Ja, kështu (do të jetë). Dhe kush e kërkon shpagimin me të njëjtën masë, me të cilën është dëmtuar dhe pastaj përsëri i bëhet padrejtësi, Allahu patjetër do ta ndihmojë atë. -
Kështu është ligji i drejtë. Çdokush të cilit i është bërë padrejtësi dhe krim, ka të drejtën të kërkojë dënimin e agresorit me të njëjtën mënyrë dhe masë që e ka dëmtuar. Nëse do të drejtën, nuk i kërkohet llogari. Nëse i bëhet sërish padrejtësi, Allahu ka për ta ndihmuar, sepse atij i është bërë e padrejtë. Gjithashtu, është e palejueshme që të merret në përgjegjësi për shkak se e kërkon hakun e vet. Mendohu pak! Allahu i Madhëruar premton se do ta ndihmojë atë njeri që i bëhet padrejtësi pasi ka vënë në vend drejtësinë duke marrë hakun e vet. Kjo tregon se, nëse dikujt i është bërë padrejtësi dhe ai nuk e ka marrë hakun, Allahu ka për ta ndihmuar edhe më shumë se rasti i parë.
Allahu është Mbulues i gjynaheve dhe Falës i Madh. -
Allahu është Falës i madh ndaj atyre që janë gabimtarë dhe nuk nxitohet në ndëshkimin e tyre. Nëse shprehin pendimin e sinqertë e rregullohen, Ai ua fal dhe i mbulon gabimet e tyre, madje i fshin fare edhe gjurmët e ndikimin e tyre të keq tek njeriu. Ky është një atribut i përhershëm i Allahut. Mbi këtë falje janë ndërtuar edhe marrëdhëniet e Tij me njerëzit, në të gjitha kohët dhe gjendjet e tyre. Falja dhe mbulimi i gjynaheve është një portë e hapur për këdo që pendohet e do që të kthehet tek Zoti i tij i nënshtruar. Atëherë, edhe ju o njerëz që ju është bërë padrejtësi, duhet të shkoni drejt faljes e tolerancës, që Allahu t'ju falë e mëshirojë. Tregohuni falës ndaj njerëzve, ashtu siç dëshironi që Allahu t’ju falë ju!