam Ahmedi është bazuar pikërisht në këtë dëshmi të fundit, duke u shprehur se teprica është e urryer. Kurse Ebu Bekri, një dijetar ky i medhheb-it të Ahmedit, e ka ndaluar tepricën, duke thënë se ajo duhet t’i kthehet gruas. Abdurrezzaku shënon nga Ibn Xhurejxhi, i cili tregon se Ataja i ka rrëfyer se te i Dërguari i Allahut (a.s.) erdhi një grua dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë e urrej burrin tim dhe dua të ndahem prej tij.” Profeti (a.s.) i tha: “A ia kthen kopshtin që ta ka dhënë si mehr?” “Po, – iu përgjigj ajo, – madje dhe më tepër.” “Më tepër jo, por vetëm kopshtin.” – i tha Profeti (a.s.). “Dakord.” - ia ktheu gruaja. Atëherë, Profeti (a.s.) vendosi që bashkëshorti i saj të merrte kopshtin dhe të ndahej prej saj. Këtë dëshmi, edhe pse është mursel, e
përforcon hadithi i Ebu Zubejrit. Ndërkohë, nga të dy, si nga Ebu Zubejri, edhe nga Ataja, këtë hadith e ka përcjellë Ibn Xhurejxhi.
***
Fakti që Allahu i Lartësuar e ka quajtur këtë divorc fidje (çlirim, shpengim), dëshmon se kjo është një kontratë me natyrë shkëmbimi. Për këtë arsye, në të merret parasysh pëlqimi i të dy bashkëshortëve. Atëherë lind pyetja: po nëse bashkëshortët bien dakord për anulimin e hul-it dhe burri i kthen gruas atë që i ka marrë, e më pas ribashkohen gjatë periudhës së idet-it, a kanë të drejtë ta bëjnë këtë? Katër prijësit e medhheb-eve dhe dijetarë të tjerë, e kanë ndaluar këtë lloj rikthimi. Arsyeja, sipas tyre, është se me hul-in, gruaja ndahet përfundimisht prej burrit, me mundësi ribashkimi veç me një akt të ri martesor. Por Abdurrezzaku ka përcjellë nga Muameri, ky nga Katade, dhe ky nga Said Ibn Musejjebi, i cili ka thënë lidhur me gruan e ndarë me kompensim: “Nëse burri dëshiron të ribashkohet me gruan gjatë periudhës së idet-it, duhet t’i kthejë fillimisht atë që i ka marrë dhe pastaj të thërrasë dëshmitarë për të dëshmuar ribashkimin me të.” Muameri ka thënë se edhe Zuhriu kështu mendonte. Ndërsa Haseni, sipas asaj që e përcjell Katade, thoshte për këtë rast se burri mund të ribashkohet me gruan veç me një fejesë të re. Në fakt, thënia e Said Ibn Mussejjebit dhe e Zuhriut është një perceptim mjaft i imët. Ajo bazohet në një arsyetim të hollë dhe është në pajtim me parimet e fikh-ut. Nuk ka diçka të panjohur që e bën të papranueshme, përveç faktit që në përgjithësi, dijetarët punojnë në kundërshtim me të. Arsyeja ku mbështet kjo thënie, është se gjatë periudhës së idetit, gruaja konsiderohet si peng te burri. Sipas disa dijetarëve, nëse burri i jep gruas ndarje të qartë dhe të pakushtëzuar gjatë kësaj kohe, ai quhet i vlefshëm. Përderisa është kështu, atëherë, nëse çifti e anulon aktin e hul-it dhe ribashkohen me pëlqimin reciprok, parimet e Sheriatit nuk e pengojnë një gjë të tilllë. (I pakushtëzuar quhet divorci kur është i prerë dhe me efekt të menjëhershëm, si p.sh. kur burri i thotë gruas: “të kam lëshuar” ose “je e lëshuar”. Në arabisht quhet munxhez.) Ndryshe ndodh nëse flitet për periudhën pasi ka përfunduar idet-i, sepse në këtë rast, gruaja bëhet krejt e huaj përkundrejt burrit. Pas përfundimit të idet-it, burri konsiderohet si çdokush tjetër që mund të kërkojë dorën e saj. Për
qëndrimin e Saidit dhe të Zuhriut dëshmon edhe fakti që ky burrë mund të rimartohet me këtë grua gjatë periudhë së idet-it, kurse të tjerët jo.
***
Nga fakti që Profeti (a.s.) e ka urdhëruar gruan muhteliah (e divorcuar nga burri me kompensim) që të qëndrojë në idet vetëm një cikël menstrual, dalin dy rregulla: Së pari, gruaja nuk e ka detyrë të qëndrojë në pritje tri cikle menstruale. Përkundrazi, asaj i mjafton të presë vetëm një cikël. Ky rregull, siç është përmendur qartë në Sunet, përkon edhe me mendimin e prijësit të besimtarëve, Uthman Ibn Afanit, të Abdullah Ibn Umer Ibn Hatabit, të Rrubeji Bintu Muavidhit dhe xhaxhait të saj, i cili ishte një ndër sahabët e mëdhenj. Nuk njihet ndonjë sahab që t’i ketë kundërshtuar këta. Mendimi i këtyre përmendet në transmetimin që e përcjell Lejth Ibn Sa’di nga Nafi’ – ish-skllavi i Ibn Umerit (r.a.) – i cili rrëfen se ka dëgjuar Rrubeji Bintu Muavidhin teksa po i tregonte Abdullah Ibn Umerit që ishte ndarë nga burri i saj me kompensim (hul’), në kohën e Uthman Ibn Afanit. Kështu, xhaxhai i saj kishte shkuar tek Uthman Ibn Afani dhe i kishte thënë: “Bija e Muavidhit është ndarë sot me kompensim nga burri i saj. A mund të shpërngulet nga shtëpia ku gjendet?” Uthmani i ishte përgjigjur: “Po, le të ndërrojë vend. Meqenëse ndarja është e tillë, ata nuk e trashëgojnë njëri-tjetrin dhe ajo nuk ka detyrë të qëndrojë në idet, veçse nuk i lejohet të martohet me dikë tjetër, derisa të kalojë një cikël mestrual, në mënyrë që të faktohet se nuk ka mbetur shtatzënë.” Pasi e dëgjoi, Abdullah Ibn Umeri tha: “Uthmani është më i miri dhe më i dituri ndër ne.” I këtij mendimi ka qenë edhe Is’hak Ibn Rahavejhi dhe Imam Ahmedi – sipas një varianti që dëshmohet prej tij – të cilin e ka zgjedhur dhe shejhu i Islamit, Ibn Tejmije. Ata që kanë përkrahur këtë qëndrim, kanë thënë se ai rrjedhon nga parimet e Sheriatit, pasi idet-i (nga talak-u) është caktuar tri cikle menstruale, në mënyrë që të zgjasë periudha kur ribashkimi i çiftit (pa ribërje akti) është i mundshëm dhe që bashkëshorti të mendohet thellë e kësisoj, të ketë mundësi ta rimarrë gruan brenda kësaj periudhe. Atëherë, përderisa ndarja me hul është e pakthyeshme (pra është talak bain), qëllimi i idet-it, në këtë rast, është thjesht për t’u vërtetuar që gruaja nuk është shtatzënë dhe për këtë mjafton një cikël menstrual, ashtu si rastet e tjera, kur gruaja duhet të qëndrojë në pritje veç një cikël, me qëllim që të vërtetohet se nuk është shtatzënë. Mandej, kanë thënë: Këtë arsyetim nuk e hedh poshtë fakti që idet-i i së ndarës tri herë, është tri cikle menstruale, sepse për talak-un, periudha e idet-it është caktuar njëlloj, qoftë përfundimtar apo i kthyeshëm.
Më andej kanë thënë se kjo që u tha argumenton se hul-i është feskh (zgjidhje, anulim i aktit të martesës) dhe jo talak (akt divorci). Pikërisht, ky është edhe mendimi i Ibn Abasit, Uthmanit, Ibn Umerit, Rubejit dhe xhaxhait të saj. Nga ana tjetër, në mënyrë kategorike, nuk ka ndonjë dëshmi të saktë nga asnjë sahab, që të tregojë se hul-i është talak (ndarje). Imam Ahmedi transmeton nga Jahja Ibn Saidi, ky nga Sufjani, ky nga Amri, ky nga Tavusi dhe ky nga Ibn Abasi (r.a.) që: “Hul-i është divorc (zgjidhje e aktit të martesës), jo ndarje (talak). Abdurrezzaku përmend nga Sufjani, ky nga Amri e ky nga Tavusi, i cili rrëfen se Ibrahim Ibn Sa’d Ibn Ebi Uekkasi, pyeti Ibn Abasin për rastin kur dikush e ndan gruan e vet dy herë dhe më pas ajo divorcohet prej tij me hul: “A i lejohet të martohet me të?” “Po, – i tha Ibn Abasi, – sepse Allahu e ka përmendur talak-un në fillim të ajetit dhe në fund të tij, dhe hul-in ndërmjet tyre.” Dikush mund të reagojë: Përse thoni se ata të cilët ju përmendni nuk i ka kundërshtuar askush nga sahabët, ndërkohë që Hamad Ibn Seleme transmeton nga Hishami Ibn Urve, ky nga i ati dhe ky nga Xhumhani, se Ummu Bekre el Eslemije, që ishte e martuar me Abdullah Ibn Usejdin, u nda prej tij me hul? Më pas, që të dy, burrë e grua u penduan, ndaj shkuan për t’u gjykuar tek Uthmani. Uthmani e lejoi ribashkimin e tyre, duke thënë: “Kjo konsiderohet një ndarje. Megjithatë, nëse janë deklaruar më tepër fjalë ndarjeje, atëherë konsiderohen aq sa janë deklaruar.” Ibn Ebu Shejbe thotë se ka thënë Ali Ibn Hashimi, ky nga Ibn Ebu Lejla, ky nga Talha Ibn Musarrifi, ky nga Ibrahim Nakhaiu, ky nga Alkame dhe ky nga Ibn Mes’udi, që: “Talak-u (domethënë, ndarja e parë dhe e dytë) është i pakthyeshëm (bain) vetëm kur bëhet me kompensim ose kur bëhet për shkak të ila-ut.” Ky qëndrim është përcjellë edhe nga Ali Ibn Ebu Talibi. Këta pra, janë tre sahabë të mëdhenj – Allahu qoftë i kënaqur me ta! – të cilët mendonin kështu. Për këtë ne do të përgjigjeshim duke thënë se faktet e mësipërme nuk janë përcjellë në mënyrë autentike nga askush prej tyre. Sa për dëshminë që vjen nga Uthmani (r.a.),
Imam Ahmedi, Bejhakiu e dijetarë të tjerë, e kanë quajtur të papranueshme. Mësuesi ynë (IbnTejmija) ka thënë: “Si mund të jetë e vërtetë se Uthmani mbante atë qëndrim, ndërkohë që ai mendonte se ndarja me hul nuk ka idet, por gruaja pret derisa të kalojë një cikël menstrual, për t’u vërtetuar që nuk është shtatzënë? Nëse Uthmani do të ishte i mendimit që hul-i quhet si një ndarje, atëherë do të thoshte që idet-i është i detyrueshëm. Për Xhuhmanin, transme-tuesi i kësaj ngjarjeje nga Uthmani, nuk njohim më shumë se faktin që ai ka qenë një ish-skllav i fisit Eslem.” Sa për dëshminë e Ali Ibn Ebu Talibit, Ebu Muhamed Ibn Hazmi ka thënë: “E kemi sjellë nëpërmjet një rruge që nuk është e vërtetë.” Ndonëse më optimalja e këtyre dëshmive është ajo e Ibn Mesudit, prapëseprapë themi se kujtesa e Ibn Ebu Lejlas (njërit nga transmetuesit e tij) ishte e dobët. Gjithsesi, edhe sikur të jetë e pranueshme, maksimumi që ajo mund të provojë, është se talak-u është i pakthyeshëm, kur ndodh përkrah divorcit me kompensim ose gjatë idet-it të divorcit me kompensim, por jo që vetë hul-i është talak përfundimtar (i pakthyeshëm). Siç vihet re qartë, ndërmjet këtyre dy përkufizimeve ka ndryshim të dukshëm. Ndër argumentet që dëshmojnë se ndarja hul nuk quhet talak, është se Allahu i Lartësuar ka përmendur që ndarja për herë të parë dhe për herë të dytë, pas kontaktit seksual me gruan, sjell tri rregulla, të cilat nuk gjenden te ndarja hul. Së pari, burri ka të drejtë të rimarrë gruan gjatë periudhës së idet-it. Së dyti, ndarja e parë dhe e dytë llogariten prej tri ndarjeve që burri mund t’i japë së shoqes. Për rrjedhim, nëse burri e ndan gruan tri herë, ai nuk mund të rimartohet me të, vetëm nëse ajo martohet me një burrë tjetër dhe ky ta ndajë, pasi të ketë bërë kontakt seksual. Së treti, ideti (kohëpritja) i talak-ut është tri cikle menstruale. Nga ana tjetër, argumentet e Kuranit dhe të Sunetit vërtetojnë që ndarja hul është e pakthyeshme. Po kështu, argumentet e Sunetit dhe thëniet e sahabëve provojnë që idet-i i ndarjes hul është vetëm një cikël menstrual. Gjithashtu, ajeti i Kuranit dëshmon se hul-i mund të bëhet edhe pas dy ndarjesh dhe se pas hul-it burri mund të bëjë edhe një ndarje të tretë të gruas. Nga kjo kuptohet qartë që divorci hul nuk është talak. Allahu i Lartësuar thotë: “Ndarja me të drejtë ribashkimi është dy herë. Gjykimi i Allahut pas një ndarjeje të tillë është: ose të rikthehet gruaja dhe të mbahet me mirësjellje dhe bashkjetesë të mirë, ose të lirohet nga lidhja e bashkëshortisë me mirësjellje, duke shlyer detyrimet ndaj saj dhe duke mos e përmendur për keq.10 Burrave nuk u lejohet të marrin gjë nga ajo që u kanë dhënë grave si mehr, vetëm nëse ata të dy (burri dhe gruaja) frikësohen se nuk do t’i zbatojnë dispozitat e Allahut (në bashkëshortësi). Në një rast të tillë, ata ua parashtrojnë çështjen e tyre kujdestarëve dhe nëse këta frikësohen se dy bashkshortët nuk do t’u përmbahen kufijve të përcaktuar nga Allahu, atëherë nuk është gjynah për asnjërin, ajo që gruaja ia paguan burrit, si kompensim për t’u ndarë prej tij.” Fakti që përmendet rasti i gruas së ndarë dy herë, nuk do të thotë që hul-i vlen vetëm për këtë rast, por nga ana tjetër, pa diskutim ky rast përfshihet ndër rastet e tjera, sepse është përmendur. Pra, nga ky ajet kuptohet se hul-i vlen për gruan që është ndarë dy herë, për atë që është ndarë vetëm një herë, si edhe për atë që nuk është ndarë asnjëherë. Në këndvështrimin gjuhësor, është e palejueshme që fjala “të dy”, e cila përmendet në frazën ku flitet për hul-in, të zëvendësojë një emër të papërmendur dhe jo atë që parapërmendet në tekst. Përkundrazi, ajo ose zëvendëson vetëm emrin e parapërmendur, ose zëvendëson atë dhe të tjerë. Pasi ka folur për ndarjen hul, Allahu thotë: “Më pas, nëse burri e ndan sërish gruan për të tretën herë, nuk mund të martohet më me të, pa u martuar ajo me një burrë tjetër. Por, nëse