Atëherë, mjerë për ata që, me duart e veta e shkruajnë librin, e pastaj thonë: “Ky është prej Allahut...”, -
Allahu i Lartësuar i kërcënon ata që i ndryshojnë, i tjetërsojnë ose që i keqinterpretojnë librat e Zotit, dhe ua përcjellin njerëzve si të vërteta nga Allahu i Lartësuar. Ata u thonë njerëzve: “Ky libër është shpallur prej Allahut.” Kështu, ata shfaqin të gabuarën dhe fshehin të vërtetën. Po çfarë i shtyu të veprojnë në këtë mënyrë? Thotë i Lartësuari:
…për të arritur ndonjë fitim të paktë. -
E gjithë dynjaja, nga fillimi deri në fund, vlen shumë pak, por ata e përdorin të kotën dhe gënjeshtrën si kurth dhe si mjet për të përfituar padrejtësisht nga pasuritë e njerëzve. Kësisoj, ata u bëjnë padrejtësi njerëzve në dy drejtime: duke u tjetërsuar e shkatërruar fenë dhe duke i penguar nga rruga e vërtetë, nga njëra anë, dhe duke ua zhvatur pasurinë, nga ana tjetër. Madje, kjo mënyrë e marrjes së pasurisë është nga më të shëmtuarat. Ajo është shumë herë më e madhe se vjedhja e zakonshme. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar u bën atyre dy kërcënime:
Mjerë për ata, për çka shkruajnë me duart e tyre! -
Pra, mjerë ata për mashtrimin, duke ndryshuar, keqinterpretuar dhe tjetërsuar fjalët e Allahut.
Mjerë për ata, për çka fitojnë! -
Pra, mjerë ata, për pasurinë e fituar në mënyrë pa të drejtë. Fjala ‘uejl’ nënkupton ashpërsinë e ndëshkimit dhe të dëshpërimit që i pret ata. Ky është vërtet një kërcënim i frikshëm dhe i ashpër. Shejhu i Islamit Ibn Tejmije, pasi përmend këto ajete (nr. 75-79), thotë: “Allahu i Madhëruar i ka qortuar dhe u ka tërhequr vërejtjen atyre që i ndryshojnë dhe i tjetërsojnë kuptimet e fjalëve të Allahut. Këtu përfshihen edhe ata që përpiqen t’i japin Kur’ânit dhe fjalëve të Profetit (a.s) kuptime të kota, që ata vetë i kanë sajuar, pa bazë të qëndrueshme. Gjithashtu, Allahu i Madhëruar qorton nëpërmjet këtyre ajeteve edhe ata që nuk kuptojnë asgjë prej Librit. Këtu përfshihen edhe ata që nuk meditojnë rreth ajeteve kur’ânore, por që vetëm i lexojnë dhe i këndojnë ato. Në këtë qortim përfshihen edhe ata që shkruajnë vetë libra, në të cilët kundërshtohet Libri i Allahut, me qëllimin që të fitojnë diçka nga kjo dynja. Jo vetëm kaq, por ata pretendojnë se ajo çfarë shkruhet në librat e tyre është e vërteta prej Allahut, është ligji i Zotit dhe feja e pranuar prej Tij. Ata mëtojnë se në librat e tyre paraqitet kuptimi i saktë i Librit të Allahut dhe i Sunetit të Profetit (a.s), ose kuptimi i drejtë që patën selefët dhe imamët e mëdhenj të këtij umeti. Ata pretendojnë, gjithashtu, se shkrimet e tyre paraqesin themelet e fesë, të cilat duhet të besohen dhe pasohen nga të gjithë. Në këto ajete përfshihen edhe ata që i fshehin argumentet që gjejnë në Kur’ân dhe në Sunetin e Profetit (a.s), me qëllimin që të mos ua mundësojnë kundërshtarëve që t’i përdorin si argumente kundër tyre rreth së vërtetës. Këto cilësi gjenden të spikatura më shumë te pasuesit e egove dhe të ideve boshe, sikurse janë rafidi-të (sufitë, shiitët etj.), por ka të tillë edhe shumë dijetarë të fikh-ut.”