Kush mendon se Allahu nuk do ta ndihmojë atë (Muhamedin) në këtë jetë dhe në jetën tjetër, le të ngjitet me ndonjë mjet deri në qiell dhe le ta këpusë atë (ndihmën)! -
Ndihma për këtë fe vjen nga qielli. Nëse dikush mendon se Allahu nuk ka për ta ndihmuar Profetin e Tij dhe se feja e Tij do të mposhtet dhe zhduket, le të ngjitet në qiell dhe le të shohë, a do të mund ta shkëpusë dot ndihmën e Zotit që vjen nga qielli?!
Pastaj le të shikojë nëse intriga e tij po ia largon atë që po e mbush me mllef? -
Le të shohë, a do t’i sjellin rezultatet e pritura intrigat dhe planet kundër Profetit, lufta kundër tij dhe përpjekjet për të shkatërruar fenë e Zotit? A do t’ia largojë, vallë, kjo përpjekje dëshpërimin që ia ka pushtuar shpirtin, kur të shohë përhapjen dhe lartësimin e kësaj feje në botë?! Jo, këto përpjekje kurrë nuk kanë për t'i sjellë atë që do dhe kjo kurrë nuk ka për të ndodhur. Ai i mjerë kurrë nuk do të mund t’ia largojë pikëllimin, edhe sikur të bëjë gjithçka që mundet. Ky ajet përmban një mesazh, që i drejtohet çdokujt që ka armiqësi kundër Profetit dhe përpiqet për të shuar fenë e tij. Ky është një mesazh i qartë për të gjithë ata që, me injorancë, mendojnë se përpjekjet e tyre do t’u sjellin ndonjë dobi. Mësojeni dhe dijeni mirë se, çfarëdo që të bëni dhe çfarëdo mase që të merrni në luftën kundër profetit Muhamed, ato nuk kanë për ta larguar dëshpërimin tuaj dhe kurrë nuk do të mund ta shkëpusni ndihmën e Zotit ndaj Profetit dhe fesë së tij. Allahu ju tregon një mënyrë, e cila, nëse do të ishte e mundur, është e vetmja rrugë për të arritur atë që kërkoni. Atëherë, gjeni një litar të mirë dhe lidheni në qiell, e pastaj ngjituni e ngjituni, derisa të arrini te portat, nga të cilat zbret ndihma për Profetin dhe fenë e tij, dhe mbyllini ato porta, që të ndërprisni ndihmën. Vetëm kështu do të mund ta shuani dëshpërimin dhe të realizoni qëllimin tuaj. Asnjë ndihmë tjetër nga krijesat nuk ka për t’ju sjellë zgjidhje. Por, sigurisht, kjo është e pamundur. Ky ajet është një sihariq i madh se Allahu do ta ndihmojë fenë dhe Profetin e Tij. Ai do t’i ndihmojë e dhurojë fitoren robërve të Tij besimtarë dhe do t’u këpusë çdo shpresë mohuesve, që përpiqen të shuajnë dritën e Tij me frymën e tyre. Allahu ka për ta plotësuar dritën e Tij, edhe pse këtë e urrejnë mohuesit, të cilët luftojnë e përpiqen me çdo mënyrë për ta penguar.