ky tjetri e ndan, atëherë nuk kanë gjynah as ajo e as burri i parë që të martohen sërish me njëri tjetrin.” Këtu, pa diskutim përfshihet edhe rasti i gruas që ndahet për herë të tretë, pas dy ndarjeve të tjera dhe pas një hul-i, ngaqë ky është rasti i parapërmendur. Pra, medoemos ajeti i fundit e përfshin këtë rast. Pikërisht, kështu e ka kuptuar Komentuesi i Kuranit (Ibn Abasi), për të cilin Profeti (a.s.) u lut që Allahu t’i mësonte interpretimin e Kuranit e kjo lutje, pa dyshim që ishte e pranuar. Përderisa rregullat e divorcit hul ndryshojnë nga rregullat e talak-ut, kjo dëshmon se nuk janë njëlloj. Pikërisht, për këtë dëshmojnë tekstet e Kuranit dhe të Sunetit, kijas-i dhe thëniet e sahabëve. Mandej, ai që vëren thelbin e kontratave dhe synimin e tyre, e jo thjesht shprehjet e përdorura, e konsideron hul-in si zgjidhje (feskh) të aktit të martesës me çfarëdolloj fjale, qoftë edhe me fjalën talak. Ky është një variant i Ahmedit dhe pikërisht këtë ka zgjedhur mësuesi ynë (Ibn Tejmija), i cili thoshte: “Kjo kuptohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga fjalët e Ahmedit, Ibn Abasit dhe nxënësve të tij. Ibn Xhurejxhi ka thënë se Amër Ibn Dinari i kishte treguar se kishte dëgjuar Ikriman – ish-skllavin e liruar nga Ibn Abasi – duke thënë se divorci në këmbim të pasurisë, nuk është talak.” Abdullah Ibn Ahmedi thotë: “Kam vërejtur se babai im përkrahte mendimin e Ibn Abasit, i cili ka thënë se hul-i është zgjidhje e aktit të martesës dhe jo talak. Amri transmeton nga Tavusi dhe ky nga Ibn Abasi (r.a.), se hul-i është zgjidhje e aktit të martesës dhe jo talak. Ibn Xhurejxhi përcjell se djali i Tavusit ka thënë: “Babai im nuk mendonte se divorci me kompensim është talak.” Ndërsa ai që i vëren shprehjet dhe u qëndron strikt në rregullat e kontratave, rastin kur dikush e divorcon gruan me kompensim duke përdorur fjalën talak, e konsideron talak. Por principet dhe parimet e fikh-ut dëshmojnë se merret parasysh thelbi dhe domethëniet e kontratave e jo format dhe shprehjet e tyre. Suksesi është në dorë të Allahut. Ndër argumentet që dëshmojnë për këtë, është fakti që Profeti (a.s.) e urdhëroi Thabit Ibn Kajsin që për t’i bërë hul gruas, t’i jepte një talak (ta lëshonte) dhe megjithëkëtë, ai e urdhëroi gruan të qëndronte për idet vetëm një cikël menstrual. Ky fakt tregon qartë që hul-i është zgjidhje akti, qoftë edhe duke përdorur për realizimin e tij fjalën talak. Gjithashtu, prej argumenteve që mbështesin këtë mendim, është edhe se Allahu i ka dhënë divorcit hul disa rregulla të veçanta, sepse në thelb, hul-i është lirim me kompensim. Siç dihet, për realizimin e lirimit nuk është kusht të përdoret ndonjë shprehje specifike, e as nuk ka caktuar Allahu i Lartësuar për të ndonjë fjalë të veçantë. Atëherë, talak-u me kompensim është talak i kushtëzuar, kështu që nuk përfshihet në rregullat e talak-ut të pakushtëzuar, domethënë që nuk është i kthyeshëm dhe nuk e ka idet-in tri cikle menstruale, siç dëshmon hadithi i vërtetë. Shih Zad el mead vëll 5 fq 241 ...