(Kjo është) Shpallje nga Ai që krijoi Tokën dhe qiejt e lartë. - Në vijim, Allahu i Madhëruar flet për rëndësinë e madhe të Kur'anit. Ky libër është shpallje e zbritur nga Krijuesi i Tokës dhe i qiejve. Ai u shpall nga Allahu, që rregullon çështjet e të gjitha krijesave. Për këtë arsye, pranojeni atë me respekt, dashuri, bindje dhe sinqeritet. Në shumë ajete, Allahu i Madhëruar përmend faktin se Ai është Krijues bashkë me faktin se në dorën e Tij është çdo çështje dhe Ai vendos çdo rregull e ligj për krijesat. Edhe në këtë ajet thuhet se Allahu është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës dhe se është Ai që e ka zbritur ligjin e jetës për krijesat. Në një ajet tjetër thotë: “Allahu është Ai që krijoi shtatë qiej dhe po aq toka. Në to zbret vendimi i Tij, për të qenë të bindur se Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka dhe se me të vërtetë, Allahu ka përfshirë gjithçka me dijen e Vet”. [Talak]. Allahu është Krijuesi dhe është Ai që vendos ligjet për krijesat e Tij. Vetëm Ai urdhëron dhe ndalon, vetëm Ai vendos ligjet e adhurimit dhe të fesë. Ashtu siç nuk ka Krijues tjetër përveç Tij, po ashtu askush tjetër përveç Tij nuk mund të vendosë ligje e rregulla. Në dorë të Krijuesit është vendosja e ligjeve të krijimit të gjithësisë dhe të funksionimit të saj, dhe po në dorë të Tij është vendosja e ligjeve të fesë dhe të besimit. Ligjet e krijimit dhe funksionimit të kësaj gjithësie janë precize. Ai nuk ka krijuar asgjë kot, por gjithçka me urtësi të madhe. Ashtu sikurse ligjet e krijimit nuk dalin asnjëherë jashtë urtësisë së Tij, po ashtu edhe ligjet e fesë dhe besimit nuk dalin kurrë nga kufijtë e drejtësisë, urtësisë dhe bamirësisë. Allahu vendos ligje e rregulla veçse në bazë të drejtësisë, urtësisë dhe bamirësisë së Tij. Pasi bëri të qartë se Ai është i vetmi Krijues e Rregullues i çështjeve të krijesave dhe i vetmi që vendos ligjet e jetës dhe të adhurimit, i Lartësuari përshkruan madhështinë dhe krenarinë e Tij: