Kur u shpall ajeti 284 i kësaj sureje, dhe pikërisht thënia e Allahut të Lartësuar: “Vetëm të Allahut janë ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë. E shfaqni apo e mbani të fshehtë atë që e keni në veten tuaj, Allahu do t’ju marrë në përgjegjësi. Ai fal atë që do dhe e dënon atë që do. Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka.”, kjo vërtet i rëndoi dhe i frikësoi shumë muslimanët, sepse menduan se do të merreshin në përgjegjësi për çdo gjë që kalon nëpër zemër, qoftë një mendim a qëndrim i konsoliduar, qoftë thjesht një mendim i çastit. Por Allahu i Lartësuar i sqaroi ata, duke u thënë:
lâ jukel-lifull-llâhu nefsen il-lâ us'ahâ - “Allahu nuk ngarkon asnjë përtej mundësive të tij” -
Pra, Allahu i Lartësuar nuk ngarkon asnjë përtej mundësive të tij. Madje, Ai nuk ngarkon as me diçka që mund të jetë disi e vështirë për t’u përballuar, siç thuhet në suren Haxh: “Ai nuk ju ka ngarkuar me ndonjë vështirësi në fe...”. Të gjithë urdhrat dhe ndalesat hyjnore, në thelb, nuk janë të vështira të përmbushen. Përkundrazi, ato meritojnë me plot të drejtë të quhen ushqim për shpirtin dhe ilaç për trupin. Ato parandalojnë të këqijat që mund të prekin njeriun. Çdo urdhër i Allahut të Lartësuar është mëshirë dhe bamirësi për krijesat. Edhe në ato raste kur, për ndonjë shkak të caktuar, zbatimi i urdhrave bëhet i vështirë ose i pamundur, Ai ka vënë dispozita lehtësuese, për t’ua thjeshtuar krijesave zbatimin e ligjeve të Tij.
lehâ mâ kesebet ue alejhâ mektesebet. - “...ai (robi) do të marrë atë çfarë ka fituar dhe do të ketë kundër atë çfarë ka merituar.” -
I Lartësuari na tregon se çdokush do të shpërblehet plotësisht për veprat e mira që ka bërë. Gjithashtu, mbi secilin do të rëndojë çdo vepër e keqe që ka bërë. Askush nuk do të marrë mbi supe peshën e gjynaheve të tjetërkujt, dhe askush nuk do të marrë shpërblimin e veprave të mira të dikujt tjetër. Për të treguar përpjekjet për të bërë vepra të mira, të cilat do të shpërblehen nga Ai, Allahu i Lartësuar ka thënë: “lehâ mâ kesebet”, që nënkupton (në arabisht) se veprat e mira dhe shpërblimi për to fitohen edhe pa shumë lodhje, sepse mundësitë e robit për të kryer vepra të mira janë shumë të mëdha dhe shumë të thjeshtëzuara. Madje edhe thjesht duke pasur si qëllim kryerjen e një vepre të mirë, ai e merr shpërblimin sikur e ka bërë atë vepër të mirë, edhe nëse nuk arrin ta finalizojë atë. Ndërsa kur flet për veprat e këqija, për mënyrën e kryerjes së tyre dhe për shpagimin që meritojnë, Allahu thotë: “ue alejhâ ma iktesebet”, duke përdorur fjalën “iktesebe” = meritoi plotësisht. Pra, kuptimi është: njeriut nuk i shkruhet puna e keqe, derisa ai ta kryejë atë, ndryshe nga vepra e mirë, e cila shkruhet dhe shpërblehet edhe nëse ai e ka vetëm si qëllim. Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar foli rreth besimit të Profetit dhe besimtarëve të mirë. Ai tregoi, gjithashtu, se çdokush do të shpërblehet sipas punës që ka kryer. Më pas, është normale që adhuruesi të shfaqë mangësi, duke gabuar dhe harruar, por Allahu nuk e ngarkon atë tej fuqive dhe mundësive të tij, prandaj udhëzon që ne të lutemi me disa fjalë të mrekullueshme. Profeti (a.s.) na ka treguar se kur besimtarët i drejtohen Allahut të Lartësuar me këto fjalë të veçanta, Ai thotë: “E pranoj lutjen tuaj.”
Rab-benâ lâ tu'âħidhnã in-nesînã eu eħŧa'nâ - “Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë!” -
Kuptimi: Mos na merr në përgjegjësi, nëse harrojmë ose gabojmë. Por cili është ndryshimi mes harresës dhe gabimit? Harresa ndodh kur lihet pa zbatuar një urdhër, për shkak të pakujdesisë së zemrës. Kështu, besimtarët i kërkojnë falje Allahut për ato dispozita të cilat i kanë lënë pa zbatuar, për shkak të harresës. Ndërsa gabimi ndodh kur synohet diçka e lejueshme për t’u vepruar, por që më pas finalizohet duke kryer diçka tjetër të palejueshme, pa qëllim. Me fjalë të tjera, të synosh kryerjen e diçkaje të lejueshme, por gabimisht të veprosh të palejueshmen. Pra, besimtari kërkon falje edhe për veprat e kryera gabimisht. Megjithatë, Allahu i Lartësuar ia ka falur këtij umeti të dyja këto lloj mangësish, në shenjë butësie dhe mëshire ndaj tyre. Duke u mbështetur në këtë ajet, janë nxjerrë shumë dispozita lehtësuese, prej të cilave mund të përmendim:
- Nëse falesh duke qenë i veshur me rroba të vjedhura ose të papastra, e ke namazin të saktë, nëse e harron një fakt të tillë gjatë kohës që kryen namazin.
- Nëse harron se në rroba apo në trup ke papastërti, dhe falesh me to, namazi është i saktë, domethënë, nuk ka nevojë të përsëritet.
- Nëse gjatë namazit harron se je duke u falur dhe fillon të flasësh fjalë që s’i përkasin faljes, namazi nuk prishet, sepse çdo gjë ka ndodhur nga harresa.
- Nëse kryen ndonjë vepër që prish ihramin e haxhit dhe umres, duke e harruar se je në ihram, je i falur nga Allahu. Megjithatë, këtu duhet pasur parasysh që, nëse me këtë vepër sjell dëme, ato duhet të zhdëmtohen dhe kompensohen sipas ligjit.
- Nëse betohesh se nuk do të bësh diçka dhe e thyen këtë betim nga harresa, nuk ke gjynah dhe nuk e ke të detyrueshëm kompensimin e betimit të thyer, sepse ky betim nuk konsiderohet i thyer.
- Nëse dikush vret dikë gabimisht, pa dashje, pa qëllim, ose shkatërron pasurinë e dikujt gabimisht, pa dashje, ai nuk ka gjynah tek Allahu i Lartësuar. Ndërsa dëmet e shkaktuara duhet patjetër të kompensohen, sepse e drejta e tjetrit duhet vënë në vend.
- Në të gjitha ato raste kur është e detyrueshme thënia e “Bismilah-it” dhe harrohet të thuhet, kjo harresë është e falur dhe e padëmshme.
Rab-benâ ue lâ taĥmil alejnã iŝran kemâ ĥameltehû alel-ledhîne min ķablinâ. - “Zoti ynë, mos na ngarko me barrë të rëndë, siç ngarkove ata që ishin para nesh!” -
Kuptimi: Mos na ngarko me atë iŝran. Isran quhen dispozitat e vështira për t’u zbatuar dhe për t’u përballuar. Allahu i Lartësuar ia ka plotësuar këtë lutje umetit tonë, duke u dhënë lehtësime në të gjitha fushat e Sheriatit dhe jetës njerëzore, dhe kjo ka ndodhur vetëm për këtë umet.
Rab-benâ ue lâ tuĥam-milnâ mâ lâ ŧâķate lenâ bih- - “Zoti ynë, mos na ngarko më tepër sesa kemi fuqi!” -
Edhe këtë lutje e ka plotësuar i Mëshirshmi dhe i Dashuri. Atij i qoftë lavdia dhe mirënjohja e plotë!
uea'fu an-nâ ueĝfir lenâ uerĥamnâ - “Na i shlyej gjynahet, na i mbulo të këqijat e na mëshiro!” -
Falja dhe mbulimi i gjynaheve janë garanci për shpëtimin nga çdo gjë e keqe që njeriu i druhet në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Ndërsa mëshira është ajo, nëpërmjet së cilës rregullohen të gjitha çështjet dhe arrihet çdo gjë e dëshiruar dhe e mirë, në këtë jetë dhe në jetën tjetër.
ente meulânâ fenŝurna alel ķaumil kâfirîn. - “Ti je Mbrojtësi ynë! Na ndihmo kundër atyre që nuk besojnë!” -
“Meulânâ”, domethënë: Zoti ynë, Sunduesi, i Pushtetshmi, i Adhuruari, Kujdestari ynë. Meulânâ është Azgjedhurit dhe të dashurit e Tij, që nga momenti që i krijon. O Zoti ynë, mirësitë e Tua janë të pashtershme e të pandërprera në asnjë çast, që kur na krijove dhe na furnizove me të mira. Mirësitë e Tua vetëm shtohen. Mirësia më e madhe është pikërisht Islami. Kjo është mirësia më e madhe që kemi, sepse të gjitha mirësitë e tjera janë degëzime dhe rrjedhime të saj. Ne po të lutemi, o Zoti ynë, që ta plotësosh dhe ta vazhdosh këtë mirësi të madhe, duke na ruajtur prej mohuesve e mosmirënjohësve ndaj Teje. Ata të mohojnë Ty dhe të dërguarit e Tu. Ata dalin kundër besimtarëve të Tu të sinqertë, të cilët përhapin mirësinë dhe fenë Tënde. Ata e shpërfillin adhurimin dhe ligjin Tënd. Na ndihmo, o Zot, kundër tyre, me ndihmën dhe suksesin Tënd! Na ndihmo kundër tyre, duke na dhuruar argumentim bindës dhe të qartë! Na ndihmo kundër tyre edhe me fuqi, edhe me shpatë, nëse e kërkojnë vetë një gjë të tillë! Na ndihmo të përhapim në tokë mirësinë, që të sundojë paqja dhe adhurimi Yt! Na ndihmo kundër tyre, duke na udhëzuar në besimin e drejtë dhe veprat sipas tij! Vërtet, ndihma e Allahut është afër atyre që besojnë dhe kryejnë vepra të mira.i që vazhdon të përkujdeset për krijesat e Tij dhe, në mënyrë të veçantë, për të